Slovan Bratislava, ndaj Partizanit me përforcime nga Europiani

Panorama Sport | Gazeta me e shitur sportive ne vend

Postuar: Qershor 28, 2016 | 12:30

Slovan Bratislava, ndaj Partizanit me përforcime nga Europiani

Sllovakët kanë udhëtuar drejt Elbasanit për ta fituar përballjen e parë me Partizanin, edhe pse e pranojnë që nuk do jetë një sfidë të lehtë. Ashtu si disa ditë më parë, edhe në konferencën e djeshme për shtyp, tekniku qipriot i Slovan Bratislavës, Niki Papavasiliou, u shpreh se Partizani ka një tifozëri të zjarrtë në ndeshjet në shtëpi dhe kanë filluar të interesohen për këtë kundërshtar që në momentin kur u hodh shorti.

B1lRcCOUQuDGvOYzen1W5A-Nikki-Papavasiliou-SK-Slovan-Bratislava-trener-tlacovka-Slovensky-pohar-Slovnaft-Cup-apr16

“Sapo u hodh shorti, filluam të interesoheshim për ekipin e Partizanit, sidomos për sfidat që kanë pasur në shtëpi. Kanë një skuadër të fortë me lojtarë të përgatitur dhe një publik shumë të zjarrtë. Ne jemi përgatitur maksimalisht për këtë ndeshje dhe për të dyja ekipet është ndeshja e parë për këtë sezon dhe është e rëndësishme. Ndoshta ndeshja e parë në fushë të huaj na avantazhon, por gjithsesi nuk është se ka ndonjë ndryshim të madh”, u shpreh tekniku qipriot i Slovan Bratislavës.

De Kamps

Ndërsa mesfushori Joeri De Kamps u shpreh se do të kërkojnë fitoren që në ndeshjen e parë, për ta pasur më të lehtë më pas edhe kalimin e turit. “Këtë ndeshje jemi përgatitur për ta fituar dhe shpresoj që në fund të marrim fitoren. Nuk do të jetë një ndeshje e lehtë, por ne do të japim maksimumin tonë. Nuk njoh asnjë lojtar të Partizanit në veçanti, por e di që kanë një skuadër me shumë lojtarë të mirë dhe duhet të tregojmë kujdes. Gjithsesi, në fund do ta tregojë fusha, por ne do bëjmë punën tonë”, përfundoi mesfushori.

Slovan Bratislavës i vijnë edhe tre legjionarët e Europianit

Eliminimi i Sllovakisë dhe i Hungarisë të dielën nga Kampionati Europian në Francë ka ardhur si “dhuratë” për trajnerin e Slovan Bratislavës, Niki Papavasiliou. Jan Muça dhe Kornel Salata kanë qenë në Europian me Kombëtaren e Sllovakisë, por nuk u aktivizuan, ndërsa Tamas Priskin ka luajtur me Hungarinë në këtë kompeticion. Pas kthimit në Sllovaki, Jan Muça dhe Kornel Salata kanë udhëtuar dje me ekipin, ndërsa sulmuesi i kombëtares hungareze do t’i bashkohet Slovanit në Shqipëri. Tani mbetet për të parë nëse trajneri do t’i aktivizojë sot këta tre lojtarë ndaj Partizanit. Skuadra sllovake është akomoduar në kryeqytet, por seancën e fundit e kreu dje, në orën 18:00, në “Elbasan Arena”.

Vladimir Mema






www.minuta90.com