“Shoh disa konkurrente të denja, bonusi i Besës është… përvoja”, Bizhdili: “Fola” 2 muaj, tani radha e lojtarëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 11, 2021 | 11:14

“Shoh disa konkurrente të denja, bonusi i Besës është… përvoja”, Bizhdili: “Fola” 2 muaj, tani radha e lojtarëve

Besa është lodhur në inferiore. U bënë kohë që i mungon elitës, ndaj presidenti këtë vit ndryshoi strategji: shtoi përvojë në organikë. Prej dy muajsh është përqendruar në merkato, por nga sot vjen radha e lojtarëve. Kësaj i mëshon edhe Nexhat Bizdhili, gjatë deklaratës së dhënë enkas për “Panorama Sport”. Mesazhin ia dha edhe ekipit gjatë stërvitjes finale, para përballjes me Turbinën.

Bizhdili-2

“Fola me lojtarët, siç bëj gjithnjë. U interesova për gjendjen e tyre dhe qartësova pritshmëritë e mia. Gjatë merkatos u mundova të bëja maksimumin, duke bindur e afruar futbollistë që kishin mjaft oferta edhe nga klubet e tjera. Pasi u pasqyrova projektin tim, ja ku janë. Sot kam ndërtuar këtë grup. U kujdesa të akomodohen në kushte komode e të mos u mungojë asgjë, pasi dua që të përqendrohen vetëm te stërvitja. U kam ‘folur’ gjatë 2 muajve për të ndërtuar këtë grup, tani është detyra e lojtarëve t’ia shpërblejnë Besës në fushën e lojës. Shumica kanë përvojë e janë profesionistë, ndaj i dinë detyrat e tyre”, tha fillimisht numri një i klubit.

OBJEKTIVI – Besa ka riformatuar këtë sezon grupin më të mirë të viteve të fundit, por presidenti kërkon ta marrë më shtuar. “Besimi dhe optimizmi mbeten një ndër ‘armët’ kryesore në këtë garë. E megjithatë, përvoja më ka treguar se rrugëtimi ka plot pengesa. Diku terreni, diku gjykimi e diku mungesat janë gjëra që duhen vlerësuar javë pas jave nga stafi e futbollistët. Kur më pyetët se çfarë kam folur me lojtarët, ua kam bërë të qartë se çdo fushë ku do luajmë do jetë e vështirë.

Sikurse ne, edhe ekipet e tjera me të drejtë kanë ambiciet e tyre. Ka ikur koha kur në grup kishte ekipe të dobëta, tani nuk ka më të tilla dhe kushdo mund të të ndëshkojë. Pa cituar emra, dua të shtoj se shoh disa konkurrente të denja këtë sezon. Për të gjitha këto kërkohet që grupi të jetë me këmbë në tokë e të përgatisë veçmas çdo javë. Vërtet e kemi mundur Turbinën në miqësore, por kampionati është histori tjetër”, tha Bizhdili.

TIFOZËT – Ai bën edhe një njoftim për tifozët. “E di se janë qindra tifozë, mezi presin të mbushin stadiumin. I falënderoj pa masë, por përpara Besës vjen shëndeti i tyre. Nisur nga shtimi i infektimeve në zonën tonë, kemi vendosur që ndeshjen ta luajmë pa spektatorë. Duke u kërkuar falje, i siguroj se në javët në vijim do të kenë kënaqësinë të festojnë së bashku fitoret tona”, ka përfunduar presidenti.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"