Rinovoi kontratën, Frashëri: Skënderbeu rikthehet në elitë, Gvozdenoviç do vetëm…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 12, 2023 | 0:03

Rinovoi kontratën, Frashëri: Skënderbeu rikthehet në elitë, Gvozdenoviç do vetëm…

Rinovimet e dy lojtarëve kyç në skuadër, si Erlsi Frashëri dhe Belajdi Pusi, kanë kënaqur stafin teknik të Skënderbeut në këtë fillim viti. Kjo, edhe për vetë faktin se trajneri Ivan Gvozdenoviç ka dashur me ngulm qëndrimin e lojtarëve që përbëjnë boshtin kryesor.

ERLIS FRASHERI

I tillë është edhe rasti i mbrojtësit të djathtë korçar, Frashëri. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ai flet për situatën aktuale te Skënderbeu dhe rinovimin e kontratës, ndërsa nuk harron të komentojë objektivat e klubit, teksa sipas tij ngjitja në elitë është e arritshme.

Erlis, keni rinovuar edhe për një vit e gjysmë te Skënderbeu. I kënaqur?

Po, patjetër që jam i kënaqur. Një vijimësi atje ku e lamë dhe një sfidë më shumë në karrierën time si futbollist dhe mbi të gjitha vlerësohet besimi i dhënë nga drejtuesit. Është qyteti im ku unë kam dalë si futbollist dhe në të tilla kushte, nuk kam se si të mos ndihem i kënaqur dhe krenar. Është vazhdim i një sfide, pasi dua të dalim në Superligë. E meritojmë të jemi te më të mirët.

A keni pasur oferta nga klube të tjera gjatë kësaj kohe që prisnit Skënderbeun?

Të jem i sinqertë, kam pas oferta të tjera nga klube të Kategorisë së Parë. Por, unë vendosa të pres Skënderbeun, sepse zemra më thoshte që të qëndroja këtu. E dija se diçka do të vinte dhe vendosa të pres. Prandaj jam i lumtur që kam bërë këtë zgjedhje.

Çfarë ju bindi të zgjasnit bashkëpunimin me klubin?

Nga ajo që thashë më sipër, nuk mendoj se ka nevojë të më bindë njeri që të qëndrojë në qytetin e lindjes, te klubi im dhe ekipi i zemrës. Por normalisht kur flitet për futboll, ndonjëherë janë edhe gjëra të tjera që ndikojnë në një zgjedhje. Mund të them se më shumë më bindi presidenti pas takimit që patëm, duke qenë i bindur në projektin që ka për klubin. Plus kësaj, edhe trajneri pati influencën e vet, pasi donte me çdo kusht që unë të jem pjesë e Skënderbeut në vazhdim.

Si e shihni skuadrën në vitin 2023?

Skënderbeu është ndërtuar që në fillim për të qenë në vendin e parë, por jemi të bindur dhe të vetëdijshëm se kjo arrihet me punë dhe me përkushtim të madh që të jemi në krye. Kam besim të plotë te grupi që viti 2023 do të na gjejë akoma edhe më mirë, si me lojë, ashtu edhe në renditje.

Gvozdenoviç kërkon minimalisht vendin e dytë. A është i arritshëm objektivi?

Profesori kërkon gjatë gjithë kohës shumë punë dhe përkushtim. Kërkon disiplinë, pasi ai do vetëm të fitojë. Kjo vjen edhe për faktin se ka qenë te Skënderbeu në një periudhë të artë dhe ka një mentalitet fituesi. Ka futur një frymë tjetër në ekip dhe objektivi realizohet vetëm me përkushtim të madh. Trajneri na kërkon të japim zemrën në fushë dhe vetëm atëherë do të jemi në krye.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"