Shpërthen Kukësi, përmbys Flamurtarin. Starova në delir: I mposhtëm pa mesfushë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 23, 2014 | 14:01

Shpërthen Kukësi, përmbys Flamurtarin. Starova në delir: I mposhtëm pa mesfushë

KukesiKUKËSI-FLAMURTARI 3-2
GOLAT: Shameti 50′, Hysa 72′, Cikalleshi 82’/ G.Lika 42′, Abilaliaj 85′
KUKËSI: Halili, Smajli, Brahja, Malota (Uçe 67′), Hallaçi, Shameti, Progni, Hoxha, Izuçuku (Cikalleshi 46′), Hysa, Boja (Dikanoviç 75′). Trajner: Sulejman Starova
FLAMURTARI: Moçka, Mici, Kuqi, Veliu, Begaj, Pepa (Qejvani 77′) Telushi, Lena (Shehaj 83′), Lika, Zeqiri, Abilaliaj. Trajner: Ernest Gjoka
KARTONË TË VERDHË: Hoxha 8′, Halili 70’/ Mici 8′, Lena 37′, Begaj 50′
DELEGAT: Petrit Brahja (Tiranë)
VËZHGUES: Prek Pjetrushi (Lezhë)
GJYQTARET: L.Jemini, E.Barushi, N.Bregasi (Tiranë)

MINUTAT
17′ Goditje dënimi për Flamurtarin në një pozicion diagonal. Gilman Lika kroson direkt në zonë dhe aty Abilaliaj devijon topin drejt portës, por është Halili që bën mrekullinë, duke grushtuar në korne dhe evituar një gol të sigurt.
37′ Goditje dënimi për Kukësin në një distancë prej 20 metrash nga porta. Boja pason shkurt për Prognin, i cili gjuan me të djathtën dhe Moçka grushton, teksa topi shkon në këmbët e Hoxhës, që fare afër portës gabon duke goditur jashtë.
40′ Hallaçi kroson në zonë, duke gjetur të lirë Shametin, i cili gjuan afër portës, por Kuqi i ndodhur në vijën fatale shpëton Flamurtarin nga një gol i sigurt.
42′ Zeqiri arrin të lirohet bukur në afërsi të zonës dhe më pas shërben shkurt për Gilman Likën, i cili në një pozicion ballor gjuan fuqishëm me të majtën, duke realizuar një supergol, teksa topi përfundon në trekëndësh, 0-1 për Flamurtarin.
50′ Goditje këndi për Kukësin. Hoxha kroson në zonë dhe aty Shameti kërcen me kokë mbi të tjerët dhe topi fillimisht përplaset në traversë e më pas kalon vijën fatale. Gjyqtari Jemini për një moment heziton, por sinjalizimi i anësorit Barushi vulos gjithçka, 1-1.
59′ Lena tenton nga jashtë zone, por Halili i thotë “jo” golit.
72′ Sulmuesi Boja fiton një dyluftim me Kuqin në qendër të zonës mike, e më pas lëshon një predhë me të djathtën, teksa topi i devijuar nga Moçka përplaset në traversë. Hysa ndjek aksionin dhe pasi fiton duelin me Begajn, shtyn topin me gjoks në rrjetë, 2-1 për Kukësin.
82′ Cikalleshi kërkon të driblojë Veliun brenda zone, por kap në kundërkohë mbrojtësin vlonjat, i cili ndërhyn në mënyrë të gabuar. Gjyqtari Jemini akordon 11-metërsh dhe nga pika e bardhë është vetë sulmuesi kavajas që shënon, dhe 3-1 për Kukësin.
85′ Goditje nga këndi për Flamurtarin. Gilman Lika kroson në zonë dhe aty Abilaliaj kërcen fuqishëm me kokë, duke fituar dyluftimin ajror me Prognin dhe tundur rrjetën, 3-2.

Kukësi shpërthen ndaj Flamurtarit, duke regjistruar fitoren e parë për vitin 2014. Skuadra e drejtuar nga Sulejman Starova duhet të kishte përballë vlonjatët, që të shpaloste vlerat më të mira pas tri rezultateve jo bindëse në këtë fillim të pjesës së dytë të kampionatit. Supergoli i Gilman Likës për kuqezinjtë në fundin e pjesës së parë u sfumua nga ai i Shametit, Hysës dhe Cikalleshit në 45 minutat e dyta. Një triumf 3- 2 me përmbysje dhe Kukësi feston me daulle e valle pas një mërzie jo të shkurtër. Skuadrës dhe tifozëve iu është rikthyer besimi pas ndeshjes së djeshme, por vlen për t’u theksuar se vlonjatët i dhanë bukuri, pasi bënë një paraqitje të mirë në stadiumin “Zeqir Ymeri”. Starova, edhe pse me mungesa të shumta, diti ta administronte rezultatin me grupin që kishte në dispozicion. Flamurtari i Ernest Gjokës prodhoi lojë, por gaboi jo pak në mbrojtje.
Pjesa e parë – Kukësi dhe Flamurtari e nisin takimin me mungesa të shumta në formacion. Si kurrë më parë, kapiteni Progni luan në rolin e një mesfushori qendre. Nga ana tjetër, te Flamurtari në krahun e djathtë të mbrojtjes aktivizohej Mici, një lojtar që zakonisht luan në të majtë të këtij reparti. Loja nis me dy goditje këndi radhazi për vlonjatët, por që thyhen lehtë nga mbrojtja kuksiane. Më pas veriorët nisin të organizohen. Progni dhe Hallaçi furnizojnë jo pak me topa sulmuesit Hysa e Boja. Nga një goditje dënimi Kukësi për pak sa kalon në avantazh, teksa fillimisht është Moçka që grushton topin pas gjuajtjes së Prognit, më pas Hoxha gabon afër portës. Nuk kalojnë shumë minuta dhe është Smajli që rrezikon. Rasti më i mirë për Kukësin vjen afër fundit të pjesës së parë, kur një krosim i bukur në zonë i Hallaçit gjen të lirë Shametin, i cili gjuan, por topi ndalet nga mbrojtja vlonjate. Në momentin më të mirë veriorët ndëshkohen. Një zbritje e Flamurtarit finalizohet me një gjuajtje spektakolare nga jashtë zone e Likës, që i kalon në avantazh miqtë, duke bërë të pavlefshme hedhjen e portierit Halili. Me fitoren 0-1 të vlonjatëve u mbyllën 45 minutat e para.
Pjesa e dytë – Loja rinis me një Kukës të karikuar. Duke mos u pajtuar me rezultatin, Starova bën ndryshimin e parë, teksa hedh në fushë Cikalleshin dhe largon Izuçukun, ku ky i fundit tregoi një formë jo të mirë. Nuk kalojnë as pesë minuta dhe stadiumi shpërthen si vullkan. Shameti shfrytëzon krosimin e Hoxhës në zonë dhe me një goditje të bukur me kokë barazon rezultatin. Fillimisht u mendua se topi nuk kishte kaluar vijën fatale, por gjyqtari sinjalizoi për gol. Pas pësimit, Flamurtari nis të sulmojë dhe të organizohet mirë për gati 10 minuta. Lena dhe Abilaliaj tentojnë të shënojnë, por portieri Halili është i sigurt në ndërhyrjet tij. Loja bëhet e bukur, me sulme e kundërsulme, teksa në një prej tyre, sulmuesi Boja lëviz mirë brenda zone, gjuan dhe pas prekjes së traversës, topi i kthehet si asist Hysës, që me portën bosh nuk e ka të vështirë të shënojë. Përmbysja e rezultatit kalon në delir kuksianët, të cilët pas 10 minutash arrijnë të shënojnë sërish, këtë herë nga pika e bardhë e penalltisë. Një pengim në zonë i Cikalleshit nga Veliu bën që gjyqtari të akordojë 11-metërsh. Nga ky i fundit godet saktë Cikalleshi, por ndeshja rihapet sërish pas një goditjeje nga këndi të Flamurtarit, ku Abilaliaj me kokë shënon një gol të bukur. Fundi i lojës ka shumë ankth te vendësit, por gjithsesi ata arrijnë të ruajnë rezultatin, duke merituar fitoren 3-2.

MË I MIRI
Te Kukësi ranë në sy disa lojtarë, të cilët shfaqën një formë të mirë në takimin ndaj Flamurtarit. Halili në portë, Hallaçi në mbrojtje, Shameti në mesfushë dhe veçanërisht Boja në sulm ishin ata që spikatën. Te Flamurtari u dalluan Abilaliaj, Lika dhe Zeqiri.

MË PAK AKTIVI
Mbrojtja e Flamurtarit ishte në një ditë të errët, pasi Kuqi dhe Veliu gabuan jo pak. Jashtë forme ishte edhe Pepa në rolin e mesfushorit të krahut. Nga ana tjetër, te Kukësi paraqitje të dobët bëri nigeriani Izuçuku, i cili u zëvendësua nga trajneri Starova.

starovaStarova: I mposhtëm pa mesfushë
Sulejman Starova ësh të shfaqur dje më i ekzaltuar se kurrë. Trajneri i Kukësit ka shijuar fitoren e parë nën drejtimin e skuadrës, teksa pas çdo goli ka qenë e pamundur të përmbahej nga festa. Në konferencën për shtyp pas ndeshjes, ndër të tjera “Bobi” deklaroi se skuadra sfidoi mungesat e shumta në mesfushë. Allmuça, Musolli dhe Uçe nuk ishin të gatshëm si pasojë e dëmtimeve, edhe pse ky i fundit sakrifikoi në pjesën e dytë. Starova vendosi në qendër të mesfushës Prognin, i cili dihet që është lojtar krahu, ndërsa edhe Shameti, që luajti si mesfushor shkatërrues, pozicionin natyral e ka qendërmbrojtës. “Ishte një fitore e merituar dhe e vështirë, por njëkohësisht një provë e madhe e karakterit të lojtarëve tanë, të cilët nga 1-0 e përmbysën rezultatin në 3-1. Kemi zhvilluar një pjesë të parë shumë të mirë, gjatë së cilës krijuam katër raste të pastra për shënim. U ndëshkuam nga një supergol i Likës, por ditëm të reagonim. Goli doli shpejt në pjesën e dytë dhe kjo na ndihmoi jo pak. Dukej se kishim përballë një Flamurtar me mungesa, por nuk duhet të harrojmë që ne kemi qenë thuajse pa gjithë mesfushën. Kemi pasur mungesa në këtë ndeshje, që u munduam t’i mbanim të fshehta, por që mediat bënë punën e vet. Nuk ishin Allmuça dhe Musolli, ndërsa Progni luajti në qendër, duke bërë një ndeshje të madhe. Bëmë disa gabime, diktuar nga shpërqendrimi që sjell alarmi për të përmbysur rezultatin. Kjo fitore është me shumë vlera, pasi rrit besimin e skuadrës. Është një kampionat i fortë dhe sfida që kaluam me Flamurtarin i jep shumë vlera fitores sonë”, – është shprehur Starova. Në fund, i pyetur për imazhin e tij, teksa këtë herë është parë me mustaqe, “Bobi” u përgjigj me batutë: “Janë për shkak të gripit, por po i lë edhe pak për shans”. Ndërkohë, marrjen e ekipit në këtë moment, Starova e konsideroi si të logjikshme, pasi sipas tij, nëse do të ndodhte e kundërta, atëherë trajneri mendon se do kishte treguar mungesë karakteri.

tirana-flamurtari 0-2, Gjoka ne stolGjoka: Meritonim barazimin, Flamurtari im nuk rrezikon
Trajneri i Flamurtarit, Ernest Gjoka, natyrshëm që është i zhgënjyer pas rezultatit 3-2 në Kukës. Në konferencën për shtyp pas ndeshjes, ai deklaroi ndër të tjera se skuadra e tij meritonte të paktën një pikë nga kjo transfertë. “E dinim që do të ishte një ndeshje e vështirë, por e kishim përgatitur për të dhënë gjithçka që të mos dilnim pa pikë. Mendoj se në pjesën e parë luajtëm mirë, duke e goditur Kukësin në momentet që gjetëm hapësira. Në pjesën e dytë patëm probleme me goditjet standarde dhe duhet të ishim treguar pak më shumë luftarakë. Megjithatë, ajo çka mund të them është që ne sot (dje) kemi prodhuar lojë dhe guxuar shumë, edhe pse ishim në një transfertë të vështirë. Por, ne duhet të jemi të qetë për të menaxhuar shumë situata, pasi edhe futbolli i tillë është, sidomos në transferta, kur bëhet më i vështirë. Mendoj se pak a shumë barazimi do të ishte rezultati më i drejtë i këtij takimi. Rezerva e vetme për ekipin tim është që të paktën duhet të merrnin një pikë. Gjithsesi, ne i kemi mundësitë dhe potencialet për të ecur përpara. Ky Flamurtar nuk rrezikon nga rënia, pasi ka forca të rikthehet dhe të ngjitet më lart. Po punojmë shumë dhe po sakrifikojmë që ky Flamurtar të ringrihet dhe të rikuperojë pikët që po lë rrugës”, – u shpreh fillimisht Gjoka. Ndërkohë, sa u përket objektivave, trajneri nuk pranoi që ky Flamurtar synon Europën, edhe pse pas fazës përgatitore në Turqi në kampin vlonjat ishin të bindur se ky objektiv mund të arrihej. “Unë nuk kam thënë që synojmë Europën, por duam që të jemi në elitën e futbollit shqiptar. Me këtë nënkuptoj një renditje nga vendi i parë deri në të gjashtin. Unë besoj te skuadra dhe e përsëris që do të rikthehemi shpejt”. Ndërkohë, në prononcimin pas ndeshjes për “Supersport”, Gjoka u shfaq i nervozuar, çka hasi edhe në kundërshtimin e ish-futbollistit të Kombëtares shqiptare, Ervin Fakaj.

Arbër Abilaliaj përfundon në spital
Sulmuesi i Flamurtarit, Arbër Abilaliaj, pas ndeshjes së djeshme është dërguar me urgjencë në spitalin e qytetit të Kukësit. Nga sa mësohet, futbollisti vlonjat pati probleme në stomak, të shoqëruara me të vjella. Gjithsesi, pas marrjes së mjekimit, lojtari iu bashkua skuadrës dhe udhëtoi drejt Vlorës. Dje sulmuesi ka zhvilluar një ndeshje për t’u admiruar, teksa arriti të shënojë edhe golin e dytë në minutën e 85-të, pas një goditjeje të bukur me kokë brenda zonës. Edhe gjatë pjesës së parë ai iu afrua golit, por mrekullia e portierit Halilaj bëri që Kukësi të mos pësonte. Problemet pas ndeshjes nuk ishin shqetësuese, por gjithsesi menjëherë lojtari mori mjekim në spitalin e Kukësit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"