Skënderbeu kërkon 3 pikët, Gvozdenoviç: E mposhtim Teutën, luajmë si me Tiranën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 11, 2023 | 10:00

Skënderbeu kërkon 3 pikët, Gvozdenoviç: E mposhtim Teutën, luajmë si me Tiranën

“Ndeshja me Teutën është e vështirë, por duhet të fitojmë”. Kështu është shprehur trajneri i Skënderbeut, Ivan Gvozdenoviç, në daljen e djeshme për mediat, në prag të ndeshjes që do të luhet sot në orën 17:00 në stadiumin e Korçës. Duke parë diferencat e ngushta mes ekipeve në renditje, Gvozdenoviç nuk sheh rezultat tjetër, përveç fitores. Sipas trajnerit, ndeshja me Tiranën, ku barazuan 1-1, ka qenë nga më të mirat e Skënderbeut dhe skuadra duhet të vazhdojë të bëjë të njëjtën gjë edhe ndaj Teutës, që në fazën e parë i mundi në Durrës.

GVOZDENOVIC

Ivan, si e prisni ndeshjen me Teutën?

Patjetër që pres një ndeshje të vështirë, pasi edhe situata jonë nuk është fort e mirë. Në pesë ndeshjet e fundit, dy pikë të marra është shumë pak për ne, ndaj edhe kjo e vështirëson më shumë. Gjithsesi, kemi gjithë javën që punojmë për këtë takim dhe mendojmë vetëm për tri pikët. Na duhet të bëjmë një ndeshje të mirë. Ky është mendimi i klubit, stafit dhe lojtarëve.

Çfarë ju shqetëson më tepër në prag të këtij takimi dhe cilët janë lojtarët që mungojnë?

Deri tani kemi mungesën e Shaqes dhe Uçes, që nuk do të jenë në këtë ndeshje për shkak dëmtimi. Këto mungesa i kemi të sigurta, por kemi edhe një dilemë sa i përket gjendjes së Liços. Lojtari ka pasur një gjendje virale mbrëmjen e djeshme (të enjten), por për fat të mirë nuk ka temperaturë dhe presim të shohim se si do të jetë në momentin e fundit, për të vendosur më pas nëse do të luajë apo jo nga fillimi.

Këto mungesa ju detyrojnë të ndryshoni rreshtimin ndaj Teutës?

Mund të them se po, sepse për hir të së vërtetës do të na diktojnë disa ndryshime në formacion. Patjetër që do të kërkojmë zgjidhjen më të mirë. Kemi disa opsione për të zbritur në fushë ndaj Teutës, por gjithçka do ta vendosim pas stërvitjes së fundit.

Pas ndeshjes me Tiranën keni qëndruar gjatë me dy sulmuesit Rashica dhe Nikaj. Çfarë keni diskutuar me ta?

Nuk është se kemi diskutuar ndonjë gjë të veçantë. U ndalëm më shumë për të qetësuar lojtarët pas shpërdorimeve të rasteve të shumta, sidomos në pjesën e parë ndaj Tiranës. U thashë që të mos shkojnë shumë shpejt para portës, por të tregohen oportunistë. Natyrisht që duhet t’i qetësoja dhe të ishin gati për ndeshjen e radhës.

Loja me Tiranën u përqendrua te topat e gjatë. Përse kjo zgjedhje?

Kishim përqendruar lojën në disa momente te topi i gjatë, pasi kundërshtari bënte presion lart dhe kishim mundësi ta godisnim me shpejtësi. Por kjo ndodhi vetëm në momente të caktuara, jo në të gjithë ndeshjen.

Diferenca shumë e ngushtë me kundërshtarin, a ju ve nën presion për të marrë me çdo kusht fitoren?

Nuk kemi frikë apo presion. Jemi të gjitha ekipet shumë pranë me pikë. Ne shikojmë vetëm veten tonë dhe mendojmë të bëjmë mirë në çdo ndeshje. Duhet të bëjmë maksimumin në fushë dhe një lojë të bukur, siç e bëmë ndaj Tiranës.

Tre lojtarë janë grumbulluar me Kombëtaren U21. Ju gëzon ky fakt?

Patjetër që jam i lumtur për të tre lojtarët. Rashica, Nikaj dhe Pecani janë lojtarë të rinj dhe me shumë perspektivë. Kjo eksperiencë i bën më të fortë dhe më të pjekur. Jam i lumtur për ta, pasi është një aventurë që do t’i rrisë si futbollistë.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"