Rikthime e dilema, trajneri i Pogradecit: Superiorja? Të përqendrohemi te Flamurtari

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 24, 2021 | 10:11

Rikthime e dilema, trajneri i Pogradecit: Superiorja? Të përqendrohemi te Flamurtari

Pogradeci do pathyeshmërinë. Katër fitore dhe një barazim kanë arkivuar liqenorët në 5 ndeshjet e fundit të kampionatit dhe as që kanë në plan që këtë bilanc ta prishin në Vlorë. Ata po tregojnë se kanë një skuadër me stabilitet që synojnë katërshen e parë të klasifikimit. Por, që ta realizojnë këtë objektiv, do t’u duhet që në dy ndeshje të marrin të paktën edhe një pikë. Kështu thotë edhe matematika, por duket se Pogradeci do të mbyllë gjithçka që në takimin e radhës kundër Flamurtarit. Edhe pse është një kundërshtar që qëndron më poshtë se liqenorët, trajneri Ardian Abazaj nuk i zë besë renditjes. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, ai kërkon kujdes.

Abazaj222

“Do të jetë një takim shumë i vështirë. Asnjëherë nuk i kam gjykuar kundërshtarët nga pozicioni që kanë. Të mos harrojmë se është Flamurtari, ekipi me histori dhe emër të madh. Vetëm në fushën e lojës mund të flasësh me siguri dhe besoj se këtë do ta bëjmë ne shumë mirë. Pushimi na ka ndihmuar për disa rikuperime, por nga ana tjetër të vështira kanë qenë kushtet atmosferike. Megjithatë, ne jemi munduar të shfrytëzojmë çdo seancë stërvitore”, tha fillimisht trajneri, i cili nuk dëshiron që të shohë larg momentalisht.

“Superiorja? Duhet ta shohim këtë ndeshje pasi është vendimtare për ne. Të përqendrohemi maksimalisht. Këtë ua kam thënë edhe futbollistëve. Duhet shumë mund dhe sa më pak gabime në fushë. Të shënojmë shpejt për të qenë më të qetë. Kundërshtari ka futbollistë të rinj, por unë nga përvoja ime i shoh si një forcë të madhe në çdo ndeshje. Ndaj them se do të jetë shumë e vështirë t’i mundësh”. Te liqenorët nuk do të ketë shumë ndryshime nga ndeshja e kaluar. Në pikëpyetje mbetet aktivizimi i Hysenllarit, ndërkohë që rikthehet portieri Baçi në portë. Pjesa tjetër është e formatuar si një ndeshje më parë.

ROMEO XINXIFI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"