Shënoi ndaj Tomorit, Podrimcaku: Flamurtari ka kualitet, e arrin objektivin madhor

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 10, 2024 | 13:19

Shënoi ndaj Tomorit, Podrimcaku: Flamurtari ka kualitet, e arrin objektivin madhor

Arton Podrimcaku e bëri sefte, ndërsa shënoi golin e parë me Flamurtarin në ndeshjen me Tomorin. Mbrojtësi i majtë, që luan edhe në mesfushë erdhi në Vlorë nga Suedia në merkaton e janarit, thotë se ndihet shumë mirë.

podrimcaku flamurtari

Kosovari nuk ka pasur minuta të shumta, por sa herë është aktivizuar ka bërë mirë. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Podrimcaku thekson se Flamurtari ka brenda futbollistë cilësorë që nuk i druhet as skuadrave të Superiores.

Arton, ju u bashkuat me ekipin në janar dhe kundër Tomorit shënuat golin e parë me Flamurtarin. Si ndiheni?

Ndihem mirë në Vlorë. Falënderoj presidentin që më bëri pjesë të Flamurtarit. Më kanë pritur shumë mirë. Jam i respektuar nga trajnerët e lojtarët. Qyteti është shumë i bukur, ndihem mirë në Vlorë.

Me Tomorin ishte e lehtë, apo ekipet e vogla të krijojnë probleme?

Të gjitha ndeshjet shkojmë me mendimin për të fituar. Në këtë fazë trepikëshi është detyrim për ne. Me Tomorin duhej të fitohej patjetër. Për mua ishte një ndeshje e mirë. Normalisht që ka gjëra që duhet të bënim më mirë. Duhet punë, harmoni dhe të luash mirë. Jemi të kënaqur se kemi marrë një rezultat pozitiv.

Grinta e trajnerit Memushi në stërvitje dhe ndeshje, ju mobilizon më tepër, ju jep qetësi apo ka tension?

E dimë kualitetin që ka ekipi, por ka shumë punë. Nuk vjen fitorja vetëm ashtu… Ka shumë punë dhe duhet të japim maksimumin në fushë.

Në mesfushë ku ju luani, ka mbipopullim. Si e shikoni konkurrencën?

Konkurrenca të ndihmon të ecësh përpara. Kemi lojtarë me kualitet të lartë.

Mendoni se këta lojtarë mund të luajnë edhe në Superiore, apo e mbyllin ciklin këtu në të Parën?

Unë besoj se kualiteti është edhe për Superioren. Duhet të luajmë si një ekip bashkë. Nëse luajmë ashtu, jemi një ekip shumë i mirë. Besoj se djemtë që janë shumë afër Superiores.

Kë shikoni nga skuadrat e Superiores më të përshtatshme që mund të përballeni denjësisht, apo keni diferenca?

Diferenca nuk është shumë e madhe. Nuk e kam idenë se cili ekip do na bjerë, por me kualitetin që kemi dhe me përgatitje të forta, mendoj se i kemi mundësitë të mundim çdo kundërshtar që do të kemi përballë. E kemi potencialin dhe me këtë ekip besoj se do ta arrijmë objektivin.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"