Rrapo Taho analizon Flamurtarin: Dy sulmuesit me defekte, pati shenja lodhjeje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 5, 2023 | 20:18

Rrapo Taho analizon Flamurtarin: Dy sulmuesit me defekte, pati shenja lodhjeje

Rrapo Taho analizon Flamurtarin. Legjenda e futbollit vlonjat është i bindur te kthesa, por rreshton edhe disa defekte që ka skuadra. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ishmbrojtësi evidenton mungesën e një lojtari-gol dhe mangësitë që kanë shfaqur dy sulmuesit.

rrapo taho

Thekson se gabimet nuk falen më dhe me Besën duhet me patjetër fitorja. E shikon të vështirë ndeshjen e radhës, por jo të pamundur. Shikon një garë të vështirë mes katër skuadrave për ngjitjen, ndërsa veç kuqezinjve përmend edhe Elbasanin, Bylisin dhe Apoloninë në këtë garë. Konsideron si një handikap jo të vogël edhe ngjeshjen e ndeshjeve dhe sipas tij tri ndeshje në një javë janë vërtet të lodhshme fizikisht.

Janë luajtur gjashtë javë dhe Flamurtari renditet në vendin e pestë. Si e shikoni ecurinë në këtë fillimkampionat?

Pavarësisht luhatjeve, jam pozitiv. Ecuria e Flamurtarit është e kënaqshme. Mendoj se janë situata që thjesht me dy gjëra të vogla mund të rregullohen. E përgjithshmja është e mirë. Unë kam bindjen se kjo skuadër do të bëjë më të mirën dhe do të kthehet fuqishëm në garë.

Vetëm barazim me Apoloninë dhe për më tepër në shtëpi. Çfarë nuk shkoi për Flamurtarin?

Ndeshja me Apoloninë mua më pëlqeu deri diku. Por nga ajo që pashë, skuadra nuk kishte atë grintën që duhej. Ose ta them ndryshe, nuk ishte ajo grinta që e karakterizon Flamurtarin. Raste u krijuan shumë dhe kjo ishte një gjë e mirë. E gjithë kjo situatë është se na mungon lojtari-gol, sikur nuk e kemi një të tillë.

Nuk ju bindin lojtarët që po luajnë në sulm?

Dy sulmuesit që luajtën kishin defekte. Më vjen keq se u krijua volum loje. Por nga ana tjetër, unë mendoj se ne nuk mund t’i bëjmë dot tri ndeshje në një javë. Në këto kushte, ekipi tregoi pak lodhje. Në këtë ndeshje të fundit ne krijuam shumë raste krahasuar me nisjen e sezonit. Skuadrën e shikoj në rrugë të mbarë. Jam i bindur se do të reflektojnë në ndeshjen që do të luhet në Luz me Besën.

Si mund të zgjidhen problemet e shfaqura në finalizim?

Besoj se skuadra do të bëjë në momentin e duhur ndërhyrjet e nevojshme në merkato. Ndoshta kur të jetë koha do të afrojnë 2-3 lojtarë cilësorë, që do të bëjnë diferencën dhe do të ndihmojnë ekipin. Por edhe me këta që janë, stafi po punon deri diku për ta zgjidhur. Në ndeshjen e parë ne krijuam shumë raste dhe finalizuam me gola, por në këtë ndeshje stonuam dhe nuk e di pse. Ndoshta ndikoi edhe shumë lodhja, ngaqë kampionati ka qenë shumë i ngjeshur. Tri ndeshje për një javë janë vërtet shumë. Sidoqoftë, Flamurtari është ndërtuar për objektiva të mëdha.

Në fundjavë me Besën në Luz. Si e parashikoni?

Është një ndeshje e vështirë me Besën, pasi luhet në transfertë. Luajnë në Luz, por pavarësisht kësaj vështirësia është prezente. Kam bindjen se lojtarët do të reagojnë në këtë takim. Nuk falen më gabimet dhe skuadra duhet që ta dijë këtë gjë. Këtu në Vlorë me Apoloninë u lanë dy pikë shumë me vlerë. Ne jemi ekip që pretendojmë dhe duhet që të ndryshojmë në mënyrë urgjente. Kam bindjen se skuadra do të reagojë në ndeshjen me Besën duke marrë fitoren.

E shikoni se po çedon skuadra për objektivin madhor?

Kampionati është në fillim dhe është shumë shpejt akoma që të flasësh për këtë. Ka shumë ndeshje. Flamurtari patjetër që është brenda objektivave. Cilët shikoni si rivalë për ngjitjen?

Janë katër skuadra në garë dhe që do të rivalizojnë deri në fund. Bylisi ka një ekip shumë të konsoliduar, por as Apolonia nuk është keq. Elbasani po bën mirë. Unë pak ndeshje kam parë, se kam qenë në Amerikë, por kam bindjen se këto skuadra do të luftojnë deri në fund të këtij kampionati.

ERMAL SIKA -PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"