“Setien nuk do të largohet”/ Nga Nejmar te Lautaro dhe Mesi, Barcelona zbulon projektin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 8, 2020 | 11:28

“Setien nuk do të largohet”/ Nga Nejmar te Lautaro dhe Mesi, Barcelona zbulon projektin

VAR-i, Mesi, Setien, objektivat, Lautaro dhe Nejmar. Presidenti i Barcelonës, Hozef Maria Bartomeu, e ka një përgjigje për të gjithë. Numri një i klubit katalanas ka folur për “RAC1” dhe i ka siguruar të gjithë se Mesi do të qëndrojë, por ka blinduar edhe trajnerin Setien.

bARTOMEU5

Nuk është penduar për faktin që e shkarkoi Valverden dhe thotë se për Lautaron do të flasin në fundin e këtij sezoni sepse tani të gjitha skuadrat janë të përfshira në objektivat e tyre në kampionatet respektive. Ai zbulon gjithashtu arsyen pse u bë shkëmbimi mes Artur Melos dhe Pjaniçit dhe i lë dyert e hapura Ksavit për t’u rikthyer te Barcelona dhe për të marrë drejtimin e skuadrës.

DORËHEQJE – “Nuk e kam menduar kurrë dorëheqjen. Përkundrazi, është momenti që të punoj akoma më shumë dhe më fort për të ringritur skuadrën”.

PËRGJEGJËSI – “Shumë gjëra nga ato që publikohen nuk janë të vërteta. Unë dua të them se vendimin për të firmosur me atë kompani që do të shërbente për të drejtat e imazhit ishte iimi. Ishte një kompani që më jepte besim dhe nuk bëmë sondazhe për kompani të tjera”.

KRITIKA – “Barcelona nuk ka lidhje fare me postimet në rrjetet sociale kundër futbollistëve. Auditi e thotë shumë mirë këtë gjë dhe lojtarët e dinë. Shpresoj që autoritetet ta nisin menjëherë hetimin dhe ta përfundojnë. Në shumë vende flitet keq për Barcelonën, ndërsa postimet në ‘Twitter’ janë të pavërteta”.

LA LIGA – “Matematikisht sigurisht që mund të fitojmë dhe nuk mund ta konsiderojmë veten jashtë. Diferenca e pikëve me rivalin është e konsiderueshme dhe e rëndësishme, por do të provojmë”.

VAR – “Jam në favor të VAR-it, por kam thënë që mënyra si aplikohet nuk është e drejtë. Që nga rikthimi i kampionatit ka pasur vendime të çuditshme që favorizojnë një skuadër dhe dënojnë një tjetër. Unë vazhdoj të jem në favor të VAR-it sepse teknologjia mund të na ndihmojë. Rubiales nuk më ka telefonuar, por kam folur më parë me të dhe ai është në favor”.

REALI KAMPION – “Të shohim nëse do ta fitojë, pastaj do të flasim”.

KATËR PIKË – “Pavarësisht rezultateve, ne po flasim për teknologjinë. Skuadra jonë është dënuar nga tri barazime. Ka shumë skuadra që po luftojnë për të arritur objektivat dhe duan Europën”.

VALVERDE – “Nuk jam penduar për shkarkimin e Valverdes, sepse kishim nevojë për impulse të reja. Setien ka sjellë frymë të re dhe impuls”.

SETIEN – “Do të vazhdojë të jetë trajner i Barcelonës. Këtë e them me vendosmëri. Jam i kënaqur me evolucionin e skuadrës. Në dy ndeshjet e fundit kam parë përmirësime të dukshme. Fillimisht do të tentojmë të fitojmë La Ligën, pastaj Champions-in. Do të luftojmë sepse ndeshja do të jetë në ‘Camp Nou’ dhe UEFA është në pritje të vendimit zyrtar”.

MESI – “Ka kontratë me Barcelonën deri në vitin 2021. Nuk do të shpjegojmë gjëra të tjera, por kemi detyrimin që të rinovojmë me të. Të shtunën kam folur me të, atëherë ishte dita e fundit.

Fola për të pyetur se si është, por kemi shumë tema për të diskutuar në tavolinë. Unë kam folur edhe me skuadrën dhe u kam treguar mbështetjen dhe që të luftojnë. Mesi është shumë i qetë dhe ai dëshiron që t’i japë fund karrierës futbollistike te Barcelona. Ai e ka thënë vetë”.

barcelona-e1575975860422

LAUTARO – “Do të flasim kur të përfundojë sezoni. Barcelona nuk ka kurrë data në kalendar për afrimin e lojtarëve. Tani jemi të fokusuar në kampionat”.

TRANSFERIME – “Do të ketë shumë shkëmbime futbollistësh dhe pak shpenzime të mëdha në tërësi”.

NEJMAR – “Është pak i mundshëm për shkak të situatës ekonomike që po kalojnë të gjitha skuadrat në Europë”.

SKUADRA – “Është duke u rinovuar. Por lojtarët aktualë janë duke bërë shumë mirë dhe kanë besimin e stafit. Buskets, Pike, Suarez dhe Mesi janë të gjithë në gjendje të shkëlqyer. Pastaj do t’i përziejmë ata me të rinjtë si Pedri, Trinçao dhe të shohim”.

ARTUR-PJANIÇ – “Ishte një vendim fillimisht sportiv dhe pastaj ekonomik. Shitja e tij nuk ishte për të rregulluar bilancin, sepse kam edhe futbollistë të tjerë me oferta. Çmimin e tij e vendosin ofertat dhe kërkesa, jo se sa na duhen ne për të rregulluar bilancin”.

KSAVI – “Ishte një lojtar i madh dhe një trajner i shkëlqyer. Një ditë sigurisht që do të jetë në krye të skuadrës, por tani kemi Setienin. Ksavi do të vijë ndonjë ditë dhe kur të vijë do të bëjë shumë mirë”.

Përgatiti: GENTJAN ALINANI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"