Shehi rikthehet në Korçë: Fitojmë me Skënderbeun, nuk është skuadra e para tri viteve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 9, 2020 | 8:18

Shehi rikthehet në Korçë: Fitojmë me Skënderbeun, nuk është skuadra e para tri viteve

Kukësi sot në orën 18:00 do të luajë një sfidë shumë të rëndësishme ndaj Skënderbeut në Korçë. Ky takim do të jetë i veçantë, sidomos për trajnerin e verilindorëve, Orges Shehi, i cili kthehet për herë të parë mbas 10 viteve si kundërshtar në Korçë, por këtë radhë si trajner. Në një intervistë për “Panorama Sport”, tekniku e cilëson si ndjesi pozitive rikthimin në Korçë, pasi në atë fushë ai ka fituar plot 7 tituj kampion, megjithatë tashmë ai ndodhet në një ekip tjetër dhe natyrisht që kërkon fitoren ndaj ish-skuadrës së tij. Skënderbeu ka pasur ecuri pozitive këto kohë, por Shehi, edhe pse takimi është i vështirë, pret që ekipi i tij të japë më shumë se njëqind për qind dhe të rikthehet te fitorja.Shehi

Shehin gjithashtu nuk e tremb përballja me ishtrajnerin e tij Ilir Daja, pasi me të është përballur edhe vitin që shkoi kur Shehi drejtonte Skënderbeun dhe Daja Flamurtarin. Të dy ia dinë sekretet njeri-tjetrit, ndaj askush nuk trembet nga kjo përballje. Ndonëse Kukësit i mungojnë dy lojtarë kryesorë si Shkurtaj e Musta, trajneri ka shumë besim te skuadra e tij. Kujtojmë që 42-vjeçari ka vetëm një javë që ka marrë drejtimin e Kukësit, por edhe pse koha është shumë e shkurtër, ai po punon shumë që të injektojë idenë që skuadra duhet të luajë si një trup i vetëm.

Që pas largimit, shkoni për herë të parë si kundërshtar në Korçë. Cila është ndjesia?

E vërtetë. Është hera e parë që kthehem në Korçë si kundërshtar. Ndjesitë janë pozitive sepse në atë stadium kam fituar 7 tituj kampion. Shpresoj ta fitoj takimin.

Skënderbeu po kalon një moment të mirë. Çfarë ndeshjeje prisni nesër (sot) dhe a mendoni se jeni nën presionin e fitores me çdo kusht?

Skënderbeu ka ecuri pozitive, e dimë që do të jetë takim i vështirë, por do të japim njëqindpërqindëshin tonë për t’u rikthyer te fitorja.

Përballë do të keni Ilir Dajën, trajnerin me të cilin keni bashkëpunuar dhe arritur suksese. Duke qenë se e njihni mentalitetin e tij, a mund të themi se do ta keni pak më të lehtë për të zbuluar strategjinë që do të ketë?

Nuk është hera e parë që përballem me Ilir Dajën, pasi jam përballur edhe vjet, ndërsa moduli i lojës ndryshon në varësi të lojtarëve që ke në dispozicion. Ky Skënderbe nuk luan siç luante ai i para tri viteve. Kam besim se do të shprehemi mirë.Shehi5

Çfarë ju shqetëson në prag të kësaj ndeshjeje?

Nuk më shqetëson asgjë. Jemi të vendosur dhe kemi punuar fort për të arritur objektivat tanë.

Si është situata me dëmtimet, sa do të qëndrojnë jashtë fushave Shkurtaj dhe Musta?

Është e vërtetë që kemi dëmtime, Musta dhe Shkurtaj do të na mungojnë për trekatër javë. Janë lojtarë të rëndësishëm për ne, por duhet të shikojmë përpara dhe kam besim se gjithkush që do t’i zëvendësojë do të bëjë më të mirën e mundshme.

Sa ju është përgjigjur skuadra në këto pak ditë që e stërvitni? Jeni i kënaqur me angazhimin e lojtarëve apo keni rezerva?

Skuadra është e angazhuar për të ndjekur udhëzimet e stafit. Në psikologjinë time, skuadra është një e vetme dhe duhet të luajë si një trup dhe këtë jam munduar ta instaloj tek ekipi këto ditë, megjithëse koha është e shkurtër.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"