“Shpikje” në Vlorë, testime surprizë për lojtarët, nis faza e parë e “skarcimeve”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 28, 2015 | 17:12

“Shpikje” në Vlorë, testime surprizë për lojtarët, nis faza e parë e “skarcimeve”

Flamurtari-123Nis faza e parë e “skarcimeve” te Flamurtari. Drejtuesit e klubit kanë urdhëruar trajnerin Ramela të testojë fizikisht të gjithë futbollistët. Dështimi në merkaton së dimrit me afrimin e lojtarëve pa gjendje, por edhe mungesa e formës që janë duke paraqitur aktualisht, ka bërë që të merren në testim të gjithë lojtarët.

Nuk bëhet fjalë vetëm për ata që kanë ardhur në janar, por për të gjithë kontingjentin. Krerët e klubit i kanë kërkuar italianit dhe përgatitësit atletik, Milaneze, një raport të detajuar për situatën fizike të çdo futbollisti. E thënë ndryshe, ata kërkojnë një raport të plotë dhe nëse lojtarët nuk i kapin parametrat, largimi do të jetë i sigurt.

Përgatitja fizike, e cila ka lënë për të dëshiruar për lojtarët në javët e fundit, kanë detyruar drejtuesit e klubit të vendosin në lëvizje stafin teknik, i cili ka nisur testimin e lojtarëve. Kjo “shpikje” ka nisur dje paradite në fushën sportive në Pyllin e Sodës, ndërsa pritet që të vazhdojë për disa ditë. Vrapimet, 3200- at, ushtrimet e tjera fizike dhe atletike, përfshi edhe aerobinë, janë pjesë e këtij testi, të cilit po u nënshtrohen të gjithë futbollistët.

Masat dhe vlerësimi Ernestino Ramelës dhe stafit teknik u është lënë detyrë që të përgatisin dosje të veçanta për çdo lojtar. Burime pranë klubit vlonjat thanë për “Panorama Sport” se çdo lojtar do të ketë dosje. Që nga dje ka nisur pikërisht edhe vlerësimi për secilin prej tyre fillimisht për gjendjen fizike dhe se sa ata i kapin normat. Italiani është parë dje gjatë stërvitjes me laps dhe bllok në dorë, ku ka mbajtur shënim gjithçka sa i përket paraqitjes fizike të lojtarëve. Ramela do të krijojë një dosje të veçantë për të gjithë lojtarët, që nga ushtrimet fizike, testet mjekësore, por edhe për minutat e aktivizimit dhe çfarë ka dhënë në fushë nga nisja e kësaj faze dhe për ndeshjet në vazhdim, me qëllim që në fund të dilet me një raport përfundimtar.

Do të jetë pikërisht kjo dosje që do të përcaktojë të ardhmen e lojtarëve në Vlorë. Secila nga kërkesat e testit do të vlerësohet me pikë dhe në fund do të dalin edhe notat përfundimtare, të cilat sipas burimeve do të jenë të prera, ose kaluese, ose mbetëse.

Reagimi i lojtarëve Por, testi i nisur në Vlorë nuk është kaluar në heshtje nga lojtarët. Edhe pse nën zë, pjesa më e madhe e tyre shprehen kundër një iniciative të tillë, pasi siç thonë kjo është një kohë e papërshtatshme dhe nuk mund të bësh prova të tilla në këtë periudhë. Në ambientet e klubit, nuk kanë munguar as batutat me njëri-tjetrin për këtë testim, që cilësohet absurd. “Ne i kemi bërë këto ushtrime disa herë qysh në fillim. Këto bëhen në fazën përgatitore dhe jo tani kur kampionati po përfundon. Për çfarë na duhen tani në fund të sezonit kur ne do të marrim valixhet?!”, janë shprehur lojtarët.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"