“Skuadra s’duhet të pyes për fushat, të luaj me personalitet”. Memushi: Flamurtari duhet të ndryshojë marshin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 9, 2024 | 13:34

“Skuadra s’duhet të pyes për fushat, të luaj me personalitet”. Memushi: Flamurtari duhet të ndryshojë marshin

Eqerem Memushi paralajmëron se Flamurtarin e presin ndeshje të vështira dhe vendimtare. Trajneri vlonjat kërkon nga skuadra që të luajë në ndeshje, çfarë ushtron në stërvitje. Për “Panorama Sport”, Memushi thotë se ndihet i keqardhur që skuadra nuk shënon, pavarësisht se prodhon shumë.

EQEREM-MEMUSHI

Të premten nis malorja e parë për kuqezinjtë në ndeshjen që luhet në transfertë. Vorën e cilëson një kundërshtar direkt, me të cilin mund të përballen në “play off”. Me Tomorin mendon se fitorja duhet të ishte më e bukur, duke ardhur me lojë bindëse. “Fitorja në shtëpi është detyrim. Skuadra duhet të dëgjojë këshillat e mia. Tani ne duhet që të ndërrojmë marshin. Na vijnë ndeshje shumë të forta. Shtrëngohet situata dhe përpara kemi takime shumë të vështira. Janë pesë takime të tjera që të jemi gati për “play off”-in. Sidomos tre të radhës i kemi me skuadra që quhen pretendente.

Dy të parat në klasifikim janë afër kapjes së Superiores. Kemi një takim delikat me Vorën, një kundërshtar direkt me të cilin mund të përplasemi edhe në “play off”. Unë mendoj se në ndeshjen e fundit me Tomorin, fitorja duhet të ishte e bukur, e pastër, me lojë. Nëse luan bukur dhe pastër të vjen vetë edhe thellësia e golave. Ne gjendemi te porta dhe…Kemi dy muaj që vetëm gjuajmë në portë. Vijmë tek ato që kemi bërë në stërvitje, por nuk arrijmë dot që të shënojmë. Është për të ardhur keq”, shprehet fillimisht Memushi.

PROBLEMATIKA – Trajneri Eqerem Memushi thotë se skuadra shpërdoron shumë. Nga lojtarët kërkon që të luajnë thjesht dhe të kapin kundërshtarin në befasi. Memushi thekson se skuadra nuk duhet që të luajë në zonë të ngushtë, pasi kështu rrezikon jo pak. “Shpërdorojmë shumë në ndeshje. Ju e shikoni vetë që shpërdorojmë pa masë dhe kjo gjë nuk është aspak e mirë. Duhet të luajmë thjeshtë. Skuadra duhet të luajë shpejt dhe befasishëm. Duhet të heqim njëherë e mirë dorë nga mbajtja e topit. Gjithashtu duhet të heqim dorë nga loja në zonë të ngushtë. Kështu ne e rrezikojmë skuadrën”, thotë trajneri vlonjat.

KËSHILLA – Eqerem Memushi ka edhe një thirrje për tifozët që e thotë hapur, se duhet ta lexojnë mirë dhe me vëmendje. Trajneri kërkon një skuadër me karakter dhe të bindur. “Djemtë duhet ta dëgjojnë dhe lexojnë këtë thirrje që unë po bëj. Ju kërkoj drejtpërdrejt që skuadra të jetë më me karakter. Duhet të jetë një skuadër e bindur, më me mentalitet. Nuk ka fushë për ne. Për një skuadër si Flamurtari, sinqerisht e them që nuk ka fushë. Duhet që të luajë njësojë e barabartë. Nuk duhet që të ndiejë presionin e saj. Duhet të jetë me personalitet në fushë. Ne i kemi të gjitha mundësitë për të luajtur me personalitet”, përfundon Memushi.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"