Shënoi dhe mbylli llogaritë ndaj Kastriotit, Lulaj: E prisnim këtë fitore, Kukësi ka shumë cilësi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 12, 2021 | 15:44

Shënoi dhe mbylli llogaritë ndaj Kastriotit, Lulaj: E prisnim këtë fitore, Kukësi ka shumë cilësi

Bruno Lulaj shënoi golin e tretë që vulosi fitoren 0-3 të Kukësit ndaj Kastriotit. Mbrojtësi 26- vjeçar, i cili ka luajtur edhe si mesfushor shkatërrues, pas ndeshjes në Kamzë, foli për “Panorama Sport”, për golin, këtë fitore, si dhe vazhdimësinë në kampionat.

muci lulaj

Fitore e madhe shoqëruar dhe me një gol. Si ndiheni?

Ndihem i lumtur për golin e shënuar e aq më tepër që u shoqërua edhe me një fitore bindëse në një transfertë të vështirë.

E kishit menduar një fitore me tre gola diferencë?

Të them të vërtetën e prisnim një fitore të tillë, pasi e kërkuam me ngulm edhe u duk qartë. Gjithmonë kemi pasur besim tek aftësitë tona dhe te forca e grupit, por disa herë edhe fati na e ka kthyer shpinën dhe s’kemi marrë përherë atë që kemi merituar.

A mund të quhet kjo fitore si pika e kthesës për Kukësin?

Jam i bindur se kjo ka qenë kthesa ndaj ngërçit psikologjik ku gjendeshim prej disa javësh. Kjo fitore na ndihmon shumë në anën e moralit për të marrë maksimumin e mundshëm në këto 9 finale që kemi përpara.

Ka ngelur edhe një fazë për t’u luajtur. Çfarë objektivash ka tani Kukësi?

Ne do t’i marrim të gjitha ndeshjet një nga një. Nuk do të shohim fundin e sezonit, por synojmë të marrim maksimumin nga çdo ndeshje dhe më pas do të shohim se ku do të jemi me pikë.

BUJAR BALLIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"