“Ringjallet” dhe Kukësi, fiton me përmbysje. Laçi i Nicës pëson humbjen e parë në shtëpi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 4, 2013 | 13:27

“Ringjallet” dhe Kukësi, fiton me përmbysje. Laçi i Nicës pëson humbjen e parë në shtëpi

Laci-Kukesi 1-2, lojtaret para ndeshjesLAÇI-KUKËSI  1-2
GOLAT: Tanushi 58’/ Cikalleshi 79’, Allmuça 90+5’ (p)
LAÇI: Llani, Kastrati, Nino, Çarls, Danaj, Sefgjini, Zefi, Veliaj, Vucaj (Bërkiç 20′), Shazivari, Tanushi. Trajner: Stavri Nica
KUKËSI: Koçi, Brahja, Malota, Malakarne, Smajli, Y.Hoxha, Shameti, Bratiç, Progni, Allmuça, Çikalleshi. Trajner: Naxhi Shensoji
KARTONË TË VERDHË: Çarls 77′, Shazivari 84′, Tanushi 90+5′, Kastrati 90+5’/ Brahja 76′, Allmuça 90+6′
VËZHGUES: Fatmir Tare;
DELEGAT: Elton Lita
GJYQTARET: Olsi Sokoli, D.Rexha (Tiranë), R.Çokaj (Lezhë)

MINUTAT
7′ Goditje këndi për kuksianët, topi në zonë. Pas një devijimi të një prej lojtarëve miq, topi kalon pranë shtyllës pingule.
24′ Progni brenda zonës kurbinase godet drejt portës së Llanit, por pret ky i fundit.
25′ Malakarne godet me kokë pas një krosi në zonë. Topi shkon drejt portës së Llanit, por Zefi i ndodhur në vijën fatale shmang golin.
41′ Goditje e Shazivarit me të majtën, por Koçi është në gatishmëri.
46′ Bërkiç merr një top në hyrje të zonës kuksiane, krijon hapësirë për të gjuajtur, por topi i goditur prej tij përfundon pak mbi tra.
47′ Hoxha përfiton nga një pasim i gabuar i laçianëve, shtyn përpara e në hyrje të zonës godet diagonal, por jashtë.
53′ Goditje dënimi në hyrje të zonës, godet Çikalleshi, por mbi tra.
56′ Është Progni, që tenton të mposhtë Llanin me kokë, por gjuajtja e tij është e lehtë e pa asnjë problem për portierin kurbinas.
58′ Kombinim i bukur i Veliajt me Tanushin, që lëviz mjaft bukur duke shmangur një nga mbrojtësit dhe me një gjuajtje të fortë shënon, 1-0.
61′ Krosi i Shazivarit gjen Kastratin, i cili godet fort, por Koçi pret fillimisht, edhe pse pa mundur ta zotërojë topin që merret sërish nga Kastrati, i cili në tentativën e dytë gjen traversën.
66′ Veliaj shërben sërish për Tanushin, që këtë herë del përballë Koçit, i cili shmang golin e dytë.
68′ Sërish Çikalleshi, që ekzekuton një goditje dënimi, por topi përfundon mbi tra si herët e tjera.
79′ Kros në zonën e Laçit, Çikalleshi me kokë arrin të mposhtë Llanin, duke e dërguar sfidën në barazim 1-1.
82′ Malota, i ardhur në ndihmë të sulmit kuksian, tenton me kokë të shënojë, por pret Llani.
88′ Goditje dënimi për Laçin: Shazivari kroson në zonë e Çarls për pak sa nuk shënon golin e dytë për vendësit.
90+5′ Rrëmujë në hyrje të zonës kurbinase, Hoxha pengohet nga Zefi, arbitri drejton gishtin nga pika e bardhë. Penalltia ekzekutohet nga Allmuça e rezultati shkon 1-2 për kuksianët.

Kukësi rigjen rezultatin pozitiv, teksa i shkakton Laçit humbjen e parë në shtëpi në limitet e këtij takimi, për të mos thënë se koha e rregullt së bashku me shtesat kishin përfunduar në momentin kur arbitri Sokol akordoi penallti për kuksianët. Pjesa e parë ka qenë disi e barabartë, pasi të dy ekipet u panë të luanin me mjaft kujdes, nisur edhe nga mungesat e shumta që kishin në formacion. Tekniku Nica në minutat e fundit u detyrua që ta linte jashtë kroatin Buljan për shkak të një hematome në kofshë, për të hedhur në fushë Ninon. Në krahun tjetër për kuksianët ishte lënë jashtë portieri Halili e gjithashtu vuanin mungesat e Dragoit, Musollit, Popoviç e të ndonjë tjetri, shto këtu edhe një tërheqje të pësuar në nxemje për Hallaçin, që i lë vendin Malotës për të zhvendosur në krah Brahjen, ndryshe nga çfarë ishte parashikuar. Në pjesën e dytë ekipet zgjohen dhe ritmi i ndeshjes rritet ndjeshëm, duke u bërë e mundur të shënoheshin 3 gola. Ka qenë Tanushi që i ka kaluar në epërsi bardhezinjtë, por goli i tij nuk ka mjaftuar t’i japë ekipit fitoren, pasi Çikalleshi e më pas Allmuça në minutën e 95-të e kanë zhvlerësuar atë duke u dhënë fitoren kuksianëve.
Ndeshja – Takimi ka nisur i qetë, me të dy ekipet që tentojnë të studiojnë njëri-tjetrin, ku miqtë duken më kërkues e fitojnë terren në fushën e lojës. Rastin e parë për shënim do ta kishin kuksianët, teksa pas ekzekutimit të një goditjeje këndi asnjë një prej lojtarëve miq devijon topin lehtazi që kalon pranë shtyllës pingule. Minuta e 20-të do sillte edhe zëvendësimin e parë në fushën e lojës, kur Vucaj i ka lënë vendin Bërkiç, pasi nuk mund të vazhdonte më për shkak të një tërheqje të pësuar. Vendësit humbasin terren e Progni ka një rast të mirë për shënim, por gjuajtja e tij brenda zonës së rreptësisë pritet nga Llani. Më pas është radha e Malakarnes që me kokë për pak sa nuk shënon, por Zefi i vendosur pranë vijës fatale largon me kokë topin që po shkonte drejt e në rrjetë.
Golat – Fraksioni i dytë nis ndryshe. Fillimisht është Bërkiç për Laçin që në hyrje të zonës godet pak mbi tra, e më pas Hoxha që në hyrje të zonës godet diagonal pa mundur të gjejë rrugën e rrjetës. Atë që s’e bëjnë kuksianët e bën sulmuesi laçian Eduart Tanushi, i cili pasi shërbehet mjaft bukur nga Veliaj, shmang bukur Malotën me një lëvizje mashtruese e mposht Koçin me një gjuajtje të fuqishme. Me shënimin e golit vendësit marrin zemër dhe i afrohen sërish golit me anë të Kastratit. Zgjohen kuksianët, të cilët tentojnë golin nga një goditje standarde, por Çikalleshi është i pasaktë. Por, në minutën e 79-të do të vinte edhe goli i barazimit, teksa Çikalleshi kërcen mbi mbrojtjen laçiane e me kokë shënon. Tri minuta më pas është Malota, që me kokë rrezikon portën e kurbinasve. Kur takimi po shkonte drejt barazimit, vjen penalltia e Hoxhës, e cila u shndërrua në gol nga Allmuça. Fiton Kukësi, teksa Laçi dorëzohet për herë të parë këtë sezon në fushën e vet.

MË I MIRI
Sokol Çikalleshi dhe Ylli Hoxha ishin dy lojtarët më të mirë në fushën e lojës. I pari ishte mjaft i lëvizshëm dhe gjeti edhe rrugën e rrjetës, ndërsa i dyti ishte protagonist në të dy golat e Kukësit. Tek i pari dha pasimin dhe tek i dyti fitoi penalltinë. Vlerësim pozitiv edhe për Shametin, pavarësisht se nuk luante në pozicionin e tij natyral. Te kurbinasit tepër aktiv u pa Emiljano Veliaj.

MË PAK AKTIVI
Mbrojtësi Danaj dhe mesfushori Zefi ishin dy lojtarët që stonuan dje me lojën e tyre. I pari gaboi në golin e parë të shënuar nga Cikalleshi, ndërsa i dyti shkaktoi penalltinë në fund të ndeshjes. Sakaq, duhet thënë se pjesa e dytë e ndeshjes, sidomos pas minutës së 70-të, e vuri në vështirësi ekipin kurbinas, i cili u tërhoq pas duke iu nënshtruar

Shensoji i kënaqur, Nica bojkoton sërish
Trajneri i Kukësit ka vlerësuar fitoren, duke mos lënë pa përgëzuar edhe Laçin. “Tri pikët na vlejnë shumë në rrugën tonë, por ende kemi për të ndryshuar shumë gjëra derisa të arrijmë aty ku e meritojmë. Respekt dhe për ekipin e Laçit, i cili tregoi vlera në fushën e lojës”, – pohoi tekniku i kuksianëve. Ndërkohë Stavri Nica sërish nuk pranoi që të prononcohet për mediat, duke u larguar. Të njëjtën gjë ky trajner e bëri edhe në ndeshjen e javës së 9-të ndaj Teutës. Në fund të atij takimi delegati i Federatës Shqiptare të Futbollit, njëherazi shefi i Sektorit të Garave dhe zëvendës/sekretar i përgjithshëm i FSHF-së, Besnik Çela, pohoi se do e “padiste” Nicën në Komision të Disiplinës, pasi ai kishte shkelur rregullin duke mos dalë në prononcim për mediat, por çuditërisht një gjë e tillë nuk ndodhi. Të shpresojmë që do ndodhë këtë javë.presionit të miqve.

Tifozët, shishe dhe sharje ndaj arbitrit
Goli i shënuar në limitin e lojës ka shkaktuar pakënaqësi te tifozët vendës, të cilët janë irrituar me arbitrin Olsi Sokoli. Ky i fundit sinjalizoi një penallti për Kukësin pas një pengimi në zonë të Zefit në dëm të Ylli Hoxhës. Ajo që ra paksa në sy ishte fakti se kjo penallti u vërshëllye në minutën e 5-të shtesë, ndërkohë që arbitri i katërt ishin akorduar vetëm katër të tilla. Kaq është dashur që tifozët vendës të irritoheshin, duke e shoqëruar edhe me hedhjen e ndonjë shisheje plastike në fushë. Kësaj iu shtuan edhe protestat e shumta të lojtarëve vendës karshi arbitrit, i cili u desh të nxirrte dy kartonë të verdhë për t’i qetësuar disi lojtarët. Pas golit të shënuar nga Allmuça dhe vërshëllimës së fundit të takimit, shumë tifozë u hakërryen ndaj arbitrit, ndaj u desh edhe ndërhyrja e policisë për të marrë situatën në dorë, duke i larguar tifozët bardhezi jashtë stadiumit. Ndërkohë, kujtojmë se ndeshjen e djeshme e kanë ndjekur nga tribuna VIP presidenti i Laçit, Pashk Laska, së bashku me homologun Safet Gjici, i cili shoqërohej edhe nga kryetari i Bashkisë së Kukësit, Hasan Halili.

Koçi-Shameti, fatsjellësit
Ervis Koçi dhe Ylli Shameti luajtën dje për herë të parë si titullarë me fanellën e Kukësit. “Unë jetoj çdo sekondë me ekipin, edhe pse kam qenë në stol. Besimin që më dha trajneri u mundova ta justifikoj. Falënderoj tifozët që më përkrahën”, – deklaroi portieri. “Edhe pse jo në rolin tim natyral, u mundova ta ndihmoja skuadrën, duke dhënë maksimumin aty ku trajneri mendon se unë mund të luaj. Kam fituar formën optimale dhe shpresoj të luaj si titullar”, – tha Shameti.

Cikalleshi dhe Allmuça
“Në radhë të parë na gëzojnë tri pikët. Normalisht që dhe goli më gëzon, aq më shumë që është i dyti radhazi. Kam shënuar dhe ndaj Flamurtarit, por ne i humbëm pikët në Berat”, – pohoi Sokol Cikalleshi. Ndërsa Igli Allmuça edhe këtë herë ka qenë i pagabueshëm nga penalltia. “Golin ua dedikoj tifozëve tanë që, edhe pse nuk i kemi kënaqur kohët e fundit, nuk na kanë braktisur. I ftoj që të jenë me ne, duke shpresuar se ditët jo të mira i kemi lënë pas”, – tha Allmuça.
VLADIMIR PRENGA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"