Martiri PJETER GURAZIU – Rekordmeni i parë i Shqipërisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 21, 2018 | 22:01

Martiri PJETER GURAZIU – Rekordmeni i parë i Shqipërisë

BESNIK DIZDARI

besnik dizdari

(Vijon nga numri i djeshëm.)

6. Pjetër Filip Guraziu kishte lin dur më 1906-ën, në Shkodër, në rrugën e Gurazezve, Gjuhadolit historik, prej një familjeje të mirënjohur tregtare dhe e shquar për veprimtari atdhetare. Emrat e shquar shfaqen radhazi në arkivat e historisë. Axha Shan Guraziu qe zgjedhur anëtar i “mexhlisit” si një ndër përfaqësuesit e lagjeve katolike të qytetit. Gjyshi Pjetër Guraziu bënte pjesë në Komitetin Drejtues të Degës së Lidhjes së Prizrenit për Shkodrën. Baba Filip, i burgosur nga pushtuesi turk për veprimtari atdhetare si firmëtar i peticioneve që shqiptarët e diasporës u dërgonin fuqive të mëdha në favor të Shqipërisë së “pamvarme”. Për të mbërritur së fundi te vëllai Tonin – pianisti themelues – të cilit nipi i tij, Filip Guraziu i sotëm, i ka kushtuar librin “Tonin Guraziu – Një jetë në piano”. I prejardhur dhe i jetuar midis këtyre emrave të shquar, më 1912-ën, gjashtëvjeçari Pjetër Guraziu me familjen e tij gjenden në Bari të Italisë, e cila ia blaton arsimimin, duke përfunduar madje shkollën e mesme Tregtare. Dhe duke kulmuar me vitin 1929, me Doktoraturën për Ekonomi në Universitetin e Barit.

pjeter guraziu

E më shumë se kaq do t’i mëkojë edhe sportin…. Më 1930-ën, Pjetër Guraziu kthehet ne Shqipëri dhe fillon punën si pedagog pranë shkollës së mesme Tregtare ne Vlorë. Mandej punon në Doganën e Tiranës, ndërsa në vitet e pushtimit tërhiqet në veprimtarinë private të familjes që drejtohej nga i ati. Në vitin 1938 martohet me Ermelinda Saraçin, bijë e Patuk Saraçit të mirënjohur – deputet i Parlamentit të parë Shqiptar. I lindin dy fëmijë, Elizabeta dhe Filipi. Ndërkaq, familja e Gurazezve, me banim në Tiranë, ndihmon financiarisht Luftën Nacional Çlirimtare, duke shpresuar dhe besuar në realizimin e një Shqipë- rie demokratike. Çka sigurisht nuk do të ndodhte. E ftojnë të marrë pjesë në formimin e qeverisë së re në Berat, si një intelektual i pakomprometuar, çka pengohet për shkaqe shëndetë- sore. Por nuk e pengon assesi veten që të pranojë të shërbejë në detyra të rëndësishme në dikasteret qendrore të shtetit të ri (ministritë e Bujqësisë e të Financave) si drejtues i sektorëve ekonomikë e të financës. Kam njohur njerëz që kanë punuar me të në ministri dhe më kanë treguar se ishte një model për të gjithë dhe për gjithçka: në aftësi, në sjellje, në profesion, në dituri, në shoqëri. Siç më kanë treguar bashkëpunonjës të tij ministrorë, ishte ndër të rrallët që jo në një rast të vetëm, duke kuptuar vështirësitë e viteve tëpara të atij shteti, kishte refuzuar edhe rrogën.

Duket si e pabesueshme, por është krejt e vërtetë. Dhe me të gjitha këto, Pjetër Guraziu do të mbërrinte te data fatale e 26 shkurtit 1951 kur arrestohet dhe një ditë më mbas, 27 shkurt 1951, së bashku me 21 intelektualë të tjerë, pa asnjë lloj faji, do të pushkatohet pa gjyq. Dyzet vjet më vonë, më 11 gusht 1991, Plenumi i Gjykatës se Lartë në Tiranë, shpalli publikisht vendimin e pafajësisë për të 22 të pushkatuarit e 27 shkurtit 1951, të të ashtuquajturit incident të bombës në Ambasadën e BRSS në Tiranë. Më 1993 organizohet solemnisht rivarrimi i 22 martirëve në Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë. Ndërsa më 2011-ën dekorohen me Urdhrin “Nderi i Kombit”. Kjo është tragjedia e “Nderit të Kombit”, Pjetër Guraziu, që sot mbas 93 vjetëve ne do ta njohim edhe si rekordmenin e parë të historisë së sportit shqiptar. Interesant, vërtet! Shqipëria komuniste është i vetmi vend në Europë, e cila ka pushkatuar tre rekordmenë të saj në sportin e atletikës së lehtë.

Këta janë Sejfedin Biçaku, Pjetër Guraziu dhe Abdyl Këllezi. Jo sportistë të zakonshëm, pra. Por rekordmenë të shquar të vendit të tyre me në krye atletin e nivelit evropian, Sejfedin Biçaku. Një regjim që në krimet e tij është vërtet origjinal. Kësisoj, njeri prej kësaj tresheje, që në gjithë kompleksitetin apo veçorinë e saj të vetme (unikale) duhet quajtur legjendare për sportin shqiptar, është dhe Pjetër Guraziu. Në njëfarë mënyre madje, më i veçanti. Sepse Pjetër Guraziu është rekordmeni i parë jo vetëm i atletikës së lehtë, por i krejt sportit shqiptar. Tjetër kapitull i jetës tij, ana tjetër e medaljes: ai është dhe një nga organizatorët e parë të sporteve në Shqipëri. Kulminacioni i historisë së tij për fatin tonë të madh dokumentohet në mënyrë më të paprekshme. Ai daton më 11 prill 1925 në Bari të Italisë.

diploma pjeter guraziu

Çka e vërteton dokumenti autentik, që biri i tij Filip Guraziu dhe familja e tij e ruajnë sot e kësaj dite si një medalje më vete e vërtetësisë së një kohe, pra, e vitit 1925. Fjalët këtu janë të tepërta. Flet vetë kjo diplomë bashkangjitur në këtë “dossier” tonin, ashtu e shndritshme e denjë për Lojërat Olimpike në stampimin e saj të një klasikeje të perëndeshës së fitores që përmblidhet në afirmimin sublim të këtyre fjalëve: “Diploma conferito allo studente Guraziu per ‘1 classificato nel salto in lungo con risultato m. 6.15. Campionato Regionale Studentesco. Bari. 10-11 aprile. 1925”. Një konfirmim me vulë e firmë të organizatorëve. Një dokumentim që drejt një kahu pozitiv të një buje, madje, përmbys jo pak ecurinë kronologjike të rekordit të Shqipërisë në kërcimin së gjati. E nga ana tjetër, i dhuron sportit shqiptar dokumentin e parë zyrtar të një gare fitimtari, në këtë rast disi dhe ndërkombëtare, që i përket pra, një sportisti shqiptar.

Nëse do ta shohim rezultatin me sytë e specialistit, është pak që ne ta quajmë të jashtëzakonshëm në arritjen cilësore të tij. Aq më tepër që është arritur prej një djaloshi student, i cili në atë 11 prill 1925 të garës së zhvilluar është saktësisht i moshës 18 vjeç e 6 muaj – çka nga ana tjetër përbën edhe rekordin e parë kombëtar të atletikës së lehtë për të rinjtë. Dhe vetvetiu, po me sytë e teknikut, 6.15-ta e vitit 1925 e Pjetër Guraziut përbën një rezultat të një lloj niveli tejet të lartë për Shqipërinë e asokohe. Madje, edhe duke guxuar për ta krahasuar me një rezultat kulmor, siç ishte rekordi kombëtar i kërcimit së gjati i Italisë në kërcim së gjati. Dhe është, pra, vërtet interesante se vetëm dy ditë më vonë, mbas vendit të parë dhe rekordit tonë të Pjetër Guraziut, më 13 prill 1925, atletika italiane mbas 13 vjetëve thyen rekordin e saj të kërcimit të gjati, që ishte vendosur më 1912 nga atleti Virgilio Tomasi me 7 metra. Autori i rekordit të ri Italian, të 13 prillit 1925 është Tonini i US Milanese me 7.17 metra.

Kur rekordi botëror ishte 7.76 mbajtur prej amerikanit Robert LeGendre. Nuk po mbërrijmë deri në këtë krahasim. Por 6.15 prej një shqiptari, kur atletika e lehtë në Shqipëri ende nuk kishte dalë në pistë apo pedanë, sot do konsideruar më se i jashtëzakonshëm. Ky është ishte viti i atletikës së Pjetër Guraziut nga Shkodra e Shqipërisë, i cili në të vërtetë, me tufën e diplomave që zotëron familja Guraziu, të duket se kemi të bëjmë me një atlet të shumëgarëshit. Ai ka diplomë fituesi edhe në kërcimin së larti, në vrapimin e 100 metrave apo dhe në 3000 metra. Shqipëria 1925 kishte përcaktuar rekordmenin e saj të parë ende pa mbërritur atletika kampionate në tokën e saj.

7. Për këtë do të duheshin edhe 4 vjet të tjera. Do të duhej kësisoj, që edhe Shqipëria të mbërrijë te Kampionati i saj i Parë Kombëtar i Atletikës së Lehtë: 2 shtator 1929. Çudia është se jemi një vit para 6 qershorit 1930 të themelimit zyrtar të atij organizimi që do të quhej Enti Kombëtar “Djelmnia Shqiptare”. Është ky Ent, ai që më 20 gusht 1929 nis e organizon me atletikën Kampionatet Kombëtare. Drejtori i Entit, Prof. Giandomenico De Marchis, i cili do të luajë role të dorës së parë në organizimin e kampionateve tona kombëtare të viteve ’30, deklaron ndërkaq, se: “Kemi nderin t’ju njoftojmë se simbas urdhënit të N.M. së Tij Mbretit të Shqiptarëve Zog I, me dekret, më 2, 3, 4, 5, 6 shtator të këtij viti kanë me u zhvillue këtu në Tiranë, nën ditët e naltshenjueme, të parat Gara të Kampjonateve t’Atletikës së Lehtë, t’organizueme nga kjo degë, Garat në fjalë kanë me u zhvillue në fush- ën e Shallvares”.

Ky ishte njoftimi. Një njoftim i madh historik, sepse ishte fjala për Kampionatin e parë sportiv që organizonte Shqipëria, madje saktë- sisht një vit para Kampionatit Kombëtar të Futbollit (1930). Atletika e lehtë është pionierja e Kampionateve Kombëtare të Shqipërisë. Dhe siç kam shkruar me kohë, është një organizim vërtetësish perëndimor për kushtet modeste të shtetit të ri të Shqipërisë vetëm 17 vjet mbas pavarësisë së saj. Është një Kampionat i Parë Kombëtar i Atletikës së Lehtë, që ka mbushë Tiranën me pllakatin e tij dhe që zhvillohet nën “patronazhin e naltë të Princeshës Myzejen”. Dhe një tufë shéjash trofe: kupa të rralla dhe elegante për fituesit vetjakë dhe ekiporë, që zbukurojnë publicitetin e shtypit, teksa tregohen para fillimit të Kampionatit. Ministri i Arsimit, Hil Mosi, merret personalisht me këtë Kampionat. Dhjetë vjet më parë, më 1919-ën, ai kishte qenë organizatori kryesor dhe kryetari themelues i asaj që njihet deri sot e kësaj dite si Shoqnia “Vllaznia” e Shkodrës, prej ku vjen Vllaznia e sotme, ajo shoqëri kulturore sportive, e cila më 1920 kishte organizuar garën e parë atletike në Shqipëri, një maratonë e vogël rrugëve të Shkodrës, të fituar prej të quajturit Kol Gjoni.

Pa dyshim, kjo ndjesi atletike e atdhetarit të shquar, tash Ministër, ka pasur rol parësor edhe në këtë organizim të Kampionatit Kombëtar të Atletikës së Lehtë. Kështu mbërrihet te 2 shtatori 1929. Në Shallvaren e Tiranës. Ceremoni e shkëlqyer për kohën. Rreshtim. Parakalim, Himn Kombëtar. Prani e Princeshës Myzejen, fjala emocionuese e prefektit Rexhep Jella. Shqipëria kishte themeluar jo thjesht Kampionatin e Parë të Atletikës së Lehtë pra, por vetë atë që kemi thënë qysh në krye të këtij tregimi historik: themelimin e Kampionateve Kombëtare të Shqipërisë për gjithë sportet. Nuk gaboj kur them se është data më historike themeluese në krejt jetën e sporteve në Shqipëri. Dhe ja tek shfaqet kampioni i parë i Kampionatit, si dhe rekordi i parë kombëtar në historinë e Shqipërisë. Kjo gjet në kërcimin së larti nga i mirënjohuri Prof. Peter Andoni i Elbasanit me 1.68 metra, një sportist i gjithanshëm qysh në Robert College të Stambollit.

Është pikërisht ky njeri që lidhet në largësi me personazhin tonë Pjetër Guraziu. Andoni është njeriu, i cili thuajse e sundon Kampionatin e parë të Shqipërisë. Kampion në kërcimin së larti, në kërcimin së gjati, por dhe në pesë- garësh dhe dhjetëgarësh. Është i vetmi që rrëmben katër medalje të arta të Kampionit të Shqipërisë! Dhe ne që i veçojmë garën e protagonistit “tonë”, atë të kërcimit së gjati. Andoni shpallet Kampion Kombëtar me shifrat 5.97 metra që deri më sot, mbasi jam lodhur tejet me arkivin, e kemi pranuar edhe si rekordin e parë të kërcimit së gjati. Çka do të thotë plot 18 centimetra më pak nga rekordi i Guraziut (6.15) i Barit të vitit 1925. Tash, na duket sikur sot mbas gati një shekulli, ne po i ftojmë dy rekordmenët në një garë virtuale, që më shumë se në pedanën e kërcimit ajo “zhvillohet” midis dokumenteve e faqeve të shkruara të historisë.

E edhe në largësi kësisoj, midis profesorit të Robert Cellegge të Stambollit, Peter Andonit dhe doktorit në ekonomi të Universitetit të Barit, Pjetër Guraziu, vetvetiu dueli i tyre virtual nis dhe mbaron me tregimin tonë, të cilin më poshtë do ta mbyllim pikërisht me rregullimin historik të këtij rekordi të panjohur deri më sot. Nja 4-5 vjet më parë, këtu në “Panorama Sport”, në një shkrim historik për atletikën e lehtë kam rreshtuar këto emra: Llazar Miha, Ragip Lohja, Sabit Çoku, Prof. Peter Andoni, Mehmet Gjakova, Vasil Alarupi, Simon Todoshi, Jorgji Koja, Prof. Taho Shkreli, Prof. Adem Karapici, Qamil Abazi, Irfan Gjinali, Ferid Beshiri, Vladimir Shuteriqi, Irfan Gjinali, Prof. Ibrahim Dizdari, Mitat Aranitasi, Ahmet Karini, Muhamet Agolli, Rexhep Maçi, Qamil Abazi, Ahmet Duhanxhiu, Vladimir Shuteriqi, Hysen Kusi, Prof. Behxhet Jolldashi, Qazim Dervishi, Dr. Bahri Kopliku, Ahmet Taibi, Zeqir Sulejmani, Dr.Isuf Dashi, Andrea Çani, Shaban Ahmeti, Dr. Naim Vreto, Qazim Keçiçi, Prof. Xhevdet Skilja, Dr. Ndoc Gera, Qamil Abazi, Mehmet Gjakova, Ing.Llazar Miha, Aleko Turtulli, Ahmet Duhanxhiu, Taho Shkreli, Rifat Jolldashi, Koço Kaftani, Azbi Tepelena, Fetah Fara, Aleko Turtulli, Rexhep Shpendi, Andon Terova, Petraq Leka, Ndoc Paci, Muharrem Toptani, Shuk Radoja, Kapllan Dervishi, Av.Sandër Kraja, Shadan Toptani, Jorgji Koja, Ymer Sharra, Prof. Elez Maha, Isa Meta, Kristo Isak, Prof. Alush Lleshanaku, Muharrem Musa…

Të gjithë janë pjesëmarrës të Kampionatit të parë të Atletikës së Lehtë 1929, por një pjesë e mirë edhe të atij 1930. Kampionë, nënkampionë dhe medalistë “të bronztë”, siç mund t’i quajmë. Por mua më ka shpëtuar një emër: Pjetër Guraziu. Më 1929, ai është ende në Bari, por më 1930 ai është pjesëmarrës i Kampionatit të Dytë Kombëtar të Shqipërisë në Atletikën e Lehtë. Ma zbulon rishikimi i arkivit tim të vjetër. Dhe gara e kërcimit së gjati për këtë Kampionat thuajse e gjitha është e markës shkodrane. Në të vërtetë është dueli Qazim Dervishi – Pjetër Guraziu. Kampion është universali i themelimeve të sporteve shqiptare, Qazim Dervishi me 6.04, ndërsa Nënkampion është Pjetër Guraziu me 5.93. Ata lënë në vendin e tretë as më pak e as më shumë, por njeriun me emrin e shquar Selman Stërmasi. Dhe çudia e madhe. Nënkampioni Guraziu shkon dhe merr pjesë në hedhjen e diskut ku renditet i treti.

Mandej lë për në fund pjesëmarrjen në stafetën 4×100 metra ku së bashku me Luigj Shalën, Luigj Radojën dhe Sandër Krajën fitojnë titullin e Kampionit të Shqipërisë. Kështu, krejt papritmas mbasi zbulojmë Pjetër Guraziun si rekordmenin e parë të Shqipërisë në kërcimin së gjati, si Nënkampionin e Shqipërisë më 1930 po në kërcimin së gjati, gjejmë edhe Pjetër Guraziun si Kampion të Shqipërisë në stafetën 4×100 metra. Një sportist i plotë, rekordmen dhe kampion i vendit të tij. Dhe vitet që bëjnë të tyren. Lë pistën dhe pedanën, por jo veprimtaritë e mjedisit sportiv. Tash në funksione të reja…

8. Nga libri që kam shkruar për jetën sportive të të jashtëzakonshmit Dr.Vasfi Samimit, shkëpus këto radhë: “… Më 13 gusht 1935 në mbledhjen e përgjithshme të përfaqësuesve të shoqërive sportive e artistike jashtëshkollore, duke u bazuar në nenin 382 të Arsimit, themelohet në Tiranë Federata e Shoqërive Sportive e Artistike me emrin “Vllaznija Shqiptare”… Nën drejtimin e matur e përparimtar të Mirash Ivanajt, Federata “Vllaznija Shqiptare” forcohet tejet dhe roli i saj në përforcimin e kampionateve kombëtare të futbollit, atletikës, notit e çiklizmit, do të vinte bazat e një organizimi sportiv më të përsosur…

Ndërkaq, Federata Sportive Shqiptare, e mbas saj edhe “Vllaznija Shqiptare”, themelojnë Këshillin Teknik Arbitral Shqiptar, i cili ka në duart e tij, gjithë udhëheqjen tekniko – organizative të sportit shqiptar. Nëse do të kërkonim të krahasonim me tipet e organizimeve të sotme të lëvizjes sportive, do të thoshim pa ngurim se Komiteti Teknik Arbitral Shqiptar (KTASH) ka qenë një lloj Komiteti i Kulturës Fizike të Sporteve që ka sunduar Shqipërinë e Mbasluftës për vite të tana… I pari KTASH i sapothemeluar përbëhet nga organizatori anglez i xhandarmërisë shqiptare, Nënkolonel Oakley Hill, Luigj Shala, Eqrem Stërmasi, Dr. Pjetër Guraziu, Dr. Vasfi Samimi, Telemak Nushi”… Kjo, si të thuash, është jeta e dytë sportive e Dr.Pjetër Guraziut. Edhe në këtë rast, ai është një themelues. Një prej gjashtë themeluesve të drejtimit të sporteve në Shqipëri. Njëri më i shquar se tjetri. Njeri më intelektual se tjetri.

Mandej, kur mbërrin te Mbaslufta, që do t’i merrte jetën në kulmin e pjekurisë, aftësive dhe kontributeve të tij kombëtare, ndonëse më pak, ai do të jetë përsëri në role drejtuese sportive. Lojërat Ballkanike të vitit 1946 – një ndërmarrje europiane mund të themi për Shqipërinë – do të duhej të kishin edhe praninë e tij. Pjetër Guraziu është në jurinë drejtuese të garave e ndeshjeve pranë figurave të shquara të huaja ballkanike si Juan, Tucan, Lupan, Hristof, Sherbo, Brancev, Nesku e Fiork, si dhe e kolegëve të tij të shquar shqiptarë. Guraziu pra, por dhe Zajmi, Karrapici, Skilja, Hila, Naqi, Lisi, I. Dizdari, Domini, Maha, Rama… Lojërat Ballkanike duhet të kenë qenë ndarja përfundimtare e Pjetër Guraziut nga jeta e tij sportive në shërbim të atdheut. Do t’i mbeteshin edhe gjashtë vjet për të mbyllur tragjikishtr jetën e tij të jashtëzakonshme në shërbim të atdheut të tij. 9. Tash, duke qenë të bindur se kjo histori e treguar këtu, assesi nuk mund të ketë një fund të, gëzuar kur mendon se në çfarë tragjedie do të përfundonte martiri Pjetër Guraziu, po e mbyllim duke kërkuar disi një lloj qetësimi që na mbart pesha tërheqëse e historisë sportive. Në këtë rast do të vëmë në piedestalin e një historie, për ne të rrallë, emrin e martirit rekordmen Pjetër Guraziu. Dhe gjithçka vjen e bëhet krejt e thjeshtë, ndonëse prapë kufijtë kronologjikë të rekordit kombëtar të Shqipërisë në një nga garat më spektakolare të atletikës së lehtë, siç është kërcimi së gjati, do t’i përkasin po qytetit që lindi Pjetër Guraziun, Shkodrës.

Qytetit, që ashtu siç i kishte dhuruar Shqipërisë shoqërinë e parë sportive (Vllaznia 1919), vrapimin e parë atletik (1920), Rrethin e Parë Çiklistik (1925), i kishte sanksionuar edhe rekordmenin e parë sportiv (Pjetër Guraziun 1925). Historia kronologjike e rekordit shqiptar të kërcimit të së gjati në të vërtetë është tejet origjinale dhe gjithnjë me kthesa të bujshme. Një histori që deri më sot kishim menduar se niste me Peter Andonin – 5.97 më 1929, por tash falë dokumenteve autentike të sportistit të madh të Shqipërisë Filip Guraziu, birit të martirit Pjetër Guraziu, zbulojmë rekordmenin e parë të atletikës shqiptare, në të vërtetë rekordmenin e parë për krejt sportin shqiptar. Është 6.15 metra më 11 prill 1925 në Bari të Italisë. Këtu është themeli. Këtu është nisja. Errata corrige do të bëhet duke vendosur rekordmenin e dytë Peter Andonin me 6.16 metra më 1930. Dhe më mbas të tjerët që vazhdojnë me Selman Stërmasin, e duke u pasuar prej një rekordi kulmor për kohën, atë të Sabit Çokut me 6.58 metra. Çka për Shqipërinë sportive duhej të kalonin plot 21 vjet dhe të vinte viti 1956, e bashkë me të nga Shkodra të mbërrinte një djalë 22-vjeçar si Hysni Bebeziqi i Partizanit, që ta thyente këtë rekord çerekshekullor. Ai mbërrin në 6.63 metra, pra vetëm me 5 centimetra më tepër.

Ka qenë një ditë e vitit 1956 dhe Shqipëria Komuniste e Sportit kaloi në eufori, sepse më në fund u thye edhe një rekord që mbahej prej një “borgjezi” me emrin Sabit Çoku, i cili përveç të tjerave, ishte vëllai i një “tradhtari” në emigracion, siç e përcaktonin pa mëshirë Prof. Mentor Çokun e nderuar. Të duket se edhe për nderin e rekordmenit të parë Pjetër Guraziut, gara e kërcimit së gjati ka mbërritur te maja e saj për atletikën shqiptare. Në të vërtetë janë katër maja: rekordi i parë i Pjetër Guraziut, rekordi rezistues i 21 vjetëve i Sabit Çokut, rekordi përmbysës i Hysni Bebeziqit dhe kulmi europian i atletit të sotëm po nga Shkodra, Izmir Smajlaj – Kampion i Europës në salla të mbyllura me shifrat e nivelit botëror 8.08 mtera. Është pikërisht kërcimi së gjati që i dha Shqipërisë Kampionin e parë të Europës në sportin e atletikës së lehtë, qoftë dhe në sallë, një rezultat krejt i afërt edhe me atë 8.03 metra çka ndërkombëtari ynë Smajlaj ka arritur në pedanën e hapur, aty ku gjithçka nis me rekordmenin e parë, Pjetër Guraziun. Historia është kjo:

Historia kronologjike e Rekordit në Kërcim së gjati 1925 – 2018:
Bari, 11.04.1925
Pjetër GURAZIU 6.15 m.
1930 Peter ANDONI 6.16 m.
1932 Selman STERMASI 6.27 m.
1934 Sabit ÇOKU 6.38 m
1935 Sabit ÇOKU 6.58 m.
1956 Hysni BEBEZIQI 6.58 m.
1956 Hysni BEBEZIQI 6.63 m.
1957 Hysni BEBEZIQI 6.69 m.
1957 Hysni BEBEZIQI 6.89 m.
1959 Hysni BEBEZIQI 6.99 m.
1961 Sabaudin RAMKU 7.04 m.
1964 Sabaudin RAMKU 7.14 m.
1970 Koço MULLA 7.15 m.
1971 Koço MULLA 7.30 m.
1975 Arben PAPULI 7.34 m.
1979 Gjergj RULI 7.64 m.
1984 Gjergj RULI 7.70 m.
2007 Admir BREGU 7.71 m.
2008 Admir BREGU 7.75 m.
2014 Izmir SMAJLAJ 7.75 m.
Tiranë. 25.06.2014
Izmir SMAJLAJ 7.78 m.
Elbasan. 21.05.2016
Izmir SMAJLAJ 8.03 m.

Dhe këtu, nën këtë pamje, duket se kulmon edhe kjo histori kronologjike, tash edhe më e pasur se kurrnjiherë. Ajo i bën nder vërtetësisë, ndryshe sanksionimit të vërtetës historike të atletikës shqiptare dhe saktësimit të historisë së sportit shqiptar që fillon me martirin Pjetër Guraziu. E, vetvetiu po më vjen për shtat ta mbyll këtë sagë tragjiko-dramatike, me këtë përcaktim shembullor (emblematik) të të madhit Curzio Malaparte, i cili thotë: “Diktatura është forma më komplekse e xhelozisë”. Ndonëse në rastin e tregimit tonë, ajo ishte dhe forma më e qartë e shtypjes më të pam- ëshirshme. Për fat, deri në krim!…

Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet riprodhimi i pjesshëm apo i plotë pa lejen e gazetës.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"