“SINDROMA”/ Teuta sheh “makthe” me golat në fund, mungojnë 6 pikë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 13, 2023 | 14:12

“SINDROMA”/ Teuta sheh “makthe” me golat në fund, mungojnë 6 pikë

Teuta preket sërish nga “sindroma” e golave në fund. Edhe në ndeshjen e djeshme ndaj Egnatias, e vlefshme për javën e 16- të, tregoi se minutat e fundit për skuadrën blu janë një “makth”. Pavarësisht lojës së mirë dhe superioritetit ndaj kundërshtarit, është e pashpjegueshme se si skuadra dorëzohet në fund dhe pëson gola, duke i hequr vetes fitoret nga duart.

teuta

Gjithçka nisi ndaj Laçit në Durrës, kur ndeshja ishte në favor të Teutës deri në minutën e 90-të kur barazohet gjithçka. E njëjta situatë ndodhi edhe ndaj Partizanit një javë më parë. Takimi i së hënës në Durrës ishte mbërthyer në shifrat 1-1 deri në minutën e 6-të shtesë, kur blutë arritën të shënonin me një penallti të shndërruar në gol nga Karabeci. Në fund ndodhi ajo që bëhet çdo ditë e më tepër e pashpjegueshme. Pëson në 10 sekondat e fundit dhe merr barazimin e radhës. Ç’është më e dhimbshme, është fakti se golat e pësuar karakterizohen nga një naivitet dhe papërgjegjshmëri e ekipit. Në këto tri ndeshje, kur është shfaqur “sëmundja” e vjetër, Teuta ka humbur 6 pikë, duke marrë vetëm tri të tilla.

Këtë problem pas ndeshjes me Egnatian e vuri në dukje edhe trajneri Martini. “Karakteri duhet më i fortë, u futëm të gjithë brenda, por nuk luftuam as për topin e parë dhe as për topin e dytë. Më vjen keq që të pësosh atë gol në fund është e pafalshme”, tha tekniku shkodran. Përveç kësaj, akoma më të dhimbshme situatën te Teuta e bën fakti se durrsakët numërojnë plot 8 ndeshje pa fituar. Durrsakët prej javësh janë “zhytur” në vendin e fundit dhe duket sikur mekanizmat e ekipit durrsak kanë ngecur dhe asgjë nuk po shkon si duhet.

Trajneri Edi Martini ka menduar të bëjë lëvizje në skuadër për ndryshimin e situatës, duke nisur nga ndeshjet me Erzenin në kampionat. Në këtë përballje, nisur nga paraqitjet e secilit lojtar në ndeshjen e fundit, pritet të ketë ndryshime në 11-shen startuese dhe në rreshtimin e skuadrës. Teuta ka ngecur dhe i duhet një tjetër “impuls” për ta ringritur. Vjet durrsakët ishin në një situatë të ngjashme dhe reaguan, teksa mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë në këtë situatë të sivjetshme.

ZAMIR QYPI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"