Situata te Flamurtari, Idrizi kërkesë skuadrës: Puna e Çelës për t’u admiruar, por dua fitore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 24, 2023 | 9:20

Situata te Flamurtari, Idrizi kërkesë skuadrës: Puna e Çelës për t’u admiruar, por dua fitore

Kanë tri javë që nuk fitojnë, ndaj kthesa bëhet domosdoshmëri te Flamurtari. Sot në orën 16:00 presin Vorën në shtëpi dhe llogaritë bëhen vetëm me pikët e plota. Sot në mëngjes do të zhvillojnë një mbledhje me administratorin, i cili do t’u bëj të qartë lojtarëve dhe trajnerit objektivin.

SINAN IDRIZI

Këtë e paralajmëron vetë Sinan Idrizi, gjatë një prononcimi të dhënë për “Panorama Sport”: “Po kthehem nga Amerika, por ndeshjen nuk do ta humbas. Tani jam në Turqi dhe mendoj se do të vij në kohë, që të mbledh ekipin para javës së 4- t. Do të bëj një ‘agjitacion dhe propagandë’.

Do të thoni ju, çfarë pres unë nga Flamurtari?! Le të mos flasim më për kthesa, tatëpjeta, malore, zbritje dhe ngjitje. Nuk është punë kthese kjo. Unë dua vetëm që ata të japin dhe marrin më të mirën. Kjo është ajo që dua unë, klubi dhe tifozët e Vlorës. Nuk zgjidhet kjo punë më me falje apo ndjesë.

Thjeshtë lë të marrin përgjegjësi të gjithë, nga trajneri, nga stafi, nga lojtarët, të gjithë bashkë. Unë do t’i takoj nesër (sot) lojtarët që në mëngjes, jo për të bërë ‘agjitatorin’. Dua që t’u rikujtoj, se kush është Flamurtari. Se ndoshta nuk e kanë akoma të qartë”.

PËR STAFIN – Me Vorën kërkon fitoren dhe këtë pjesë nuk e negocion, e megjithatë nuk i kursen fjalët e mira për punën e stafit teknik.

“Të mos jepemi pas një shtylle dhe një goli. Unë e vlerësoj njeriun nga përkushtimi që shfaq. Do të thuash ti që punët kanë edhe derivatet e tyre. Patjetër që kështu është. Janë gjëra që duhet të koordinohen. Puna e trajnerëve dhe stafit është për t’u admiruar sidoqoftë, rezultate tani duhet të shkojnë bashkë”, shprehet administratori.

PËR MEMUSHIN – Idrizi vlerëson prononcimin e Eqerem Memushit në “Panorama Sport”. Kreu i klubit thotë se opinioni i ish-trajnerit është skaneri më i mirë që i bëhet Flamurtarit në këtë situatë që po kalon.

“Në sentencë të këtyre që kanë ndodhur te Flamurtari, Eqerem Memushit i kishte bërë skanerin më të mirë. Opinion perfekt i profesor ‘Qeremit’”, përfundon Idrizi.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"