Gjyqi për një biletë treni, kur dënoheshin 13 arbitra. Historia e rrallë e vitit 1987

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 31, 2019 | 22:07

Gjyqi për një biletë treni, kur dënoheshin 13 arbitra. Historia e rrallë e vitit 1987

UVIL ZAJMI

Në vijim të ciklit “Ku kanë gabuar dhe nuk kanë gabuar arbitrat” do t’i rikthehemi një procesi financiar që nisi krejt rastësisht, ku në fokus janë gjyqtarët e futbollit, ata kryeqytetas. Shkak u bë letra e një arbitri tiranas që i shkruan Sokol Morinës, me detyrën e shefit të Sportit në Komitetin Ekzekutiv, ku e informonte për një “abuzim” të madh që po kryenin gjyqtarët e futbollit të Tiranës, kryesisht me biletat e trenit, të autobusëve dhe fletët e hoteleve. I shqetësuar, Morina i drejtohet Federatës së Futbollit, Sektorit të Financës, për të verifikuar ato çfarë shkruante Rahmi Kahrasani.

arbitrat shqiptare

(Fotot janë vetëm shoqëruese të shkrimit dhe nuk kanë lidhje me gjyqtarët e atij procesi)

Fillon kështu një “gjyq” i shpejtë, në të cilin angazhohen specialistë finance, kur në 1980 një i tillë ishte bërë edhe me ata të volejbollit. Ndërtesa dykatëshe e federatës në krah të Stadiumit Kombëtar, për një kohë të gjatë shndërrohet në një zyrë investigimi me gjyqtarë që futen e dalin, duke sqaruar për çfarë janë “akuzuar”. Një histori që vazhdoi për disa muaj dhe në fund ka ndëshkime, shoqëruar me një listë të gjatë deri në përjashtime nga kolegjiumi, aktivitetet zyrtare të 13 “xhaketave të zeza”. Të detyruar, mjaft prej tyre e braktisin gjykimin, ndërsa të tjerë me shpresën se mund të falen, rikthehen pas një viti.

“Fillimisht u gjet një biletë autobusi, Himarë-Vlorë, pastaj disa fletë të parregullta të një hoteli në Kavajë”, kujton Agim Duka ish-shefi i Financës në FSHF në atë periudhë. Por, si u organizua puna, mobilizimi një sektori, ngritja e grupeve në disa qytete për verifikim dhe si i rikthen sot Gëzim Gaçe, njëri nga gjyqtarët, ata muaj tensioni me pyetje-përgjigje. E gjithë kjo vetëm për një biletë treni, autobusi…

Në kërkim për gjetjen e një bilete

Ka qenë një kriter financiar kur pasi kryeje shërbimin, që të merrje dietën, duhej të kompletoje urdhërshërbimin me bileta treni apo autobusi dhe fletë hoteli. Një ritual në vite edhe për gjyqtarët e futbollit, të basketbollit, volejbollit. Shërbimi fillonte të shtunën, pasi me rregullore ata duhet të ishin një ditë para në qytetin ku zhvillohej ndeshja. Kur u krijohej mundësia, shkonin e vinin brenda ditës me trenat e parë apo mjete të rastit.

Lëvizja ishte kryesisht me tren, autobus, pak prej tyre kishin motorë. Për të siguruar biletat, çdo të hënë në mëngjes te stacioni gjeje mjaft gjyqtarë në pritje të trenave të parë që vinin në Tiranë. Ndodhte që udhëtarët të ishin tifozë dhe kur u kërkonin biletën, prej tyre dëgjoje edhe “nuk ta jap se me ty humbëm dje…”. Solidaritet kishte me studentët që ktheheshin nga fundjava në shtëpitë e tyre dhe palët ishin të njohur se takoheshin çdo të hënë te stacioni.

ISH-SHEFI I FINANCËS NË FSHF: NUK DONIM TË DËNOHESHIN

Agim Duka: Hetimi zgjati disa muaj, ja si i zbuluam

Agim Duka, sot 70-vjeçar, me një punë shumëvjeçare në të kaluarën në Komitetin Shtetëror të Sporteve, përfshirë edhe Federatën e Futbollit, madje shef i zyrës së Financës, e kujton procesin, pasi u ngarkua të merrej me të. “Ka qenë një letër me të cilën një gjyqtar nga Kolegjiumi i Tiranës, me sa më kujtohet i Kategorisë së Dytë, i drejtohet Sokol Morinës, ku midis të tjerave e informon sesi vepronin gjyqtarët e futbollit lidhur me marrjen e dietës, shpërblimet, që sipas tij ata paraqisnin bileta treni, hoteli, jo të rregullta.

agim duka

Dhe me të drejtë Morina kërkoi përgjigje për këtë. Ai vjen tek unë në zyrë, ma shpreh problemin, shqetësimin, por me dëshirën dhe idenë për të mos e bërë të madhe, mundësisht për ta mbyllur sigurisht, pasi të ishte verifikuar ajo çfarë pretendonte gjyqtari në fjalë. U ngrit një grup pune për të analizuar problemin me punonjës të federatës, por edhe nga qytetet e tjera. Do të verifikoheshin rastet ku dyshohej dhe gjyqtarët do të thirreshin për t’u pyetur e na sqaruar, duke marrë informacion të detajuar. Në ato muaj zyra jonë u kthye si hetuesi”, nis rrëfimin Agim Duka.

Ku bazohej letra?

Gjyqtari akuzues, që siç na informuan më vonë, e kishte bërë nga inati, mllefi, që nuk e aktivizonin dhe u ishte referuar disa rasteve. Bëhej fjalë për bileta autobusi, treni dhe fjetjeje.

Ju kishit informacion më parë?

Një zhurmë e tillë ishte bërë pak vite më parë, me disa arbitra të njohur të volejbollit, ndaj të cilëve u morën masa ndëshkuese. Me ata të futbollit, kur konstatonim parregullsi të vogla, brenda mundësive, e kalonim pa e bërë problem se ua dinim sakrificat, vështirësitë dhe pagesat e ulëta që kishin. Ishte vetë forma, sistemi, dispozitat ligjore për sportin dhe ata donin të përfitonin diçka, kryesisht nga biletat dhe hotelet. Në raste kur shkonin e vinin brenda ditës së diel, nisjen e bënin të shtunën, e në kthim paraqisnin biletat e së hënës.

Si reaguan drejtuesit e federatës?

Në atë periudhë, kryetar ishte Ali Vukatana, njeri që hapej, jo i mbyllur, ndonëse ishte ushtarak. Objektiv, e donte sportin, i qetë, dëgjonte specialistët, gjykonte mbi mendimet që merrte prej tyre. Me sens pozitiv, i shqetësuar më pyeste vazhdimisht: ‘Agim mundet të mos i bëjmë keq?’… E dinte që gjyqtarët kishin probleme, ua njihte kushtet dhe që ata ishin bërë si marokenët në shkretëtirë. Po kështu edhe Kristaq Miço, Sekretar i Përgjithshëm, njeri shumë korrekt dhe dashamirës.

Si e organizuat punën?

Unë shkova në të gjitha klubet, ku ngritëm zyra pune. U morën njerëz të besuar, burra e gra që aktivizoheshin si punonjëse finance në klubet e futbollit apo që ishin në rolin e revizorëve, për të verifikuar deri edhe në sportelet autobusëve ku shiteshin biletat e udhëtarëve.

Konstatuat se…?

Siç thashë, duke qenë se ndeshjet luheshin në mesditë, ose me të rinjtë paradite, për qytetet e afërta, u qëllonte që disa prej tresheve të shkonin e vinin brenda ditës. Dhe për të siguruar biletat e një ditë më parë ose më pas, dilnin te treni, ishAgjencia e Autobusëve pranë Sahatit, duke pritur të vinin autobusët e linjave.

Rrugë të largëta e të vështira cilat ishin?

Kryesisht në Kukës, Peshkopi, Bajram Curri dhe 1km ishte 1 lek për kohën. Ose në Sarandë, 295 lekë ishte bileta tren-autobus TiranëBallsh-Sarandë, më shumë kushtonte bileta se dieta ditore. Pastaj në ndeshjet e Kategorisë së Dytë dhe shpërblimi ishte më i ulët, pa llogaritur problemet në gjykim. Delvina, Himara kanë qenë ndër më të vështirat për gjyqtarët.

Pikërisht nga Himara është zanafilla?

Bëhej fjalë për tre arbitra nga Tirana, që kishin qenë në Himarë muaj më parë. Ata kishin paraqitur një biletë autobusi, vajtje apo kthim nuk e kujtoj mirë, të linjës VlorëHimarë, që kushtonte 6.5 lekë, por me datë të korrigjuar nga fatorino.

Po me hotelet?

Kishte hotele të vogla, e shpesh ndodhte që ata flinin në ato të kategorisë së dytë, të ftohta, si p.sh. në Maliq, apo Himarë, ku paguhej vetëm 4 lekë nata dhe fletën e hotelit e merrnin sikur kishin fjetur te Hotel Turizmi në Korçë apo Vlorë me vlerë 8 lekë, aq sa ishte pagesa maksimale e një akomodimi të një nate. Madje, edhe nga ata që pa fjetur figuronin të regjistruar ose e kundërta, fletët e hotelit ishin të paregjistruara në librin e hoteleve.

Dhe vijmë tek ai i Kavajës?

Nuk më kujtohet saktësisht emri “Hotel Kavaja”, por bëhet fjalë për një hotel të vogël në Kavajë, që kishte një vit i mbyllur për rikonstruksion. Pikërisht nga ky hotel disa gjyqtarë kishin sjellë fletë hoteli dhe figuronin sikur kishin fjetur aty gjatë kohës që ai nuk funksiononte. ‘Ti nuk ke fjetur aty, ku e keni marrë si i gjetët fletët e hotelit’, i pyesnim. Pa përjashtim janë thirrur të gjithë gjyqtarët e Kolegjiumit të Tiranës që ishte shumë i madh në numër. Jo vëzhguesit. Nuk u morëm me ta.

Po arbitrin në fjalë e thirrët?

U bënë disa herë mbledhje për të gjetur “fajtorët”, sepse ky fenomen nuk pajtohej me dispozitat ligjore, moralin e një arbitri etj., siç pretendohej. Gjatë procesit, e kemi thirrur disa herë edhe gjyqtarin letërbërës. Ai ishte frikësuar, dukej nga qëndrimi, njeri i trembur. Nuk e kishte menduar se letra e tij do të merrte përmasa të tilla.

Sa paguhej një ndeshje?

Aplikoheshin dy shpërblime: Ai teknik, pra, për një gjykim gjatë 90 minutave për kryesorin deri 120 lekë dhe 80 për anësorët, kjo në Kategorinë e Parë dhe më e ulët në kategoritë e tjera. Si dhe dieta, përfshirë biletat bashkë me hotelin. Pagesat jepeshin me vonesë me para në dorë dhe gjyqtarët qëndronin me ditë në radhë për t’i marrë. Si ato të Tiranë edhe të rretheve. Kujtoj Besën, financieren, Andrean, llogaritarin e paharruar, personat që përbënin sektorin.

Proces i gjatë, si u mbyll?

Ne u kthyem në magazinë biletash, fletë hoteli dhe ai proces zgjati disa muaj. Iu mbajtën pagesat e “tepërta”, ndryshe do i paguante zyra e Financës. Në fund u pezulluan disa gjyqtarë kryesorë dhe anësorë. E thashë vetëm ata të Tiranës, jo të rretheve, as të lojërave me dorë, ndonëse ajo mënyrë, të cilin e bëmë të njohur, “praktikohej” nga të gjithë.

Pse nuk veprohej me shpërblime fikse?

Kujtoj se mënyra, forma dhe shpërblimi i gjyqtarëve ishte hartuar dhe figuronte në një qarkore të Ministrisë së Arsimit dhe Financës. Kishim kërkuar që shpërblimet, dietat e tyre të ndryshonin në pagesa fikse por nuk aprovohej nga Ministria e Financës.

Si vijoi më pas?

U shtrëngua hesapi, kishin frikë, ndonëse ndryshuan mjaft formalitete dhe shpërblimi teknik u rrit në 250 lekë për kryesorët dhe 150 për ndihmësit. Deri kur nisi aplikimi i një sistemi financiar me dieta fikse.

Nuk ka më bileta treni dhe autobusi…

Me shpërblimin teknik, me sa kam informacion, varion deri në 400 mijë lekë për një ndeshje për gjyqtarët kryesorë dhe më pak për anësorët. Shifra të larta ku janë përfshirë të gjitha. Sot me mjetet që kanë të gjithë udhëtojnë brenda ditës. Pra, pa qenë nevoja e një bilete treni, autobusi apo fletë hoteli. Një mekanizëm shumë praktik, efikas, krejt ndryshe me atë si funksiononte, si lëviznin dhe problemet që kishin gjyqtarët në të kaluarën.

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"