“S’kam koment për debatin Kushta-Idrizi, por na riktheni stemën”, Gjika: Flamurtari të bëhet cinik, se gjykimin e ka… kundër

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 8, 2023 | 14:54

“S’kam koment për debatin Kushta-Idrizi, por na riktheni stemën”, Gjika: Flamurtari të bëhet cinik, se gjykimin e ka… kundër

Flamurtari fitoi në Peshkopi, por pati ankesa për gjykimin. Emiljano Çela shfryu pas ndeshjes, duke reklamuar një penallti të padhënë. Në të njëjtën linjë me trajnerin duket se është edhe Shpëtim Gjika. Ish-presidenti mendon se kjo tendencë nuk do të mbyllet këtu, por do të vijojë dhe sidomos në transferta. Gjatë një deklarate të dhënë enkas për “Panorama Sport” ish-numri një i Bashkisë Vlorë, analizoi edhe paraqitjen e kuqezinjve në 90-minutëshin e fundit.

GJIKAAAA

Vlerësoi lojën dhe mbi të gjitha ndryshimet taktike të bëra nga trajneri Emiljano Çela. “Flamurtari mori një fitore të rëndësishme, në një transfertë të vështirë. Skuadra bëri paraqitje të mirë. Vlerësoi çdo fraksion të ndeshjes dhe u luftua për çdo top. Përgëzoj zgjedhjen taktike të trajnerit, i cili e kishte zhvendosur Ramadanin në mesfushë. Vetëm aty e ka vendin, sepse i jep ekuilibër ekipit dhe ndërlidh shumë cilësisht dy repartet. Për këtë ndeshje u them një bravo të madhe djemve dhe stafit teknik. Ishte një fitore e merituar. Një trepikësh me shumë vlerë në këtë fazë të kampionatit, që i ndihmon në objektivin madhor që skuadra ka. Unë uroj vetëm që të kemi vazhdimësi dhe kam bindjen se kështu do të ndodhë”, shprehet fillimisht Gjika.

GJYKIMI Teksa u ndal te gjykimi, e thotë troç se ka pasur një tendencë në ndeshjet me Burrelin, por edhe me Korabin. Ka frikë se kështu do të vijojë përgjatë gjithë kampionatit, sidomos në transferta. Megjithatë, ish-presidenti e ka edhe një këshillë për skuadrën. “Me keqardhje them se gjykimin e kemi kundër. Kështu ndodhi në Burrel, por edhe me Korabin. Për fat të keq mendoj se edhe në vazhdim do të jetë e njëjta tendencë dhe sidomos në transferta. Do të jetë kundër nesh. Në këtë situatë mendoj se e vetmja zgjidhje është të shënojmë gol dhe të kontrollojmë lojën duke qenë sa më cinikë dhe altruistë. Në ndeshjen me dibranët na munguan këto dy cilësi. Duhet të kishim goditur sërish kundërshtarin dhe ‘vrarë’ përfundimisht ndeshjen. Vetëm kështu nuk ka ‘gjykim’ që na dëmton”, deklaron ishkryebashkiaku.

VAZHDIMËSIA Beson se pas fitores me Korabin, Flamurtari do të ketë vazhdimësi. Sipas ishnumrit një të klubit, tri pikët e radhës duhet të arkivohen edhe me Tomorin. “Shpresoj dhe besoj që skuadra e ka shtuar rrugën e kthesës. Pas kësaj fitorejeje të marrë me Korabin, skuadra do të ketë vazhdimësi. Patjetër që nuk duhet të ndalemi këtu. Na duhet fitore edhe kundër Tomorit, por edhe në të gjitha javët pasuese. Besoj se kështu do të ndodhë”, përfundoi Gjika.

KUSHTA-IDRIZI

“Nuk kam koment për debatin, por na riktheni… stemën”

Ishte gjykimi që ndezi një debat të fortë në Vlorë. Pak ditë më parë u ankua administratorit Sinan Idrizi për tendencën e FSHFsë dhe kërkoi që të kishte reagim për këtë pjesë nga figura që kanë një lloj ndikimi në qytet. Teksa fliste përmendi pikërisht Sokol Kushtën. Këtij të fundit nuk i pëlqeu kjo pjesë dhe iu përvesh në “Facebook”, gjë që solli një kundërpërgjigje të fortë nga numri një i klubit kuqezi. Shpëtim Gjika e ka ndjekur patjetër këtë diskutim, e megjithatë nuk ka preferuar që ta komentojë. Teksa u pyet nga gazeta për këtë temë, ai shkurtimisht tha” “Nuk kam koment”. Si për të ndërruar temë përmendi kërkesën e tij të përhershme. Sa herë i vjen mundësia, e përsërit dhe përjashtim nuk bëri as deklarata që dha dje. “Na riktheni stemën”, me këtë thirrje e mbylli ish-presidenti.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"