“S’jam dakord kur thonë që ky është një kampionat i lodhur”, trajneri i Dinamos: Jam shpallur kampion në Bregun e Fildishtë, në futboll fiton ai që…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 10, 2021 | 21:04

“S’jam dakord kur thonë që ky është një kampionat i lodhur”, trajneri i Dinamos: Jam shpallur kampion në Bregun e Fildishtë, në futboll fiton ai që…

Ish-futbollisti i Interi, Romës dhe Napolit në Serinë A, Françesko Moriero, mori drejtimin e Dinamos, disa ditë më parë, duke zëvendësuar Kamaratën e larguar drejt Apolonisë.

Moreiro

Në një rrëfim special për “RTSH”, 51-vjeçari ka folur për aventurën e tij të re, teksa është shprehur i kënaqur me grupin e lojtarëve dhe atmosferën që ka gjetur në klubin dinamovit.

“Kam 12 vjet që e bëj këtë punë. Kam patur vetëm 2 përvoja jashtë Italisë, një në Bregun e Fildishtë ku kam fituar kampionatin dhe një te Lugano në Zvicër. Këto kanë qenë 2 përvojat e mija. Kjo në Shqipëri është një përvojë e rëndësishme ku dua të bëj mirë. Kjo më ndihmon të rritem, sepse njoh një kulturë të re, lojtarë të rinj, një tjetër lloj futbolli. Për bagazhin teknik të një trajneri, kjo është e rëndësishme. Kam gjetur një skuadër që ka dëshirë të punojë.

Grup të shkëlqyer si teknikisht, ashtu edhe për sa i përket karakterit. U kam shpjeguar se jam këtu për të vazhduar punën në rrugën që kam nisur dhe për të shtuar diçka më tepër, që është vizioni im për futbolli. Jam unë që duhet të përshtatem sa më shpejt, për të pasuruar bagazhin teknik. Unë jam në dispozicion të lojtarëve.

Kam parë disa ndeshje, është një futboll fizik në të cilin vrapohet shumë. Luhet një për një dhe për këtë është një futboll i ndryshëm. Ne jemi gati, ka dhe skuadra të tjera të mira. Nuk jam dakord kur thonë që ky është një kampionat i lodhur, se sipas meje këtu ka lojtarë të mirë, duhet të përballemi me përkushtim dhe përultësi. Të përballesh me 100% tënd.

Unë jam i lumtur me lojtarët që kam. Di që presidenti dhe klubi po shohin rrotull për ta përmirësuar këtë grup. Edhe nëse kjo nuk ndodh, jam i kënaqur, djemtë më kanë dëshmuar dëshirë të madhe. Nuk duhet të harrojnë atë që kanë bërë, por pjesa tjetër do të jetë e vështirë. Në futboll fiton ai që vrapon dhe lufton më tepër në fushën e blertë”, u shpreh italiani.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"