S’ka panik për portierin te Besëlidhja, trajneri Bruka: Kemi ende shanse për “play-off”-in

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 12, 2022 | 22:41

S’ka panik për portierin te Besëlidhja, trajneri Bruka: Kemi ende shanse për “play-off”-in

Asnjë panik për Englis Kodrën. Portieri u dëmtua në të 66-ën minutë dhe u ndërrua. Vend për panik nuk ka, ndonëse një shqetësim në kavilje e ka. Dje ai e bëri pushim dhe sot do të shihet gjendja e gardianit 22-vjeçar. Nëse do të ndiejë dhimbje, në fundjavë titullar do ta nisë Kodra tjetër, Marvini.

BRUKA BESELIDHJA

ANALIZA – Besëlidhja u ndal pas 5 fitoresh me radhë. U mundën në Pukë, ndonëse shanset për të marrë pikë i kishin. Ishte një gol nga 20 metra i Armaldo Mezinit që i ndëshkoi 4 minuta para fundit dhe zbehu shpresat për zonën “play off”. Tashmë i janë larguar me 6 pikë vendit të gjashtë, e megjithatë në Lezhë nuk kanë në plan të dorëzohen. Kur kanë mbetur edhe 4 javë deri në finish dhe në lojë janë 12 pikë, do të luajnë gjithçka për gjithçka.

Ka qenë vetë Alban Bruka i cili është munduar të mobilizojë grupin gjatë analizës që u zhvillua dje. Këtë fundjavë luajnë me Tomorin dhe është shansi i artë për të realizuar e shumëdëshiruar, për të qenë në garë për ngjitjen. “Me formën që ka ekipi, në Pukë duhet të merrnim minimalisht një barazim. Rezistuam deri në fund pa pësuar, por harruam një detaj: ndeshja mbyllet kur vërshëllen arbitri. Këto janë të papriturat që të ofron futbolli… Pjesën e parë, loja u zhvillua disi e tërhequr çka uli agresivitetin para portës kundërshtare.

Ky gabim u korrigjua në pjesën e dytë, por nuk u shfrytëzuan rastet, çka bëri që të pësonim në fund dhe po nuk shënove, do të pësosh. Goli ishte aksidental, por ka vlerën e 3 pikëve ndaj duhet shumë kujdes. Në rezultat më shumë ndikon marzhi i gabimeve sesa epërsia e ekipeve, pasi të gjithë luajnë futboll. Gabimet e së shkuarës nuk zhbëhen, por do të na shërbejnë si mësim për ndeshjet e ardhshme.

Tani keni katër javë për të luajtur dhe i kemi shpallur si finale. Sa të na lejojë matematika, do të luftojmë për zonën ‘play off’. Nëse ju do të jepni maksimumin, jam i sigurt që mund t’i marrim 12 pikët që kanë mbetur në lojë dhe kapim shansin për të tentuar ngjitjen”, me këto fjalë u është drejtuar trajneri të tijve.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"