Kur trajneri i Shqipërisë ishte italiani Gianni de Biasi…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 3, 2019 | 22:19

Kur trajneri i Shqipërisë ishte italiani Gianni de Biasi…

BESNIK DIZDARI

besnik dizdari

Kapitulli XII

NUK KA MË TË KEQE SE EUFORIA. Kishim hyrë në “ferrin”e euforisë. Dhe kudo eufori. Eufori për ndërtimin e stadiumit. Eufori me fitoren. Eufori me Europianin. Eufori me trajnerin. Eufori me FSHF-në. Eufori me Shqipërinë. Eufori me televizionin. Eufori me komentatorin. Eufori me analistin. Eufori me flamurin “më të bukur në botë”, siç thotë euforia e një kënge në duel të pabarabartë me të bukurën “Xhamadani vijavija”. Eufori ngado që të nisesh.

Eufori edhe pse ndeshja nuk është e bukur. Ndonëse prapë do të doja të thosha se ajo ishte e bukur. Aq më tepër që ishte vepër e dy golave të bukur. Sepse fitorja gjithmonë është e bukur; me sa duket, edhe atëherë kur në thelb nuk është e bukur. Kishte ardhur shtatori 2016. Shqipëria e spikatun e “EURO 2016” e kishte nisur me një 0-0 të një miqësoreje me Marokun në “Loro Boriçi” të Shkodrës. Dhe kështu ne po mbërrinim te euforia për vazhdimësinë.

xhani de biazi

Një vazhdimësi që shfaqej me ndeshjen e parë të Kupës së Botës 2018: Shqipëri–Maqedoni 2-1, po në Shkodër, një ndeshje befasisht e dy ditëve 5 dhe 6 qershor 2016. Kështu për shkak të një ndërprerjeje. Kishim hyrë në vazhdimësinë e pjesëtares së 24-shes së Europës, që tashmâ hynte në fushë si një trimëreshë. Ajo shënon e para, luan mirë 45 minuta, edhe pse mandej luan keq 30 minuta. Dhe prêt 24 orë për të rrëmbyer një ditë më vonë një fitore të çmueshme dy minuta para mbarimit. Për çudi, përsëri kundër një ekipi sllav të ishJugosllavisë.

Mandej? Mandej euforia që nuk ndal. Më e pakta në dy televizione njëherësh. Sepse euforia e futbollit të Kombëtares në Shqipëri është kaq e madhe, sa ndeshjen e transmetojnë dy televizione të të njëjtit shtet njëkohësisht. Mos ndoshta kështu do të ndodhë edhe me ndeshjen e 7 shtatorit 2019 me Francën?… Vështirë ta kuptosh e ta pranosh këtë. Madje, njëri transmetim me pagesë e tjetri pa pagesë! Dhe është kaq e madhe kjo eufori, saqë të dy thonë pa u skuqur prej rrênës së paturpshme. “nën transmetimin tonë ekskluziv”. Një rrìnë e bukur që vjen po prej euforisë! Dhe për këtë, më shumë se ai tjetri, fajtor “arrogant” është televizioni që e paguan populli, Televizioni Shqiptar.

Ndërkaq, euforia ishte kaq e madhe, saqë trajneri i Shqipërisë tha se kemi ndërtuar një skuadër nga e para! Ende nuk e besoja, sepse euforinë e besoj fort pak. Për një çast të dukej se Shqipëria e Kombëtares së futbollit për nja bukur 65 vjet paska qenë askurrgjë. Edhe pse ka qenë deri Kampione e Ballkanit. Edhe pse kishte bërë nja disa sensacione europiane, madje kundër gjigantëve. E edhe pse ia kishte arrit të çonte deri në token e Kampiones së Botës të Paraluftës futbollistë ndër më të mëdhenjtë e kampionatit të saj. Sidoqoftë, nuk po doja të bëhesha monoton duke i përsëritë tash e parë të gjitha këto….

de-biasi bulku

Kështu, gjithçka ishte edhe eufori gazetarie. Gati të gjithë ishin nën marramendjen e euforisë së Kombëtares. Të gjithë të marrun mendsh prej euforisë, deri aty saqë “pyetës” televizivë, kur thoshin emrin e vet “unë jam”, i shtonte edhe funksionin administrativ: “… jam drejtori i Departamenti të…” Ndoshta ngaqë e kuptonte se e kishte marrë atë detyrë pa mund dhe pa meritë, duke mënjanuar një më zot e të merituar. E mjera gazetari! Dhe euforia që mbërrinte deri aty, saqë shtatë a tetë burra për një 11-metërsh tejet të qartë për skuadrën kundërshtare, edhe pse e përsërisnin pesë herë, prapë thoshin se nuk ishte 11-metërsh. Ngaqë euforia, e bashkë me te edhe servilizmi “kombëtars” i pengonte që të mësonin për nëntë ndërhyrjet e gabuara klasike të brenda zonës, që dënohen me 11-metërsh.

Për fat, tash i është shtuar edhe e dhjeta: çdo prekje me dorë brenda zonës është 11-metërsh. Dihet. Nuk ka më të keqe se euforia. Sepse euforia të pengon për ecurinë e sukseseshme. Ndonëse për fat, nuk patën të gjithë eufori. Sidomos ndonjë specialist i futbollit që e quajti këtë ndeshje me plot gabime, madje një nga ndeshjet më të dobëta të kohëve të fundit. Ndoshta jo deri-deri në këtë skaj të negativitetit, megjithatë. Sigurisht, as unë nuk isha me euforinë. Nuk isha me euforinë e britmave deri në “fortissimo” për një fitore të butë e të pritshme asisoji, përballë një kundërshtari më me pak nivel se ti.

de biazi

Ndonëse nga drejtues teknikë të skuadrës, gati sa nuk u quajt një skuadër kalibri fort të lartë. Nuk isha me euforinë e një 2- 1 kundër Maqedonisë, pra, fitore ndaj së cilës të gjithë e kishim pritur, edhe pse ajo na kishte mundur 4 herë deri atë ditë e ne atë vetëm 1 herë. Madje, edhe pse një herë, ashtu si duke qeshur, na kishte mundur deri 5-1. Dhe kjo kishte ndodhur më 1994, jo më 1945 apo me 1946 kur klubet shqiptare i flisnin futbollit të Maqedonisë me ngjarje që shfaqeshin në këtë pamje: SK Tirana-SK Makedonia 5-2, SK Tirana–Shkupi 6-4 dhe 3-2. Kur madje mmÕ në mes të këtyre, po në atë 1945 dhe 1946 i flisnim deri futbollit jugosllav, ku bënte pjesë edhe Maqedonia, me fitore të tilla të bujshme si ato Partizani i Tiranës–Partizani i Beogradit 1-0 e 4-2, Tirana–Crvena Zvezda 2-1, Vllaznia–Hajduk i Splitit 2- 1…

Nuk ka pas eufori, megjithatë. Ndoshta edhe ngaqë ishin ndeshje miqësore, ndonëse asokohe të viteve ’40, ndeshjet miqësore kanë qenë më të rëndësishme se ndonjë ndeshje e mëvonshme e Kampionatit Europian. Si të thuash, çështje të një politike apo gjeopolitike që përmes futbollit nxisnin një ambicie krejt të veçantë. E teksa ndiqja nga tribuna e shtypit në “Loro Boriçi” modern ndeshjen me maqedonasit, m’u kujtua miqësorja e parë e rangut që është luajtur në këtë stadium, ajo Puna e Shkodrës (Vllaznia) – Kombëtarja e Shqipërisë. Kjo ka qenë ndeshja përuruese e rangut e këtij stadiumi që në ato ditë të majit 1953 po merrte emrin “Vojo Kushi” (tash “Loro Boriçi”).

De Biazi2

U turr gjithë Shkodra. Ndeshja përfundoi 4-3 për Kombëtaren me një ashpërsi dramatike të papërshkrueshme. Nuk kishte ndodhur ndonjëherë që skuadra shkodrane e këtij stadiumi të ishte kaq e egërsuar. Nuk përmbahej sulmuesi i madh Xhelal Juka, siç u tha edhe ngaqë nuk ishte grumbulluar me Kombëtaren. Mandej, Partia që dha shenjë nga tribuna se i duhej lënë fitorja Kombëtares, ngaqë mbas nja shtatë e tetë ditëve ajo do të luante miqësoren e madhe me Poloninë. Që do të ishte 2-0 për Shqipërinë, që sot po na thoshte pra, se edhe Shqipëria e madhe e “EURO 2016” nuk kishte filluar nga e para…

PSEUDOATDHETARI EDHE NDAJ KOSOVËS.

Euforinë, fjalorët më të parë e shpjegojnë si “një ndjesi ose qëndrim emotiv i papërmbajtshëm që vjen prej një situate mirëqenieje, ndjenjë fuqie, vetëbesimi, gjallërie të shfrenuar optimizmi”. Ka dhe shpjegime të tjera që ta tregojnë euforinë deri dhe si gjendje të plotë marramendjeje. Si euforia në lidhje me Kombëtaren e Kosovës, që nuk iu dashka thënë as Kombëtare. Sepse Kombëtare ka vetëm një: është kjo e Shqipërisë! Ose që ndoshta iu dashka thënë, siç thoshte Jugosllavia kur më 1967 mbas Plenumit të Brioneve, Kosova luajti me te: “Reprezentacioni i Kosovës”. Ose si euforia tjetër, ajo që lojtarit shqiptar të Maqedonisë t’i guxosh deri aty, saqë ta pyesësh se “a pate shqetësim të madh që po luaje kundër Shqipërisë”.

De BIAZI

Asnjë gjerman nuk ka guxuar deri më sot ta ngacmojë me kësisoj pyetjesh Mehmet Scolli-n apo Ozili-n e Gjermanisë para një ndeshjeje me Turqinë. Lojtari në fjalë i Maqedonisë këtë lloj euforie e uli shumë bukur në tokë, kur tha se jam profesionist dhe vetëm luaj. Futbollin shqiptar të Kombëtares te ndonjë e kishte përfshirë deri dhe euforia “e Shqipërisë së Madhe” që mbërritka falë Kombëtares së futbollit të Shqipërisë. Doemos, nuk ia di kuptimin se çka ka qenë termi “Shqipëri e Madhe”.

Eufori si euforia e para pak viteve kur quante “tradhtarë” shqiptarët e Zvicrës, që për Shqipërinë nuk pranonin të linin Zvicrën që i formoi. Dhe u deshën nja do vite të mira për të mos triumfuar kjo lloj euforie që shpërthente më fort se “euforike”, sidomos prej studiove televizive, duke mashtruar me pseudoatdhetari naivët. Siç na kujton thënia e njohur e Indro Montanelli-t: “Po të kishte pas Mussolini një televizion, do të ishte ende në fuqi.”

Ajo me Kosovën e futbollit ka qenë një nga betejat e pakta që euforia e Kombëtares së Shqipërisë ka humbur keqas. Dhe për sa kohë thoshin “vetëm një Kombëtare” (edhe tash më 2019, prapë ka ndonjë të pakulturë që e thotë këtë) deshën ta ndalonin themelimin e Kombëtares së Kosovës, e vetvetiu edhe pranimin e saj në FIFA e UEFA. Vetëm e vetëm që bie fjala 17, 19 apo 21-vjeçarët e Shqipërisë, që janë larg me vite drite prej një titulli sado modest europian dhe tepër larg tetëshes së 21-vjeçarëve të Ramazan Rragamit 1983, të na i merrnin pra mendtë sado pak. Po ndodhte kështu, në një kohë që nuk shihje as më të voglën e nxitjeve “euforike”, të paktën për veprimtari të ndryshme miqësore të futbollit apo sportive të përbashkëta Shqipëri–Kosovë që janë të lejueshme. E shihni që deri dhe tani në këtë 2019 nuk ngjet ndonjë kësisoj, me përjashtim të ndeshjes së “pendesës” Kosovë–Shqipëri të para do kohe. Qoftë dhe një shkëmbim përvoje…

Tash Kosova e kampiones olimpike Majlinda Këlmendi ka përfaqësimin e vet. Madje, merr pjesë edhe në Kampionatin Europian e Botëror, edhe në Kupat e Europës me klubet. Ajo Kosovë që shkonte e barazonte 1-1 në Finlandë, për më tepër me një skuadër që e improvizonte brenda dy-tri ditëve, duke pritur deri dhe tri orë para ndeshjes lejen e FIFA-s për t’u pranuar bijtë e saj.

Ndërsa tash, në këtë vit 2019, ajo është krejt e bujshme: 1-1 me Malin e Zi në Podgoricë, por fitore 3-2 me Bullgarinë në Sofje. Ndeshje për “EURO 2020”. Dhe vetëm 1 pikë larg Anglisë dhe Republikës Çeke, me të cilat këto ditë do të ketë provën jetësore të fuqizimit të saj të pashembullt… E ndër ne këtu, gjithnjë sundon euforia, më saktë pseudoatdhetaria shqiptare e ekranit të vogël e një ksenomanie italofile krejt artificiale! Një herë ndodhi që përmbi një orë kjo lloj euforie të mbërrinte deri aty saqë promovimin, prezantimin apo paraqitjen, siç mund t’i thuhet në shqip, të librit të një trajneri të famshëm italian, që nuk ka të bëjë asesi me Shqipërinë, ta transmetonin përmbi një orë drejtpërsëdrejti pesë televizione njëkohësisht.

Turpet e injorancës “moderne” shqiptare. Bota mbarë nuk e kishte përjetuar ndonjëherë këtë rast. Nuk dimë që deri më sot në Palazzo Chigi në Romë të Italisë të jetë promovuar ndonjë libër i saj i Vittorio Pozzo-s, Enzo Bearzzott-it apo Marcelo Lippi-t. Ndoshta ky ishte dhe mësimi i historisë së euforisë së papërmbajtshme pseudoatdhetare në Shqipëri. Për fat të keq jo vetëm në futboll.

Ose në futboll më tepër prej FSHFistëve, të cilët të lidhur fort me këtë sigël shpalosin euforinë e vetëlavdërimit, e buzëqeshjes euforike të mbasfitores, e moskritikës kurrnjiherë, euforinë e lëvdatës së përjavshme, që shpalos e tkurr mendimin e baraspeshuar aq të domosdoshëm për përparimin. Kjo ishte euforia pseudoatdhetare e fuqishme shqiptare, që rrezikonte të mpakte e të denatyronte vetë meritën e çmueshme për arritjen e Shqipërisë në “EURO 2016”.

Dhe që nga ana tjetër, brenda pak ditëve e mbulonte me një perde harrese paraqitjen zhgënjyese të Shqipërisë në Lojërat e Olimpike të “Rio 2016”. Askush nuk bëzani… Më fort, e kam fjalën për llojin e euforisë pseudoatdhetare që ndërhynte pa mëshirë deri te Republika e Kosovës. Kjo ishte euforia e futbollit të Kombëtares që shtyp edhe atë që i thonë “disforia”, që është kuptimi i kundërt i euforisë. Është ekstremi tjetër. Mirëpo, ja që ndonjëherë njeriu ka nevojë edhe për “disforia”-n. Qoftë edhe me synimin e një baraspeshe për ta vlerësuar pa eufori fitoren po të çmueshme të Shqipërisë kundër Maqedonisë për Kampionatin Botëror, natyrisht si nënkuptim i një fillimi të bukur për një edicion të ri.

Edhe pse ndoshta parashikimet po të baraspeshuara thoshin se tash gjithçka do të ishte diçka tjetër… Çka do ta detyronte Shqipërinë t’u kthehej talenteve të tokës së saj të këtushme, Kampionatit të saj Kombëtar. Edhe ai vetvetiu i penguar, “i flakur tej” prej pseudoatdhetarisë në fjalë, kundër së cilës jemi. Qoftë dhe me synimin për të mos mbërritur deri te keqkuptimi i thënies poetike e filozofike të Ernest Koliqit: “Ândrra asht e bukur e s’dëshiroj me u zgjue”.

20 VJET PA HUMBUR 0- 3 NË SHQIPËRI!

Mandej, Liechtenstein–Shqipëri 0-2. Mbas saj Shqipëri–Spanjë 0- 2. Në thelb, të dyja krejt normale. Plot 20 vjet më parë nga ai vit 2016, të cilin po rikujtojmë këtu, më 11 tetor 1996, mbas humbjes 0-3 të prej Portugalisë në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” për Kupën e Botës, kam shkruar dhe botuar në “Sporti Shqiptar” që drejtoja, një nga editorialet më të pamëshirshme të viteve të mia gazetareske me titullin “Trajneri i Shqipërisë–Portugalia 0-3!”

Ajo ishte një humbje që vinte mbasi Shqipëria në kualifikimet e Kampionatit Europian 1996, si pjesëmarrëse e grupit të saj kishte zënë vendin e 5-të midis 6 skuadrave, po me aq pikë (8) sa dhe i fundit që ishte Uellsi. Ajo kishte fituar vetëm 2 ndeshje, duke barazuar po 2 dhe humbur plot 6 dhe me golavarazhin 10-16. E vërteta ishte se kjo paraqitje (N.Bajko) ishte ndër më të pranueshmet, si të thuash, ndër më të baraspeshuarat e Kombëtares në krejt historinë e kualifikimeve eurobotërore të saj. Mbi të qëndronin vetëm vitet 1984-‘86 për Kupën e Botës (Sh.Rreli) dhe ato 1970- ‘72 të Kupës së Europës (L.Boriçi). Ndonëse vendi i parafundit në një grup me 6 skuadra, nuk ishte asesi për lavdërim.

Ky edicion 1994- ‘96 ka qenë edicioni kur Shqipëria ka marrë 2 fitore për herë të parë në histori: 3-0 e 3-2 me Moldavinë, kjo e dyta e para e jashtë fushës, mbas të cilave ka ardhur një barazim mbresëlënës 1-1 me Bullgarinë e “Topit të Artë” Stoichkov, që asokohe ishte e 4- ta e Botës. Ndeshja me Portugalinë e të famshmit Figo, në të vërtetë ishte e para e edicionit të ri të Kupës së Botës që njihej si “USA 1998”. Dhe është vërtet e çuditshme se si ka qenë e mundur që Shqipëria nuk e ka pranuar asesi atë humbje. Gati-gati më dukej ashtu si dhe mospranimi i humbjes që sapo mbërrinte, ajo 0-3 me Izraelin e 12 nëntorit 2016. Ndërkaq, duke u kthyer prapë mbrapa, mbas mbarimit të ndeshjes 0-3 të 15 tetorit 1996 me Portugalinë, përmes një konference shtypi trajneri Neptun Bajko dorëhiqej nga Kombëtarja, për herë të parë në historinë “sociale” të saj përmes një stili publik tejet elegant.

Siç kam shkruar, editoriali ynë i rreptë, sa u pranua prej publikut po aq nuk u pranua nga trajneri Bajko. Mirëpo, gazetaria jonë ishte kaq e vendosur, saqë mbas një jave, më 18 tetor 1996, botoja integralisht, të përkthyer, shkrimin e famshëm të drejtorit të “Guerin Sportivo, Italo Cucci-t me titullin “Sacchi ik!” Si për t’i përngjâ sadopak rastit tonë. Ndonëse me shënimin “kërcënues”: “Natyrisht, askush nuk mendon se në Shqipëri ka një trajner të madh si Arrigo Sacchi”. Sidoqoftë, kur mbas nja 4 vjetëve do të botoja historinë “Libri i Kombëtares”, gjithçka e kam pa me një sy disi tjetër, më me baraspeshë, ndoshta edhe duke mos harruar sentencën e njohur që thotë se “historia shkruhet më vonë”…

Kështu apo ndryshe, në atë vit 2016 ishim në plot 20- vjetorin e humbjes më të thellë që kishte pësuar deri atë ditë Shqipëria në fushën e vet për kualifikimet eurobotërore, që ishte pra, ajo e 9 dhjetorit 1996 po 0-3, por me Portugalinë. Ndërkaq, 20 vjet mbas kësaj humbjeje vinte kjo tjetra, po 0-3, por me Izraelin. Çka do të thoshte jo me Portugalinë e sprovuar, e cila edhe “për psikologji fitimtare”, asokohe u shoqërua në Tiranë edhe me legjendarin Eusebio, prania e të cilit në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” nuk do t’i shpëtonte fotoreporterit Adnan Hyka. Interesantja ishte ndërkaq, se në këtë jubile të 20 vjetëve, përveç shifrave nuk gjeje asgjë të përbashkët midis ngjarjeve Portugali 1996 dhe kësaj Izrael 2016. Asokohe Shqipëria humbiste me një nga skuadrat më historike të kontinentit. Tash, mbas 20 vjetëve, Shqipëria humbiste 0-3 me një nga skuadrat më mesatare, madje nënmesatare të Europës, që ishte Izraeli…

MËSIMET “KUNDËRSHTUESE” TË HUMBJES ME IZRAELIN.

E asokohe humbiste një Shqipëri thuajse e mësuar me vendet e fundit e të parafundit në grup. Asokohe humbiste një Shqipëri thuajse e mësuar me vendet e fundit e të parafundit në grup. Mbas 20 vjetëve ajo që humbiste po asisoji ishte mû Shqipëria e bujshme, e cila para tre muajve kishte qenë midis 24 finalistëve të Kupës së Europës, madje e renditur e 18-ta në Europë.

Dhe mû përmes kësaj kundërshtie, ne po “e festonim” pra, 20-vjetorin e humbjes më të thellë të Shqipërisë në tokën e saj. Ndërkaq, dukej disi e papranueshme, teksa papritmas aty-këtu ndodheshim përballë disa justifikimeve të një pale, që me çdo kusht donte të mbronte një ndeshje që nuk mund të mbrohej assesi. E pra, nëse javë më parë mbas humbjes me Spanjën, në editorialin tim këtu në “Panorama Sport” e kisha titulluar: “Shqipëria nuk ka luajtur keq, por ka luajtur shumë keq”, tash, mbas humbjes me Izraelin, po më pëlqente të titulloja se: “Shqipëria nuk ka luajtur”.

Përrallat se luajtëm më mirë kur mbetëm me 9 apo 10 lojtarë, ishin vërtet përralla. Madje, përralla aspak tërheqëse, teksa këto ishin çastet e përpjekjes të një të dëshpëruari. Shqipëria e ndeshjes me Izraelin është dorëzuar qysh në 20 minutat e para, kur në fushë ishte me plot 11 lojtarë e Izraeli po me 11. E kujtoni sa ka qenë një 20- minutësh që nuk po kuptonim asgjë. Nuk po kuptonim se çka po kërkonte të prodhonte futbolli gati letargjik i Kombëtares, sulmi i saj i zvargur e pa asnjë befasi, teknika inferiore – madje përballë një Izraeli modest – një qetësi psikologjike apo vetëkënaqësi që sikur donte të na mbushte mendjen se fitorja ishte e siguruar pa dalë në fushën e lojës.

Shqipëria e ka dorëzuar ndeshjen qysh në 20 minutat e para kur ka qenë e barabartë me Izraelin, 11 me 11. Dhe vetëm kaq. Mandej dy 11-metërsha të saktë, dy nxjerrje të merituara lojtarësh jashtë, një 11- metërsh i pritur nga portieri Hoxha, por dy gola të tjerë dhe 3-0 pa bëza. Kishte ndodhur 3-0 si 20 vjet më parë, por me një ndryshim bazik: ajo ishte me Portugalinë e kjo ishte me Izraelin! Dhe mandej, prapë jo pak përpjekje justifikimesh të zakonshme prej një pjese të gazetarisë pranë FSHF-së e nga ana tjetër, ndoshta një “gëzim” i ndokujt tjetër. Sidoqoftë, në tanësi fillim i një sulmi ndaj trajnerit De Biasi, diku i egër, e diku i butë, diku naiv e diku i argumentuar, diku pa mëshirë, që ngjasonte si nën divizën e vitit 1996 të britmës së Italo Cucci-t: “Sacchi ik!”

Në thelb, pa shtjelluar edhe atë tjetrën, të kundërtën e revoltës, natyrisht edhe të drejtë, por që autorit të këtushëm i shfaqej (dhe jo vetëm atij) përmes nënkuptimit të këtyre tri fjalëve: “Të presim paksa”. E sa kishte punë trajneri këtu, po aq nuk kishte punë trajneri. Asnjë faj nuk mund të kishte trajneri në dy episodet e nxjerrjes jashtë të dy lojtarëve. Dhe as në dy episodet e blatimit prej mbrojtësve shqiptarë të dy 11-metërshave. Mendja të thoshte ndërkaq, se kësaj radhe faji ishte më kolektiv se kurrnjiherë. Natyrisht, me në krye trajnerin dhe titullarët e tij të fushës së blertë.

Deri aty madje, saqë unë për vete e kisha të vështirë të vendosja se cilin prej këtyre dy “protagonistëve”, trajnerin apo lojtarët, të vija në krye të Renditjes së Fajësisë. Duke u ngjitur në mbaskohë, edhe këtu më vinte të kujtoja e disi edhe të vëzhgoja. Po përfundonin ndeshjet e finaleve për Kupën e Botës “RUSSIA 2018” dhe prej 24 skuadrave finaliste të “FRANCË 2016”, ku pra kishte bërë pjesë edhe Shqipëria, afërsisht nja 10 a 11 prej tyre, madje me në krye Portugalinë kampione në fuqi e Europës, ndodheshin në ditë të vështira: Suedia, Hungaria, Irlanda e Veriut, Rep.Çeke, Uellsi, Austria, Rumania, Sllovakia, Islanda, Turqia. Madje, Rep.Çeke, Austria, Rumania, Turqia, ndodheshin në një situatë renditëse thuajse edhe më të vështirë se Shqipëria.

Çka vërtetonte se mbas turneve të arritjeve të bukura, shumë skuadra, sidomos ato të një rangu më poshtë se sipëroret e futbollit të sotëm, pësonin një lloj rënie. Kësisoj, sulmi shpesh i shfrenuar ndaj dështimit shqiptar prej Izraelit ia vlente të gjykohej disi më qetë. Po a mund ta përfshinim edhe Shqipërinë në këtë shkak të rënies, që mund të vinte mbas një arritjeje të bukur? Dhe tjetra: cili do të ishte fati i mëpasëm i trajnerit më të suksesshëm të Kombëtares së Shqipërisë, italianit “fatmadh” me emrin Gianni de Biasi?… Kur duke u kthyer paksa tek e sotmja, natyrisht nuk mund të marrim kurrsesi me mend fatin e një italiani tjetër, ndoshta më me emër, i quajtur Eduardo Reja, i cili më 7 shtator 2019 do të ketë provimin ndoshta më të madh të jetës së tij. Është Francë–Shqipëri! Kundër së cilës një herë, bashkatdhetari i tij Gianni de Biasi, kishte fituar 1-0!…

* Për vazhdimësi shih Kapitujt I, II, III, IV, V, VI, VII, VIII, IX, X, XI në “Panorama Sport” të 27 qershor, 13 korrik, 4 shtator, 10 nëntor 2017 dhe 23 mars, 1 qershor, 5 shtator, 16 nëntor, 12 dhjetor 2018, 19 mars, 5 qershor 2019.

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"