“Skaneri” i ish-mbrojtësit, Bicaj: Flamurtarin e vërtetë do ta shohim në… dhjetor

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 26, 2023 | 16:21

“Skaneri” i ish-mbrojtësit, Bicaj: Flamurtarin e vërtetë do ta shohim në… dhjetor

Ditmar Bicaj e sheh Flamurtarin në rrugën e duhur, por nuk flet me siguri për ngjitjen. Ish-mbrojtësi mendon se ekipin e vërtetë do ta shohim në dhjetor, pasi të kenë kaluar edhe disa pengesa. E ka bindur paraqitja përballë Elbasanit dhe “kyçe” për vazhdimësinë quan dy transfertat e radhës.

Bicaj

I quan malore ndeshjet në Burrel dhe Peshkopi, nuk dyshon te pikët e plota. Gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport”, lezhjani tregon edhe shkaqet që e çuan drejt mbylljes së karrierës si futbollist. Pas 17 vitesh po planifikon që të marrë një tjetër drejtim….

U kthyet në Vlorë dhe patë Flamurtari-Elbasani, si u ndjetë? 

Erdha në stadium pas tre apo katër muajsh dhe normalisht që u ndjeva shumë mirë. Kujtime, ndërkohë takova dhe shokët. Më vjen shumë mirë që Flamurtari fitoi me Elbasanin, një rival direkt.

E prisnit që do të fitonte Flamurtari?

Unë e kam thënë edhe më parë, që Flamurtari do të vijë në ngritje. Dhe kjo është logjike për një ekip që i ikin 14 lojtarë. Tri javët e para shkuan si shkuan, por në pesë të fundit kanë qenë super. Kanë marrë 13 pikë. Fitorja me Elbasanin i futi në rrugë të mbarë.

Dy ndeshje në transfertë, si i shikoni?

Nuk janë të lehta, si në Burrel dhe Peshkopi. Janë dy fusha të vështira. Kundërshtari i Flamurtarit momentalisht është vetvetja. Nëse futen me kokën ulur për të fituar ndeshjen, nuk do të diskutojë asnjë kundërshtar. Teknikisht kanë cilësi dhe dyshoj që do të ndalen.

Meqenëse Flamurtarin e shihni si pretendent, mund të radhisni pas rivalët?

Rivali i vetëm është Flamurtari. Kanë potencial dhe janë superior do të thosha. Shpresoj që kjo armë e fortë që ka Flamurtari, ta shfrytëzojnë në maksimum dhe të dalë njëherë e mirë nga kjo kategori. Por nuk mund të mos përmendim Elbasanin dhe Apoloninë. Këta të fundit i shoh shumë të organizuar me stafin spanjoll. Po bëjnë lojëra shumë të bukura. Nuk është rastësi vendi i dytë për ta.

Ngjitet kjo skuadër në elitë?

Ngjitja nuk mund të themi që është e sigurt. Kërkon seriozitet, bashkëpunim mes lojtarëve dhe bashkëpunim mes stafin teknik dhe ekipit. Nëse vazhdojnë mekëtë ritëm, nuk do ta diskutojë elitën. Këtë e besoj fort, me gjithë pengesat që mund të ketë. Por një ekip duket kur pëson një dhe dy disfata. Flamurtarin e vërtetë besoj se do ta shikojmë gjatë muajit nëntor dhe dhjetor.

E keni lënë futbollin tashmë, por ku e shikoni të ardhmen?

E ardhmja ime është gjithmonë futbolli. Pas 17 vitesh karrierë hoqa dorë përfundimisht. Dëmtimi që pata ishte i një grade të rëndë dhe isha i kushtëzuar që të tërhiqesha. Por, dua të jem pjesë e futbollit tashmë si drejtues. Normalisht te Flamurtari kam marrëdhënie shumë të mira me presidentin. Po ashtu edhe me qytetin, me tifozërinë. Nuk janë pak katër vite në Vlorë. Më kanë respektuar, ndoshta dhe një detyrë në rolin e drejtorit apo edhe menaxherit të klubit, pse jo.

ERMAL SIKA -PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"