Skënderbeu i gjithi në sulm për të mposhtur Erzenin, Gërço: Sfidë shumë e rëndësishme për objektivin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 27, 2024 | 10:50

Skënderbeu i gjithi në sulm për të mposhtur Erzenin, Gërço: Sfidë shumë e rëndësishme për objektivin

Skënderbeu sulmues në fushë për ndeshjen e sotme kundër Erzenit, e vlefshme për javën e 33-të të kampionatit. Stafi bardhekuq ka mbyllur dje përgatitjet në prag të këtij takimi dhe ideja është për një lojë me theks sulmues, me qëllimin e vetëm për të mos humbur asnjë pikë.

Gërço

Duke u nisur nga fitorja e fundit në Kukës dhe fakti që kjo ndeshje ka rëndësi maksimale për të siguruar matematikisht qëndrimin në Superiore, stafi korçar është i vendosur për ta mposhtur me çdo kushte Erzenin. Trajneri Ivan Gvozdenoviç ka menduar që Skënderbeu të zbresë në fushë me rreshtimin 4-3-3 për t’i diktuar lojën e vet kundërshtarit dhe për të ushtruar presing ultraofensiv, siç quhet në gjuhën e futbollit.

Në provën e fundit për formacionin, ai e nisi me Marko Alian në portë, ndërsa përpara tij me një katërshe të përbërë nga Vangjeli në krahun e djathtë dhe Gërço në krahun e majtë, kurse në qendër dyshja Prençi-Randi. Para mbrojtjes do të luajë Mario Rabiu, një lojtar që ka një peshë kryesore sa i përket balancimit të dy fazave të lojës, duke i dhënë frymëmarrje ekipit si në fazën e zotërimit të topit, ashtu edhe kur korçarët duhet të mbrohen. Pak më të avancuar do të jenë Juri dhe kapiteni Dean Liço, të cilët do të kujdesen më së shumti për pasin e fundit dhe për të ndërtuar aksionet sulmuese të të luajnë nga minuta e parë Nikaj dhe Rashica nga krahët, si dhe Ivan Xhantu në majë. Me këtë formacion pritet që Skënderbeu të kërkojë fitoren e radhës sot ndaj Erzenit.

GËRÇO – Një ndeshje që duhet fituar me çdo kusht. Kështu e cilëson Andrea Gërço, një nga titullarët e Skënderbeut, përballjen e sotme ndaj Erzenit në kampionat. Për mbrojtësin bardhekuq është një nga ndeshjet më të rëndësishme, ndaj dhe përqendrimi duhet të jetë maksimal.

“Luajmë për mendimin tim ndeshjen më të rëndësishme të kampionatit për të mbyllur llogaritë e qëndrimit në elitën e futbollit shqiptar. Është një ndeshje e vështirë, sepse Erzeni kërkon pikët e veta për mbijetesë. Ne do të mendojmë vetëm për rrugëtimin tonë, për ambiciet tona. Duam të bëjmë maksimumin në fushë për të dalë me tri pikë nga ky takim, në mënyrë që të jemi më të qetë pastaj për javët e mbetura”, ka thënë për “Panorama Sport” mbrojtësi i Skënderbeut, Andrea Gërço. Bilanci i ndeshjeve me shijakasit është tepër pozitiv për korçarët, me 3 fitore.

sk erz

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"