Resuli: Shpërdorojmë, por ky Flamurtar është… fleksibël

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 23, 2021 | 12:36

Resuli: Shpërdorojmë, por ky Flamurtar është… fleksibël

Dritan Resulin e kënaq ky Flamurtar. Edhe pse ishte një javë e ngarkuar, skuadra e përballoi me sukses. U kualifikua në çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë dhe fitoi në kampionat, duke dëshmuar se janë në rrugën e duhur për të realizuar projektin “2023”. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, trajneri evidentoi se kjo skuadër është e gatshme që të interpretojë tri sisteme loje dhe kjo i jep komoditet.

RESULI

“Jam shumë i kënaqur nga reagimi i skuadrës. Përballë Gramozit i kishim që të gjitha mundësitë që të arrinim një rezultat edhe më të thellë në fakt, por shpërdoruam. Krijojmë vërtet shumë raste, por na mungon konkretizimi. Megjithatë, jemi aty ku duhet. Për këtë ndeshje ndërtuam një formacion ndryshe, por edhe duke eksperimentuar për vazhdimësinë. Bëmë disa adaptime në pozicionet që luajtëm, ndryshe nga sistemi i deritanishëm.

Më kënaq skuadra, pasi interpreton 2-3 sisteme loje. Ekipi prodhon pa fund dhe kjo është ajo që më bind, përtej shënjestrës që ndonjëherë mungon. Ishte javë e ngarkuar, pasi kemi luajtur edhe në Kupë, por e përballuam. Ngjeshja bën gjithnjë të vetën, pa shtuar këtu mungesat që kishim shkak të kartonëve. Megjithatë, arritëm që ta nxirrnim sa më mirë dhe me sa më shumë sukses këtë 90-minutësh”, shprehet fillimisht tekniku.

OBJEKTIVI – Skuadra i menaxhon të gjitha situatat që krijohen dhe është vazhdimisht afër portës dhe, me këtë ecuri, objektivi është më se i realizueshëm. “Mund të them se gjatë gjithë kohës jemi me topin në zotërim dhe menaxhojmë të gjitha situatat që na krijohen dhe manovrat sulmuese për të qenë afër portës.

Kjo është pozitive për grupin e lojtarëve dhe na krijon bindjen e plotë se ky Flamurtar po ecën drejt objektivave të caktuara që në fillim të kampionatit. Ky është Flamurtari dhe unë jam shumë i bindur se shumë shpejt do të jemi aty ku e kemi vendin. Normalisht që duhet të jemi mes skuadrave më të mira të kampionatit shqiptar dhe kjo gjë do të arrihet pasi jemi shumë të angazhuar”, theksoi numri një i stolit.

LUFTËTARI – Të dielën në Gjirokastër do të luhet kryendeshja Luftëtari-Flamurtari. Skuadrat ritakohen në Kategorinë e Dytë, megjithatë trajneri e cilëson si ndeshje radhës dhe në fund llogaritë i bën vetëm me tri pikët. “Është një ndeshje e radhës. Flamurtari është Flamurtar. Për ne çdo takim ka vlerën e tri pikëve. Kemi kohën e nevojshme për ta përgatitur sa më mirë këtë ndeshje”, përfundon Resuli.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"