“S’kemi fantazi, derbi treni i fundit”, Pioli zbulon objektivat e Milanit për fazën e dytë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 25, 2022 | 20:20

“S’kemi fantazi, derbi treni i fundit”, Pioli zbulon objektivat e Milanit për fazën e dytë

Lojtarëve u ka dhënë dy ditë pushim, por vetë nuk ndalet dot. E kërkon puna, ekipi e sidomos renditja. Pas humbjes me Specian dhe barazimin me Juven, kryesuesit zikaltër po tentojnë arratinë dhe Stefano Piolit ky fakt nuk i pëlqen.

PIOLI 1

Trajneri i “Djallit” nuk pranon të dorëzohet siç e ka treguar gjatë intervistës së dhënë dje për televizionin e klubit.

Mendoni se arsyeja kryesore e këtij momenti është mungesa e fantazisë?

Mbase, por kundër Juves provova të spostoj disi më në qendër Mesiasin në mënyrë që të kombinonte me Brahimin.

Ndeshjet, sidoqoftë, nuk fitohen aq lehtë dhe duhet të jemi më të kthjellët. Nuk mund të lejojmë që të na kushtëzojnë faktorë të tjerë, e megjithatë e di që nuk është e lehtë. Është e vërtetë që fitohet duke luajtur si skuadër, por është aq e vërtetë se nevojiten edhe prova force nga individët. Kjo nuk ka munguar.

Pra, nuk mendoni se ju mungojnë golat?

Patjetër, sepse e thotë rezultati. Prova e djemve ishte serioze dhe ne fituam shumë duele. Humbëm hapin e fundit, disi për shkak të fushës. Është një rezultat pjesërisht pozitiv sepse nuk ishte ai që donim.

Patë ndonjë reagim nga ekipi pas humbjes me Specian?

Absolutisht që po. Luajtëm kundër një kundërshtari të frikshëm dhe krijuam shumë raste potencialisht të rrezikshme, por u përhumbëm në çastet vendimtare.

Milani ndërton raste, por nuk i shfrytëzon ato…

Skuadrës nuk i mungon guximi, por thjesht nuk arrin të bëjë zgjedhjen e duhur në kohën e duhur. Fatkeqësisht me këtë fushë, e cila nuk duhet të jetë alibi, na është dashur gjithmonë të bëjmë një pasim më tepër.

Ku duhet të përmirësohet kjo skuadër?

Në disa tranzicione gabuam në zgjedhjen përfundimtare, ndonjëherë e mbanim topin shumë dhe nuk ishim shumë të kthjellët. Në pjesën e dytë nuk donim të tërhiqeshim, por është e qartë se nuk mund të rendim gjithmonë në një mijë në orë. Faza e mbrojtjes u zhvillua mirë. Tani le të mendojmë për ndeshjen e radhës që do të na tregojë shumë për të ardhmen tonë.

Sa mund t’ju ndihmojë kjo ndalesë?

Do të pushojmë nja dy ditë, pastaj do të kthehemi në punë duke pritur të kuptojmë se kur do të luajmë derbin.

A mund të jetë gati për atë takim Tomori?

Do të jetë e vështirë për ta parë në fushë për derbin.

Nëse Ibra u dëmtua, Rebiçi a po jep sinjal rikthimi në formë?

Anten kisha ndër mend ta hidhja në fushë më herë, më pas zëvendësimi i Zlatanit hoqi një mundësi. Mendoj se është më mirë, ndaj sa më shumë të luajë aq më shpejt mund të futet në ritëm. Do të jetë sërish i rëndësishëm, pavarësisht nëse do të luajë në qendër apo i spostuar në korsi.

Përgatiti: REINOLD BAKALLI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"