Revolucion i kuq, largohet Agostineli

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 26, 2016 | 12:11

Revolucion i kuq, largohet Agostineli

Partizani ka hyrë në një fazë revolucioni total, e cila ka nisur nga drejtuesit dhe më pas ka kaluar te lojtarët. agostineliBurime të besueshme pranë klubit të kuq kanë konfirmuar për “Panorama Sport” se trajneri Andrea Agostineli nuk do të jetë më në krye të ekipit. Italianit i ka skaduar kontrata dhe duket se drejtuesit nuk kanë në plane që t’ia rinovojnë sërish, pasi tekniku nuk ka arritur objektivin final të fitimit të titullit kampion. Ndërkohë, vetë trajneri është i paqartë për të ardhmen e tij.

I kontaktuar nga gazeta, ai është shprehur: “Për momentin, jam në Itali dhe nuk mund të them asgjë. Jam në pritje të një bisede me presidentin në lidhje me rinovimin e kontratës sime për sezonin e ardhshëm”, u shpreh tekniku. Ndërkohë që në lidhje me shkarkimin drejtorit Dervishi, ai ka deklaruar:

“Unë nuk di asgjë. Kam dëgjuar shumë zëra në lidhje me këtë çështje, por zyrtarisht nga ana e shoqërisë nuk më ka kontaktuar askush”, ka mbyllur trajneri, i cili nuk pritet të vijë më në vendin tonë. Megjithatë do të mbetet për t’u parë se cili do të jetë trajneri i ri që do të drejtojë të kuqtë sezonin e ardhshëm.

Drejtori

Nëse Agostinelit nuk i kanë komunikuar ende asgjë, një gjë e tillë nuk mund të thuhet në lidhje me Dritan Dervishin. Ky i fundit është shkarkuar nga pozicioni i Drejtorit të Përgjithshëm të klubit të kuq, pas një bisede që ka pasur me presidentin Demi. Burime pranë klubit kanë bërë me dije se Demi ka bërë fajtor për dështimin e objektivit final të titullit kampion pikërisht Dervishin, që i ka faturuar edhe merkaton jo cilësore.

Megjithatë Dervishit i është ofruar mundësia për të vazhduar punën me të kuqtë, duke i dhënë pozicionin e menaxherit të skuadrës. Gjasat janë që Dervishi të mos e pranojë një pozitë të tillë, duke u larguar përfundimisht nga ekipi, të cilin e drejtoi për pak muaj.

Lojtarët

Përveç trajnerit Agostineli dhe drejtorit Dervishi, pjesë e të kuqve për kampionatin e ardhshëm nuk do të jenë as dy futbollistë.

Argjentinasit Agustin Torasa nuk do t’i rinovohet kontrata për vitin tjetër, çka bën që largimi i tij të jetë i sigurt. E njëjta gjë do të ndodhë edhe me brazilianin Filipe Gomes, që pësoi një dëmtim dy javë para fundit të sezonit.

Për këtë të fundit, që karrierën e tij e ka zhvilluar në Itali, zërat ishin se mund të qëndronte, por drejtuesit kanë vendosur përfundimisht që ta largojnë. Gomes ishte në formë huazimi te Partizani dhe në rast se të kuqtë do të vendosnin ta mbanin në skuadër, do të kërkohej edhe blerja e kartonit të tij.

Përgatiti: ARMAND HALILI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"