Skënderbeu pret fitoren ndaj Teutës, Nikaj: Momenti për kthesën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 10, 2023 | 17:01

Skënderbeu pret fitoren ndaj Teutës, Nikaj: Momenti për kthesën

Skënderbeu është gati për të marrë maksimumin në ndeshjen e radhës në kampionat kundër Teutës, që do të luhet të shtunën në orën 17:00 në stadiumin e Korçës. Fitorja mungon prej pesë javësh në kampin bardhekuq dhe për sulmuesin 21-vjeçar, Ardit Nikaj, ka ardhur momenti që skuadra të marrë tri pikë.

Nikaj

“U bënë pesë javë që nuk kemi fituar dhe ky duhet të jetë momenti ynë i kthesës. Në këto 5 javë kemi bërë ndeshje të mira, por kemi pasur edhe luhatje. Megjithatë, nëse ndalemi te ndeshja e fundit me Tiranën, mund të them se kemi pasur shumë raste për të fituar ndeshjen. Ndoshta me pak kujdes dhe me më shumë fat mund t’ia kishim dalë. E them këtë, pasi nuk ka qenë fati në krahun tonë dhe kjo na ka penalizuar disi. Kemi punuar mirë gjatë këtyre ditëve dhe besoj se ndaj Teutës do të bëjmë një tjetër ndeshje të mirë për të dalë me pikët e plota”, ka thënë fillimisht Nikaj për “Panorama Sport”.

Më pas ai është ndalur te kundërshtari.

“Teuta është një ekip i fortë dhe ka cilësi, kështu që duhet të tregohemi të kujdesshëm. E kemi analizuar me qetësi ndeshjen e tyre të fundit dhe kemi parë se cilat janë ato pika ku mund ta godasim. Na pret një ndeshje delikate dhe në këtë moment, një fitore do të ishte si 6 pikë për ne”.

KAMPIONATI – Ky sezon dukshëm që ka një rivalitet të shtuar dhe këtë e tregon më së miri diferenca e vogël mes ekipeve në renditje. Nikaj e vlerëson diçka të tillë, por kërkon më shumë kujdes, pasi dy ndeshje të gabuara mund të të komplikojnë situatën përsa i përket klasifikimit.

“Këtë vit është një kampionat shumë i fortë dhe mund të them se diferencat mes ekipeve janë të vogla. Kjo tregohet edhe nga afërsia që kanë skuadrat në renditje. Janë shumë pak pikë diferencë nga vendi i fundit deri në vendin e katërt. Kjo është një thikë me dy presa për cilëndo skuadër. Një fitore të ngjit, por edhe një humbje të zhyt në renditje. Në këto kushte, duhet të tregohemi të kujdesshëm dhe të shmangim hapat falsë. Është shumë e rëndësishme kjo dhe mesa shoh, kjo është pika më delikate e sezonit, pasi është momenti kur ekipet mund të fillojnë të ndahen dhe mos jenë kaq të ngjeshura me pikë”, përfundoi prononcimin për gazetën sulmuesi shkodran i Skënderbeut.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"