Shtubina shpëton Vllazninë nga humbja, barazim në ekstrem ndaj Luftëtarit (Video)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 10, 2017 | 16:43

Shtubina shpëton Vllazninë nga humbja, barazim në ekstrem ndaj Luftëtarit (Video)

Një gol i kapitenit Shtubina në minutat shtesë të ndeshjes i ka siguruar të paktën një pikë Vllaznisë që dukej e dorëzuar përballë Luftëtarin në luftën për vendin e katërt. Dueli mes dy ekipeve që synojnë të sigurojnë Europën nëpërmjet këtij pozicioni në renditje kishte folur thuajse i gjithi në favor të gjirokastritëve.

Edhe pse shkodranët shënuan të parët me anë të Bakajt pas një penalltie të diskutueshme, golat e Bojom dhe Rexhinaldos i kishin dhënë një avantazh mëse të merituar ekipit gjirokastrit që po përgatitej të mbyllte ndeshjen me fitoren dhe vendi n  katërt thuajse të sigurt për javët e mbetura të Superiores.

Por një diagonale e Shtubinës në shtesën e takimit arriti t’i siguronte Vllaznisë një pikë me barazimin 2-2 duke e mbajtur në garë për Europën, e për më tepër duke evituar që skuadra shkodrane të përfshihej në mënyrë të rrezikshme në luftën për mbijetesë.

vllaznia gol

MINUTË PAS MINUTE

90’+3’ Mbyllet ndeshja në Shkodër.

90’+3’ Shtubina realizon me një gjuajtje diagonale që kalon portierin Miraka duke barazuar shifrat 2-2.

90′ Katër minuta shtesë në Shkodër.

86’ Hebaj provon të shënojë me një gjuajtje nga jashtë zonës, megjithatë nuk gjen kuadratin.

83’ Priten sulme të Vllaznisë, por është Luftëtari që kundërsulmon gjithmonë rrezikshëm nga krahët.

78’ Abazaj zbret me shpejtësi në krahun e djathtë dhe pastaj tenton të gjuajë por topi përfundon në krahun tjetër te Bregu. Edhe ky i fundit nuk koordinohet siç duhet, me sferën që përfundon jashtë pa rrezikuar Selimajn.

70’ Duke parë hapësirat që ka filluar të lërë Vllaznia në prapavijë, Milinkoviç bën lëvizjen e radhës, duke hedhur në fushë Dejvi Bregun, për të shfrytëzuar shpejtësinë e tij në krahun e majtë, ndërsa Lamçja lë fushën e lojës duke çaluar..

62’ Rexhinaldo i vjedh topin pranë zonës dhe me një pasim ët shpejtë nxjerr Abazajn të vetëm para portës kundërshtare, por gjuajtja e sulmuesit përfundon jashtë, ngjitur me shtyllën pingule të Selimajt.

55’ Cungu hedh në fushë edhe Hebajn, i cili pas pak minutash i afrohet golit me një kthesë të shpejtë. Zgjohen shkodranët që tashmë hidhen në sulm në kërkim të barazimit.

50’ Kros nga Rroca brenda zonës së rreptësisë së Vllaznisë ku Rexhinaldo nuk fal para portës, duke kaluar në avantazh Luftëtarin 1-2.

46’ Lëviz menjëherë Cungu, duke larguar nga fusha sulmuesin Kalaja për të aktivizuar Gocajn.

46′ Rifillon ndeshja në Shkodër.

45’+1′ Mbyllet pjesa e parë. 

44’ Aksion i insistuar i Luftëtarit që fillimisht pretendon për 11-metërsh, e më pas arrin të barazojë shifrat me Bojom. Pas një harkimi nga krahu i djathtë, mbrojtësi i dalë në ndihmë të sulmit, arrin të shtyjë topin në rrjetë duke iu shmangur pozicionit jashtë loje 1-1.

34′ Penallti për Vllaznisë. Në një goditje nga këndi për skuadrën shkodrane, Liçaj ndërhyn në mënyrë të gabuar kundër Tafilit dhe gjyqtari Sino sinjalizon penallti. Nga pika e bardhë godet Bakaj i cili nuk gabon, 1-0 për Vllazninë.

33′ Goditje dënimi ballore e shkëlqyer e Bakajt, po aq e bukur edhe ndërhyrja e Mirakës i cili grushton topin në goditje nga këndi.

28’ Tjetër goditje standarde dhe tjetër rrezik në portën e Vllaznisë, por Rexhinaldo nuk arrin të kthejë sferën në rrjetë edhe pse në pozicion mjaft të favorshëm.

18’ Vazhdon të sulmojë Luftëtari, me ndeshjen e vendosur plotësisht në gjysmëfushën e Vllaznisë. Lamçja provon me një gjuajtje të bukur në hyrje të zonës, por nuk ka shënjestrën e duhur për të shqetësuar Selimajn pasi sfera përfundon mbi traversë.

10′ Kundërsulm i shpejtë i Vllaznisë që gjen të papërgatitur mbrojtjen kundërshtare. Kalaja shfaqet i vetëm para Mirakës por gabon gjithcka në finalizim duke dërguar topin mbi traversë.

3’ Tjetër kërcënim në portën e Vllaznisë. Në një goditje dënimi të harkuar nga e djathta e sulmit, Bojom gjendet i vetëm në mes të mbrojtjes shkodrane, por gjuajtja e tij me kokë kalon shumë mbi traversë.

1’ Pak sekonda i janë dashur skuadrës së Luftëtarit për të rrezikuar portën e Vllaznisë me Abazajn i cili gjuajti me kokë në pozicion qendror, por Selimaj devijoi duke shpëtuar katërkëndorin e tij nga një gol i sigurt.

1′ Fillon ndeshja në Shkodër me goditjen nga qendra të Rexhinaldos..

Vllaznia-Luftëtari 2-2
34′ (p) Bakaj, 90’+3′ Shtubina / 44′ Bojom, 50′ Rexhinaldo

Vllaznia: Selimaj, Gurishta, Vrapi, Pjeshka, Shtubina, Tafili, Krymi (52′ Hebaj), Kruja (63′ Mulemo), Çinari, Kalaja (46′ Gocaj), Bakaj
Trajner: Armando Cungu

Luftëtari: Miraka, Liçaj, Beqiri, Bojom, Rapa. Aleksi, Ramadani (74′ Rapo), Rroca, Abazaj (90’+3′ Brahimaj), Lamçja (70′ Bregu), Rexhinaldo
Trajner: Mladen Milinkoviç

KV: Bakaj, Gurishta, Tafili, Vrapi / Liçaj, Beqiri, Rapa, Lamçja

Gjyqtar: Emirjon Sino

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"