Kualifikimet historike, kur Partizanit ia bënin me hile francezët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 19, 2020 | 21:25

Kualifikimet historike, kur Partizanit ia bënin me hile francezët

UVIL ZAJMI

Uvil Zajmi

“Kualifikimet e mëdha në diktaturë”. Ky do të jetë cikli i ri që “Panorama Sport” do t’u sjellë lexuesve të saj. Janë sfida të cilat nuk i kemi përcaktuar ne, por koha, rezultatet, vetë ndeshjet, të cilat nuk duhen lënë të humbasin në greminën e harresës. Kanë qenë përballje epike, me vlerë të madhe jo vetëm sportive, por edhe sociale për mundësitë, rrethanat kur janë zhvilluar.

Nga volejbolli i Partizanit të Murzakut, te Dinamoja europiane e Kojës, për të vijuar me 6- shen spektakolare të Konës e Dash Fagut dhe Dinamon e mrekullive të vajzave të Tartarit. Pastaj me futbollin, basketbollin. Por, edhe për të rikthyer emocionet, të cilat brezi im pasionant i ka përjetuar nga afër.

1961, Kupa e Kampioneve të Evropës, volejboll meshkuj Triumf i dyfishtë dhe eliminim i vjenezëve të OMV Blau Gelb 60 vite nga kualifikimi befasues i Partizanit

Ndonëse ka kaluar më shumë se një gjysmëshekulli nga ai vit nga ajo pjesëmarrje, ato përballje kanë regjistruar një fakt tejet të veçantë: Partizani në volejboll për meshkuj është skuadra e parë shqiptare, që ka mundur të kalojë turin e parë të një kompeticioni europian me klube, madje që në debutim.

Një histori e rrallë, deri edhe e pabesueshme. Nga takimet me austriakët, sfida e mbetur enigmë me Stade de France, truku i CEV, skualifikimi i papritur dhe reagimi i shtetit shqiptar. Ngjarje sportive, të cilat “Panorama Sport” do t’i sjellë shoqëruar me rrëfime nga dy protagonistë të atyre sfidave:

Ekipi i Partizanit ne Austri logo

Ekipi i Partizanit, në Austri, në përbërje të të cilit janë: Aga, Maçi, Kona, Llalla, Pelivani, Lulolli, Sharofi, Binga, Meka dhe Murzaku

Legjenda Petrit Murzaku, një mit i pazëvendësueshëm i fanellës së kuqe, dhe Ali Lulolli, që nga Zvicra rikujton atë përfaqësim europian të Partizanit. Nga fitoret e dyfishta te dëshira për të parë shpatën e Skënderbeut, dhe pse nuk u zhvillua takimi me francezët. Cilët ishin lojtarët e atij triumfi të jashtëzakonshëm kur luhej te parku “Studenti”, në fushë e qiell të hapur?

PARTIZANI I MURZAKUT, PJESËMARRJA E PARË KONTINENTALE

Sezoni ’61-’62, i treti i Kupës së Kampioneve me klube (nisur në sezonin 1958, rivalizojnë 28 ekipe të ndara në 7 grupe). Në të parin konkurrim në këtë nivel, Partizani do të ketë përballë austriakët e OMV Blau Gelb Vjenë. Volejbollistët tanë me ata austriakë janë takuar në Kampionatin Europian në Bukuresht 1955, Pragë 1958. Bilanci 6-0, pasi shqiptarët i fituan të dyja ndeshjet 3-0. Takimet do të luhen me sistem vajtje-ardhje nga data 14-16 janar dhe ato të kthimit më 22 të po këtij muaji. Fituesja do të ndeshet me francezët e “Stad de France”, që është kualifikuar direkt në turin e dytë. Drejt Vjenës, Partizani niset me këtë përbërje: M. Aga, P. Murzaku, N. Llalla, J. Kona, F. Meka, P. Pelivani, V. Binga, F. Sharofi, A. Lulolli. Trajner: E. Maçi, përgjegjës ekipi M. Konda.

Vjenë, e diel, 16 janar 1961

OMV BLAU GELB – PARTIZANI 0-3 (8-15, 4-15-4, 8-15)

OMV BLAU GELB: Dorner Rudolg (kapiten i skuadrës), Dober Peter, Grynvald Johann, Runted Johann, Kaldletz Alfred dhe Broz Osvald.

PARTIZANI: Aga (kapiten i skuadrës), Murzaku, Meka, J. Kona, Binga, Llalla. U aktivizuan edhe Pelivani në vend të Bingës si dhe Lulolli e Sharofi.

Gjyqtarë: K. Faketini (Itali).

Shkrimi informues në “Sporti” ka për autor Jorgji Konën, njërin nga volejbollistët titullarë të ekipit. “Lojtarët tanë e filluan lojën shumë të impresionuar, pasi nuk e njihnin kundërshtarin dhe ndodheshin në fushën e tij, por edhe impresonimi për fitore të domosdoshme që do të na çelte rrugën për ndeshjet e mëtejshme të Kupës. Fillimisht udhëheqin vendësit 2-0, më pas 3-3 dhe 6-3 për austriakët, për të ardhur te pushimi i parë për skuadrën tonë.

Faqja e pare e Sportit pas triumfit ne Vjene

Faqja e parë e “Sportit”, pas triumfit në Vjenë

Pas tij, ekipi ynë e mori veten dhe shënoi 12 pikë, duke fituar setin e parë 15-8. Në të dytin, ne patëm epërsi të plotë dhe Partizani fitoi me lehtësi 15-4. Fitimi i dy seteve të para sqaroi thuajse plotësisht situatën në favorin tonë, që fituam edhe setin e tretë 15-8 dhe krejt takimin 3-0. Fitorja ishte plotësisht e merituar. Kjo, sepse kundërshtari ishte relativisht më i dobët sesa ekipi ynë në të gjitha drejtimet e lojës moderne të volejbollit.

Nga kjo ndeshje duhet të nxjerrim përfundimin se të gjitha të dhënat flasin për takimin me francezët, por kjo natyrisht nuk duhet të na dehë. Nga skuadra jonë u dallua Llalla, Aga, Murzaku e Meka. Gjyqtari Karlo Faketini e drejtoi ndeshjen mjaft mirë dhe objektivisht”, e mbyll Kona.

REVANSHI NUK KA RIVALITET, PARTIZANI DOMINON TOTALISHT

Më 22 janar, stadiumi i lojërave “Studenti” të kryeqytetit ishte mbushur plot dhe kur të dyja skuadrat rreshtohen në mesin e fushës, shoku Sami Kolaneci i përshëndeti volejbollistët në emër të KS “Partizani”. Më pas midis tyre u shkëmbyen flamurë dhe buqeta me lule. Në një shkrim po në “Sporti” nga Feti Borova, gjyqtar i K/Nd, informohemi: “Të parët që kryejnë shërbimin janë miqtë, të cilët humbin topin. Vendësit, pasi marrin topin, shënojnë dy pikë rresht, më pas katër pikë nga miqtë. Loja zhvillohet e ekuilibruar 4-4, 6-6, 8- 8 dhe 12-11 për miqtë.

Vendësit marrin pushim, që duket se i shkundi dhe duke luftuar si duhet kampionët shënojnë 5 pikë dhe fitojnë setin e parë 15-12, që do të thoshte sigurimi i të drejtës nga Partizani për të vazhduar më tej ndeshjet për Kupën e Evropës, pasi kishte fituar një set. Në setin e dytë vendësit luajtën qetë, të përpiktë dhe fitojnë thellë 15-2.

Edhe në të tretin, epërsia shkon deri në 14-1, por shfaqet indiferentizëm dhe kundërshtarët shënojnë katër pikë. Më në fund, me një gjuajte të Masar Agës vendësit shënojnë edhe pikën e fundit, duke fituar kështu edhe setin e tretë 15-5. Fitorja e ndeshjes së revanshit me të njëjtin rezultat 3-0 mundëson lojën me Stad de France. U dallua M. Aga e J. Kona dhe Rundel Johann për miqtë. Vendësit nuk bën asnjë ndërrim gjatë lojës. Gjykimi i ndeshjes ishte shumë i mirë”, e mbyll komentin e tij Borova.

Tiranë, e diel 22 janar 1961, fusha sportive “Studenti”,

PARTIZANI-OMV 3-0 (15-12, 15-2, 15-5)

PARTIZANI: N. Llalla, P. Pelivani, F. Mejka, M. Aga, J. Kona dhe P. Murzaku.

OMV BLAU GELB: Kadlez Alfred, Bronz Valter, Dobert Peter, Dorner Rudolf, Runde Johann dhe Grunvald Johann.

GJYQTARË: Leçiç Borivoje (Jugosllavi) i kategorisë ndërkombëtare, Dilaver Cara (Shqipëri) kandidat për gjyqtar ndërkombëtar.

RAUNDI I DYTË, NË PRITJE TË STAD DE FRANCE

Nga gazeta “Sporti Popullor” e datës 8 mars 1961 opinioni sportiv shqiptar njoftohet: “Partizani-Stad de France, më 26 mars e 2 prill”, bashkë me informacionin: “Korrespondenti ynë mësoi në KK të Përgjithshëm të BFSSH-së se me kërkesën e palës franceze dhe me aprovimin e KO të Kupës së Evropës në volejboll, midis skuadrave kampione për meshkuj, ndeshjet Partizani-Stad de France e Parisit do të zhvillohen më 26 mars në Tiranë dhe më 2 prill revanshi në Paris.

Gazeta spori logo

Gazeta “Sporti” njofton takimin e turit të dytë Partizani-Stade de France

Ndërkohë, në pritje të zhvillimit të dy sfidave, “Sporti” i së mërkurës më 22 mars jep njoftimin sensancional: “Stad de France nuk u paraqit në ndeshjen me Partizanin”, duke vijuar: “Në bazë të marrëveshjes, kampionia e Francës në volejboll për meshkuj Stad de France e Parisit, duhej të zhvillonte në Tiranë, më 19 mars, ndeshjen e parë çerekfinale të vlefshme për Kupën e Europës me kampionen e vendit tonë, skuadrën e Partizanit të KS MMP.

Kampionia Partizani u paraqit në fushë gati për ndeshje, ndërsa kampionia e Francës nuk u paraqit. Sipas rregullores së aprovuar nga KO (Komisioni Organizator)i Kupës, gjyqtari i K/N, jugosllavi Leçiç Borivoje, nënshkroi protokollin përkatës që i referohet rezultatit 3-0 aforfe. Protokolli do t’i dërgohet për omologim Komitetit Organizator”. Po nga “Sporti”, pak ditë më vonë informohemi: “Çështja e mosparaqitjes së Stad de France-it për ndeshjen me kampionen tonë Partizani në Tiranë, akoma nuk është përfunduar nga KO i Kupës”.

Por, një lëvizje dinake do të shoqëronte duke “zgjidhur” situatën e krijuar, kur një ndeshje “e fshehtë” do të luhet në Bukuresht për turin çerekfinal të Kupës së Kampioneve midis Rapidit dhe Stad de France. Një takim që papritur dhe pa u menduar nga askush për padrejtësinë e madhe, do të zhgënjente thellë opinionin sportiv. Ka reagime publike nga shteti, sportistë, por asgjë nuk do të ndryshojë me atë çfarë kishin organizuar në pabesi organizatorët e turneut. Një vendim i mbetur enigmë edhe në vitet që vijuan.

PROTESTA ZYRTARE, REAGON ASHPËR KQV I RPSH

Në faqen e parë të “Sportit Popullor”, e mërkurë 3 maj 1961, lexohet qartë: “Protestë e Komisionit Qendror të Volejbollit të RPSH. Një mesazh i gjatë i drejtuar Federatës Ndërkombëtare të Volejbollit, Paris; Komisionit Organizator të Kupës së Evropës midis klubeve, Varshavë, dhe të gjitha federatave pjesëmarrëse në Kupën e Europës midis Klubeve, KQ i Volejbollit i RPSH proteston energjikisht kundër vendimit të njëanshëm, pa asnjë bazë të FNV dhe presidentit Libo, të cilët me padrejtësinë më të madhe i hoqën të drejtën për të vazhduar ndeshjet në Kupën e Europës skuadrës sonë kampione, Partizani”.

Protesta zyrtare logo

Protesta zyrtare e papublikuar në “Sporti”

Midis të tjerave lexojmë: “Më datën 22 prill u zhvillua në Bukuresht ndeshja midis Rapid dhe Stad de France, çerekfinale për Kupën e Evropës në volejboll midis skuadrave kampione. Me këtë akt iu vu një vulë një vendimi arbitrar, krejtësisht të padrejtë të FN të Volejbollit. Në fakt, kjo ndeshje duhej të zhvillohej midis skuadrës Rapid B. dhe Partizanit, sepse këto dy skuadra kishin arritur në çerekfinale, ndërsa Stad de France u eliminua për arsye se ajo nuk u paraqit në ndeshjen me Partizanin, që do të zhvillohej më 19 mars 1961 në Tiranë, datë e caktuar në marrëveshje midis dy klubeve të interesuara dhe konfirmimet me udhëzimet e dhëna nga KO.

Në datën e caktuar, Partizani u paraqit në fushë dhe gjyqtari i K/N Leçiç Borivoje, pasi priti një orë, në bazë të rregullores dha shenjën për përfundimin e ndeshjes me rezultatin 3-0 (15-0, 15-0, 15-0) në favor të Partizanit për mosparaqitje të Stad de France. Për këtë ndeshje u vu në dijeni KKE në Varshavë, i cili na njoftoi se ekipi shqiptar nuk duhet të shkonte në Paris, për faktin se ai hynte direkt në çerekfinale.

Kjo ishte në përputhje të plotë me artikullin 7 të rregullores, i cili thotë: “Në rast humbjeje aforfe nga një skuadër, kundërshtarja e saj kualifikohet për turin e ardhshëm”. Pra, edhe Partizani si rezultat i fitores aforfe në ndeshjen me Stad de France, duhet të kualifikohej direkt për në çerekfinale me Rapidin.

Del shumë e qartë se njoftimi që na u bë një muaj më vonë nga Komiteti Organizator se Stade France kërkon aforfe për arsye se Partizani nuk u paraqit me 30 mars 1961 dhe se FN e Volejbollit ka vendosur të bëhet një ndeshje definitive më 22 prill 1961, në një terren neutral në Bukuresht, është absurd, i padrejtë dhe në kundërshtim flagrant me rregulloren e vetë komisionit dhe zbatimin praktik të saj në ndeshjet e mëparshme. Për “Panorama Sport”, sot pas 6 dekadash, flasin protagonistët e atyre përballjeve…

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"