Rrahja bararbare e gjyqtarit Paco, reagon klubi i Sopotit: Ikëm nga Jugu vetëm prej dhunës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 14, 2017 | 14:10

Rrahja bararbare e gjyqtarit Paco, reagon klubi i Sopotit: Ikëm nga Jugu vetëm prej dhunës

Lidhur me ngjarjet e fundit të ndodhura në Përmet, ku lojtarët e Këlcyrës dhunuan në mënyrë barbare arbitrin e ndeshjes, Alvi Paço, ka reaguar edhe klubi i Sopotit. Librazhdasit tregojnë se pse vendosën të ikin nga Grupi B dhe të luajnë në Grupin A. Sipas tyre, në Grupin B ka shumë dhunë, madje në disa fusha të vështira është e pamundur që të luash pastër dhe të tentosh fitoren.

Kuli Sopoti

SOPOTI – “Të gjithëve mbase iu bëri çudi se përse ekipi ynë zgjodhi të ishte në Grupin A dhe jo në Grupin B, ku kishte milituar para disa sezonesh kur ishte në Kategorinë e Dytë. Grupi A ka terrene sportive me infrastrukturë të mirë dhe të luash futboll nuk është aspak problem. Është mjaft e vështirë në aspektin sportiv, pasi ekipet kanë një kualitet më të lartë, kushte stërvitore më të mira dhe duhet të kesh një ekip vërtet të mirë për t’u ngjitur në Kategorinë e Parë.

Sopoti-Partizani B

Ndërsa në Grupin B, ekipet janë goxha inferiore në aspektin taktik dhe nëse ke një grup lojtarësh të mirë, mund të ngjitesh lehtë në kategori, por është pikërisht dhuna që të frenon. Të duhet të bësh me qindra kilometra rrugë për një përballje dhe në fund nuk të lënë të luash as futboll, por fillojnë me presione dhe goditje që të bëjnë të flasësh me vete gjatë kthimit në shtëpi.

Ka fusha si Delvina, Këlcyra dhe Memaliaj që nuk ke asnjë shans të fitosh nëse nuk ke folur paraprakisht me ekipin kundërshtar, domethënë ‘të biesh dakord’ për të luajtur pastër dhe ndershëm dhe më pas të shpresosh që të fitosh. Duke vënë në peshore gjithë këto gjëra, zgjodhëm që më mirë të ishim të qetë, edhe pse nga niveli i ekipeve kundërshtare rrezikojmë të renditemi nga fundi tabelës”, thuhet në reagimin e klubit të Sopotit.

Duhet thënë se në Grupin B të Kategorisë së Dytë, ngjarjet e dhunshme janë shumë herë më prezente sesa në Grupin A. Ashpërsia në Jug është e madhe dhe thuajse çdo javë ka probleme dhe ngjarje të dhunshme. FSHF duket e pafuqishme në këtë situatë dhe gjithçka i ka shpëtuar nga dora. Në këtë kategori ka nevojë për një revolucion total.

LEAR HYKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"