Speciale nga BESNIK DIZDARI: Tri kohët e Kombëtares së Shqipërisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 23, 2021 | 21:11

Speciale nga BESNIK DIZDARI: Tri kohët e Kombëtares së Shqipërisë

Nga BESNIK DIZDARI
1. Ndonëse në të vërtetë, përveç tri kohëve të saj, që po i quaj euro-botërore, ajo ka, si të thuash, edhe një “parakohë”. Është ajo e 75 vjetëve më parë, e Shqipërisë – kampione e Ballkanit në 1946, thuajse me të gjithë lojtarët të cilët kishin luajtur tri kampionate kombëtare të ashtuquajtura të Luftës së Dytë Botërore (1939, 1940, 1942). Madje, njëri (1942) mbarëkombëtar me Prishtinën, Prizrenin e Pejën. Ngjarje të cilave, aq fort të lidhura me njëra-tjetrën, u kam kushtuar dy libra, për mua tejet të çmueshëm. Prej këtyre kampionateve kanë ardhur Dibra, Spahiu, Fagu, Llambi, L.Boriçi, F.Janku, Kavaja, Parapani, Fakja, Biçaku, Demneri të titullit Ballkanik ’46. Kaq të rëndësishëm janë pra, këto tri kampionate edhe për themelimin e historisë së Kombëtares së Shqipërisë!

SHQIPERIA

Por le të vijmë te tri kohët e Kombëtares së Shqipërisë në Europë.

E para i përket periudhës 1962-1992. E dyta i përket asaj 1993-2002. E treta i përket periudhës 2003-2021.

E para është Kombëtarja e Shqipërisë që themelohet si e periudhës komuniste të regjimit, me të cilët kuptojmë diktaturën. E dyta është thuajse po ajo, por tash e Shqipërisë komuniste më të qëndrueshme, me të cilën, për hir të së vërtetës, nënkuptojmë kohën e rregullt të formimit dhe ecurisë së Kombëtares, edhe pse me ndërprerje drastike. E treta është Kombëtarja e europianizimit të vërtetë, të kushteve krejt të përmirësuara, kohë kur trajnerë të huaj, madje të Europës Perëndimore, marrin përsipër këtë europianizim.

Tash, për pak hyjmë në vitin 2022 që përkon me 60-vjetorin e pjesëmarrjes së parë të Shqipërisë në Kampionatet Europiane e Botërore. Kësisoj, më 21 qershor 1962, Shqipëria “luan” ndeshjen e saj të parë në Kampionatin Europian, atë Greqia – Shqipëria e dhënë 3-0 për Kombëtaren shqiptare për shkak të mospranimit të Greqisë për t’u ndeshur me të, simbas saj, shkaktare e luftës italo–greke, apo e pushtimit fashist të Greqisë. Mû në këtë futboll tryezash – jo të fushës së blertë – nis koha e parë europiane e Kombëtares, çka vazhdon me fitoren e saj të dytë, gjithnjë pa luajtur, po 3-0, për ndeshjen e kthimit në Tiranë me Greqinë, më 31 mars 1963.

Kështu, Shqipëria e niste kohën e saj europiane me një arritje të bujshme: është në 16 skuadrat më të mira të Europës, ku mbas humbjes 4-0 në Kopenhagen me Danimarkën, në Tiranë realizon fitoren e saj të parë 1-0 me danezët, për kualifikimet eurobotërore, me një bilanc që si rezultativ nuk është arritur ende: 4 ndeshje, 3 fitore! Për historinë pak rëndësi ka nëse dy prej këtyre fitoreve janë me vendim tryeze. Si puna e fitores me Serbinë 3-0 që na çoi në finalet e “Euro 2016”. Madje, në atë të asokohe – që ishte Kampionati Europian 1964 – Shqipëria në renditjen jozyrtare është e 9-ta. Kurrë më kësisoj, deri më sot e kësaj dite!

Nuk do të zgjatem me kohën e parë europiane të Kombëtares (1962-1992). Ajo është një jetë plot mundime, me humbje katastrofale, me fitore tejet të rralla, por dhe me sensacione, ndeshjesh të rangut më të lartë europian. Për fat të keq edhe me mospjesëmarrje, ku mbi të gjitha spikat periudha shtatëvjeçare 1973-1980, me asnjë pjesëmarrje. E, do kujtuar se viti 1980 është ai që shënon rifillimin e pjesëmarrjeve që deri më sot kanë vazhdimësinë e pandalshme.

Ndërkaq, koha e dytë (1993-2002) papritmas merr pak dritë, teksa edhe pse më 1991 të kohës së parë i kishte humbur tri nga katër ndeshjet për KE (Kampionati Europian): Francë 0-5, Çekosllovaki 0-2 e 1-2, ajo fiton 1-0 me Islandën. E para fitore e kualifikimeve euro-botërore mbas 7 vjetëve. E fundit ishte e bujshmja Shqipëri – Belgjikë 2-0 për KB 1986 (Kampionati Botëror).

shqiperi belgjike 2-0

Shqiperi-Belgjike 2-0

2. Dhe ja ku nis koha e tretë e Kombëtares, kjo 2003 – 2021. Më interesantja, më e bukura, më rezultativja. Një jetë e tërë që lind jo pa mundime, jo rrallë me zhurma e luhatje edhe kjo, por që ka ardhjen e një trajneri të huaj nga Gjermania, një kampion i Europës e nënkampion i botës me emrin Hans Peter Briegel, me të cilin Shqipëria nis të shkruajë faqen e vërtetë europiane të saj.

Do të shpërthejë në dy kulme: atë të Shqipërisë KE 2016 të trajnerit italian Gianni De Biasi, teksa mbërrin në 24-shen finaliste të Europës dhe këte të italianit të dytë me emrin Edoardo Reja, i cili papritmas më del trajneri më rezultativ i Shqipërisë. Jo më i miri, por më rezultativi, pra simbas rezultateve të ndeshjeve. Për këtë kohë të tretë europiane të Kombëtares së Shqipërisë, po ngushtohemi në këtë shkrim, një ngushtim ky, disi universal. Kohë kjo të cilën natyrisht, nuk mund ta kuptojmë pa dy kohët e paraardhësve përmes një krahasueshmërie që kësisoj ndoshta nuk e kemi bërë asnjëherë. E këtu lind pyetja e vetvetishme: në fund të fundit, cilat janë arritjet më rezultative të Shqipërisë? Simbas meje, duke vënë emrat e trajnerëve, janë pesë të tilla:

1. KE 1964: Shqipëria e 9-ta e Europës. * Trajnerë: L.Boriçi (3) & Z.Konçi (1).
2. KE 2016: Shqipëria e 18-ta e finaleve të Europës. * Trajner : G.De Biasi.
3. KB 2022: Shqipëria e 3-ta në grupin e saj, me 6 skuadra, me plot 18 pikë. Dhe vetëm 2 pikë larg vendit të dytë. * Trajner: E.Reja.
4. KB 2018: Shqipëria e 3-ta në grupin e saj përsëri me 6 skuadra, por me 13 pikë e 10 pikë larg vendit të dytë. Trajnerë: G.De Biasi (6) & C.Panucci 4).
5. KB 1986: e 3-ta në grup, por me 4 skuadra. Trajner: Sh.Rreli.
* (Shifrat në kllapa tregojnë sa ndeshje ka drejtuar trajneri, sepse janë ndërruar).

Siç shihet, koha e tretë e Kombëtares është ajo që sundon për kah rezultatet: KE 2016, KB 2018, KB 2022. Dhe ja ku në këtë veçim, disi befas, shfaqet sensacioni. Që na thotë se Kombëtarja më rezultative është kjo e KB 2022, që sapo përfundoi. Çka për çudi merr forcë edhe nga KE 2020. Madje në tërësinë e rezultateve merr forcë edhe nga Liga e Kombeve të Europës 2020, pjesëmarrje të cilën nuk po më duket fort e arsyeshme ta përfshij në peshën e asaj që është më “rezultativja”. Ndonëse me të Shqipëria, me trajner E.Reja-n, zuri vendin e parë në grupin e saj. Madje ky është rasti i parë dhe i vetëm që Kombëtarja e parë e Shqipërisë në të gjithë kohët e saj euro-botërore zë vendin e parë në një grup kualifikues. Nuk më thotë mendja ta përfshij këtu edhe sepse, në fund të fundit, ky është një vend i parë, si të thuash, në kategorinë e tretë të një gare të rangut europian. Pra, një pjesëmarrje ku brenda grupit mungojnë fuqitë dhe superfuqitë e Europës. Kujtojmë se ishin Shqipëria, Bjellorusia, Lituania dhe Kazakistani.

Shqiperi-Danimarke, 1963

Shqiperi-Danimarke, 1963

Tash, duke kërkuar të krahasojmë apo ballafaqojmë midis tyre të tri kohët e Kombëtares, do të dalim në historira të gjykimit rezultativ, vërtet të çuditshme.

Dhe shohim se në 12 edicione, Kombëtarja e Shqipërisë është renditur e fundit në grup. Ja:

KB 1966: Shqipëria e fundit në grup. * Trajnerë: Z.Konçi (5), L.Boriçi (1)
KE 1968: Shqipëria e fundit në grup. * Trajner: L.Boriçi.
KE 1972: Shqipëria e fundit në grup. * Trajner: L.Boriçi.
KB 1974: Shqipëria e fundit në grup. * Trajnerë: M.Alla (3), I.Shuke (2), L.Boriçi (1).
KE 1984: Shqipëria e fundit në grup. * Trajner: Sh.Rreli.
KE 1988: Shqipëria e fundit në grup. * Trajner: A.Sulaj.
KB 1990: Shqipëria e fundit në grup. * Trajner: Sh.Rreli.
KE 1992: Shqipëria e fundit në grup. * Trajner: B.Birçe (5) & A.Sulaj (2).
KB 1994: Shqipëria e fundit në grup. * Trajner: B.Birçe.
KE 1996: Shqipëria e fundit në grup. * Trajner: N.Bajko.
KB 1998: Shqipëria e fundit në grup. * Trajnerë: A.Hafizi (9) & N.Bajko (1).
KB 2002: Shqipëria e fundit në grup. * Trajnerë: D.Zhega (6) * S.Demollari (2).

Por nuk mbaron këtu. Janë edhe 6 edicione të tjera ku Shqipëria është renditur e parafundit në grupin e saj, çka do të thotë se në 26 edicione pjesëmarrjeje kualifikuese euro-botërore të tri kohëve të Kombëtares së Shqipërisë, në bukur 12 herë prej tyre, Shqipëria është renditur në vendin e fundit në grup dhe 6 herë në vendin e parafundit!

Për një çast ky bilanc pësues (nuk po më pëlqen ta quaj disfator) e trondit aq fort historinë e Kombëtares së Shqipërisë sa gati-gati të bën të thuash se s’ka pse bëjmë histori. Nuk është kështu. Historia është histori. Dhe duhet shkruar sido që të jetë ajo. Madje në të gjitha fushat e jetës. Kështu siç edhe është bërë, me dorë në zemër, me historitë që kemi shkruar për Kombëtaren e futbollit, që dihet, është Kombëtarja më popullore, më universale, më përfaqësuese e të gjithë sporteve edhe për Shqipërinë.

3.Dhe le të kalojmë në trajtimin “optimist” të temës sonë. Shqipëria mbas asaj çka arriti në KE 2016 nën drejtimin e trajnerit Gianni De Biasi, sapo ka arritur një lloj kulmi tjetër në modestinë e saj apo përtej modestisë së saj. Kështu ngaqë sot, në këtë kohë të tretë jo pak të lulëzuar të saj, në fund të fundit, nuk mund të harrojmë se Kombëtarja e Shqipërisë nuk është kombëtarja e botës, por është Kombëtarja e një shteti e vendi të vogël, i cili sot i ka a nuk i ka 3 milion banorë në suazën e kufijve shtetërorë të tij. Ndonëse u bënë do vjet të mira që Kombëtaren e ka edhe të jashtë kufijve, atje ku jetojnë shqiptarë më shumë se brenda kufijve republikanë.

Dhe ja ku na shfaqet Kombëtarja e kufirit më të fundit të kohës së saj të tretë, ndërsa, duam apo s’duam, jemi të detyruar që atë ta lidhim me dy emra: me trajnerin e Kombëtares me emrin Edy Reja dhe me kryedrejtimin e Federatës Shqiptare me emrin Armand Duka. Sigurisht shumë më fort me trajnerin dhe shumë më pak me të dytin. Kështu, ngaqë dihet fort mirë se gjithçka e drejton trajneri. Po ashtu dihet fort mirë se gjithçka e menaxhon federata me në krye presidentin e saj. Kështu apo ndryshe, të dyja anët e kësaj medaljeje “individuale” të jashtë fushës së blertë, i përkasin këtyre dy emrave. Dhe ja ku vjen “happy end”-i ynë.

reja

Nën drejtimin e trajnerit Edy Reja na del se Kombëtarja e Shqipërisë në kualifikimet euro-botërore (pra pa Ligën e Europës) ka zhvilluar: 18 ndeshje, ka fituar 9, ka barazuar 1 dhe ka humbur 8, me golavarazhin pozitiv 25- 24. Edy Reja është kështu trajneri më rezultativ i Kombëtares së Shqipërisë për kualifikimet euro-botërore. Që do të thotë se – paçka se gjoks më gjoks – ai është edhe mbi De Biasi-n (27 ndeshje, 11 fitore, 4 barazime, 12 humbje, golat 27-27). Ndonëse në vështrimin e atij që quhet sukses, De Biasi me finalet e KE të “Francë 2016” mbetet i paarritshëm. E kushedi se deri kur do të mbetet…

Besoj pra, se jemi të qartë kur themi se këtu e kemi fjalën jo për te më i suksesshmi, por për tek më rezultativi në ndeshjet eurobotërore simbas “stilit” fitore, barazime, humbje. Aq më tepër kur na del se edhe në të gjitha llojet ndeshjeve (së bashku edhe me ato miqësore), prap se prap më rezultativi është po Edy Reja (27, 13, 4, 10, golat 36-32) përballë Gianni De Biasi-t (52, 20, 11, 21, golat 57-53).

Po e mbyllim kësisoj, këtë “matematikë” rezultative, me një renditje të rrallë, që na tregon ate të numrit të fitoreve që kanë arritur trajnerët nën drejtimin e tyre:

Në Kampionatet Europiane (KE) dhe ato Botërore (KB):
1. Gianni DE BIASI: 11 fitore
2. Edy REJA: 9 fitore
3. Hans P. BRIEGEL: 6 fitore
4. Loro BORIÇI 3 fitore
5. Zyber KONÇI: 2 fitore
5. Bejkush BIRÇE: 2 fitore
5. Neptun BAJKO: 2 fitore
5. Astrit HAFIZI: 2 fitore
5. Josip KUZE: 2 fitore
5. Otto BARIC: 2 fitore
11.Ilia SHUKE: 1 fitore
11.Shyqyri RRELI: 1 fitore
11.Medin ZHEGA: 1 fitore
11.Arie HAAN: 1 fitore
11.Christian PANUCCI: 1 fitore
11.Ervin BULKU: 1 fitore
Dhe në vendin 17 me asnjë fitore janë: Myslym ALLA, Agron SULAJ, Sulejman DEMOLLARI, Giuseppe DOSSENA.

Ky shkrim nuk është një gjykim teknik. Ky shkrim është një gjykim historik, duke synuar te Shqipëria më rezultative. Dhe siç u pa, Shqipëria më rezultative euro-botërore qenka Shqipëria e kohës më të fundit, kjo, datuar 2021 e trajnerit Edy Reja. Dhe gjithçka e tij thuajse “rrufeshëm”: brenda vetëm 30 muajve (8 qershor 2019 – 15 nëntor 2021). Një densitet i paparë ndeshjesh eurobotërore brenda vetëm 30 muajve! Edhe këtu ai është në vendin e parë. Ka të drejtë të habitet edhe vetë me këtë densitet eurobotëror kualifikimesh, kur kujton se ai është vetëm i 3 ndeshjeve miqësore. As këtu nuk është mirëfilli humbës: 3 ndeshje, 1 fitore, 1 barazim 1 humbje, golat 3-4.

4. E pra, çka qe kjo skuadër më e fundit e kohës së tretë të Kombëtares së Shqipërisë, përveç treguesit pozitiv rezultativ? Plot 48 futbollistë të aktivizuar (me gjithë tri ndeshjet miqësore), prej të cilëve plot 28 të sjellë në Kombëtare për herë të parë nga Edy Reja. Për t’u shndërruar afërsisht në titullarë Kumbulla, Gjasula, Laçi, Çekiçi, Broja, Bajrami, Mitaj. Shumë apo pak? Them se nuk është as shumë as pak. Është mirë, megjithatë. Kjo ngaqë lojtarët e trajnerëve paraardhës të cilët ia arrijnë të rezistojnë ende, nuk ka pse të largohen. Pa harruar atë tjetrën: se përtëritja e një skuadre nuk bëhet me revolucione, por me evolucione. Që do të thotë hap mbas hapi (gradualisht).

Ndërkaq, arkivi na thotë se nga 26 futbollistët e aktivizuar nga trajneri De Biasi për KE 2016, midis 48-tëve të Reja-s, natyrisht me hyrje e dalje, luajtën herë mbas here këta 16: Abrashi, Ajeti, Balaj, Roshi, E.Berisha, Çikalleshi, M.Basha, Djimsiti, Kaçe, Sadiku, Hysaj, Lenjani, Memushaj, Mavraj, Veseli, T.Xhaka. E, për hir të së vërtetës, prej këtyre tash kanë mbetur këta 9: Abrashi, Balaj, Roshi, E.Berisha, Çikalleshi, Djimsiti, Hysaj, Lenjani, Veseli.

Ndërkaq, befasia na mbërrin nga ndeshja e fundit, 1-0 me Andorrën, ku në “Francë 2016” ishin vetëm 3: Hysaj, Lenjani, Roshi. Pa harruar se brenda 48-shes të trajnerit Reja ka shumë rini “të thellë”: Mihaj 23 vjeç, Bajrami (22), Muçi (20), Kumbulla (21), Çokaj (22), Broja (20), Selahi (22), Vrioni (23). Madje deri dhe Çepele e Mitaj 18- vjeçarë e Molla 19 vjeç. Dhe midis gjithë këtyre me dy talente të kalibrit europian: Broja (20) e Kumbulla (21), çka vërteton se trajneri Reja i ka hyrë thellë përtëritjes së skuadrës.

broja muci

Po cili qe niveli që paraqiti skuadra në këtë epilog të kohës së saj të tretë? Pa dyshim një nivel i mirë ndërkombëtar. Jo thjesht se në një grup me 6 skuadra ajo u rendit e treta dhe mori sasinë më të madhe në histori të pikëve, me rekordin numër 18. Madje, edhe me “rekordin” tjetër, atë të vetëm 2 pikëve larg vendit të dytë të një gare, në këtë rast botërore. Por sepse, duke iu kthyer ndeshjeve, ato nuk janë një, por disa të nivelit europian. Më tipiket: Shqipëria – Islanda 4-2, Moldavia – Shqipëria 0-4, Shqipëria – Anglia 0-2, Shqipëria – Hungaria 0-1, Hungaria – Shqipëria 0-1, Shqipëria – Polonia 0-1. Them se nuk janë pak, pavarësisht nga rezultati. E kam fjalën për përmbajtjen e lojës. Shqipëria e kohës së tretë të saj është një skuadër kolektive, harmonioze. Madje deri aty saqë edhe kur papritmas, si bie fjala në ndeshjen e fundit, të shfaqet pa 8 lojtarë të 11-shit të parë të “katastrofës” së “Wembley”-t, prapëseprapë luan e kërkon të bëjë kthesë. Dhe fiton kur sapo ishte rrëzuar keqas për tokë.

Shqipëria e kohës së tretë të saj, nënshkruar viti 2021, është një skuadër moderne, e një futbolli kolektiv, e shpejtë, këmbëngulëse, e fuqishme. Sigurisht, jo ndonjë mrekulli. Sidomos kur kujton se ishte jo fort prodhimtare në realizimin e golave, e ndonjëherë disi papritmas e tronditur dhe e hutuar. Dhe jo rrallë individualiste në disa sulmues të saj, të cilët nuk ia kalojnë topin shokut të lirë, por kërkojnë të shënojnë vetë, duke humbur tiparin e altruizmit futbollistik.

Mandej e meta e të metave. Kjo skuadër e bukur e një vendi të vogël – i vetmi në botë i cili mbi 80 për qind të futbollistëve nuk i ka prodhuar shteti i tij, në këtë rast shteti i Republikës së Shqipërisë – nuk po arrin të ndikojë te lojtarët e shqiptarë të Kampionatit Kombëtar të Shqipërisë, sot i mpakur sa s’ka ku shkon më për shkak të një fajtori të vetëm në këtë dukuri: të drejtimit të FSHF!

Kaq. Nëse diku në këtë shkrim – përveç të tjerave jo pak të mundimshëm arkivi – kam ndonjë pasaktësi, do të nderohesha fort që lexuesi im i shtrenjtë dhe i kësaj gazete, të më bëzajë për ndreqjen e saj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"