Rikthehet Oliveira, Resuli kërkon triumfin në Vorë: Pak ditë në dispozicion, ia dalim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 11, 2023 | 9:50

Rikthehet Oliveira, Resuli kërkon triumfin në Vorë: Pak ditë në dispozicion, ia dalim

Flamurtari udhëton sot drejt Vorës në një ndeshje delikate. Vlonjatët janë në vendin e tretë ndërsa kundërshtarët në të pestin, por ndahen vetëm me tri pikë diferencë. Dritan Resuli i ka bërë llogaritë për të dalë me pikë nga kjo transfertë që për hir të së vërtetës nuk do jetë aspak e lehtë. Për “Panorama Sport”, trajneri vlonjat pranon se të gjitha ndeshjet janë të vështira. Ka marrë përgjigje pozitive nga grupi i lojtarëve edhe pse kanë pasur vetëm tre ditë për ta përgatitur këtë takim. Resuli vlerëson impenjimin e skuadrës ndërsa thekson se në Vorë shkojnë për të marrë maksimumin.

RESULI

“Të gjitha ndeshjet janë të vështira dhe këtë gjë e dimë të gjithë dhe jemi të ndërgjegjshëm. E tillë do të jetë edhe ndeshja me Vorën, por shkojmë për të dhënë më të mirën tonë. Këto ditë që kemi pasur në dispozicion për të përgatitur ndeshjen, jam i kënaqur nga impenjimi i lojtarëve. Të gjithë janë të fokusuar te kjo ndeshje dhe gati për dhënë maksimumin e tyre. Në dispozicion kemi pasur shumë pak ditë për ta përgatitur takimin. Megjithatë, ne kemi bërë strategjitë tona për ndërtimin e kësaj ndeshje dhe besoj që do shkojmë në Vorë që të marrim maksimumin”, shprehet fillimisht Resuli.

SITUATA – Dritan Resuli është i qetë përpara ndeshjes me Vorën. Situatën në skuadër e ka pozitive me rikthime të rëndësishme. lojtarët e dëmtuar janë rikuperuar, ndërsa rikthehet një lojtar shumë i rëndësishëm si Indio Oliveira, që përfundon pezullimin nga dënimi i Disiplinës. Kjo gjë ka rritur edhe më shumë besimin te Resuli.

“Jam i kënaqur nga rikthimi i disa lojtarëve që kanë qenë mungesa gjatë kësaj kohe për shkak të dëmtimeve dhe të kartonëve. Kjo gjë më rrit besimin përpara ndeshjes me Vorën. Kthehet Indio Oliveira, një lojtar shumë i rëndësishëm për ne, që përfundon pezullimin. Gjithashtu kemi gati edhe Bejin. Sa më shumë lojtarë që të kemi në dispozicion, aq më komode është në vazhdimin e garës. Në skuadër kemi lojtarë shumë të mirë që bëjnë diferencën dhe e ndihmojnë shumë Flamurtarin për të dhënë maksimumin në çdo takim për të arritur objektivin që në fund duam të gjithë”, shprehet Resuli.

DY JAVË NË TIMON – Dritan Resuli e ka nisur mbarë aventurën te Flamurtari me dy fitore të rëndësishme. Një me Kastriotin për kampionat dhe me Burrelin në kupë, duke u kualifikuar në turin e tretë. Në skuadër tashmë është rikthyer qetësia dhe optimizmi, ndërsa të gjithë lojtarët janë të angazhuar për të bërë sa më mirë.

“Dua që të theksoj se si grup lojtarësh, si organizim, si mbështetje dhe të gjitha gjërat në total, janë shumë të mira. Padyshim që lojtarët do fillojnë që të shprehen dhe do të japin më të mirën e tyre. Jemi në hapat e parë dhe gjërat që kanë kaluar nuk na lënë shumë kohë për të menduar pasi jemi duke u fokusuar te ndeshja me Vorën. Gjithsesi lojtarët janë të qetë dhe kemi një harmoni shumë të mirë në grup”, përfundon Resuli. Seancën e fundit stërvitore skuadra e zhvilloi paraditen e djeshme në fushën sportive në Pyllin e Sodës. Sot ekipi pritet që të udhëtojë drejt Vorës.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"