“Respekt për kundërshtarin”, Tetova: Egnatia e mbyll në vend të parë kampionatin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 8, 2024 | 12:03

“Respekt për kundërshtarin”, Tetova: Egnatia e mbyll në vend të parë kampionatin

Egnatia do të kërkojë fitoren e katërt në po kaq takime kundër Erzenit teksa do të përballet në transfertë me shijakasit. Sot në orën 18:00 në stadiumin “Arena e Demave”, pritet një duel i dyluftuar në kuadër të javës së 30-të në kategorinë Superiore.

edlir tetova

Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, trajneri i Egnatias, Edlir Tetova është shprehur se skuadra e tij do të kërkojë maksimumin kundër Erzenit. Tetova shtoi se për këtë takim do të mungojnë Xhemajli dhe Gjata por rrogozhinasit do të mundohen të ruajnë deri në kreun e klasifikimit.

Tetova, luani në transfertë me Erzenin, çfarë synoni nga ky duel?

Do të jetë një përballje e fortë dhe e dyluftuar pasi të dyja ekipet janë të uritur për pikë. Ndonëse me objektiva të kundërt, ata kërkojnë të qëndrojnë në Superiore, ndërsa ne duam të ruajmë vendin e parë në tabelën e klasifikimit. Jemi munduar t’i shfrytëzojmë ditët që kemi pasur në dispozicion për ta përgatitur si duhet këtë 90-minutësh. Do të kërkojmë maksimumin pasi 3 pikët janë objektivi ynë në këtë përballje në transfertë kundër Erzenit.

Sa do të ndikojë lodhja fizike e mesjavës ndaj shijakasve?

Të jem i sinqertë doza lodhje ka në skuadër, pasi na duhet të luajmë 3 ndeshje për 8 ditë. Nuk janë pak pasi na është dashur të marrim gjithçka në dy takimet që kemi luajtur me Kukësin dhe Vllazninë në Kupë. Pres një sforco fizike nga futbollistët e mi dhe mendoj që kanë energjitë e mjaftueshme për të përballuar këto situata. Ne luajmë ne dy fronte dhe jemi të vetëdijshëm që do kemi edhe ngarkesë gjatë ndeshjeve të fundit. Ajo që uroj gjatë kësaj periudhe është të mos prekemi nga dëmtimet, pasi do na pengojnë për vazhdimësinë e sezonit.

I druheni agresivitetit të Erzenit, i cili ka në repartin e sulmit lojtarë të shpejtë?

Unë kam respekt për kundërshtarin, i cili ka bërë shpesh herë mirë duke arritur rezultate pozitive edhe me ekipet që renditen lart në tabelën e klasifikimit. Erzeni nuk ka vetëm repartin e sulmit cilësor por është një ekip që luan në grup. Ne do të mundohemi të zhvillojnë lojën tonë ashtu siç përpiqemi të bëjmë ndaj çdo kundërshtari. Egnatia ka treguar se mund të përballojë këdo madje edhe duke treguar superioritet në lojë dhe rezultate. Natyrisht që duhet të kemi kujdes pasi çdokush synon që t’i shfrytëzojë ato mundësi që arrin të krijojë para portës. Si Xhemajli ashtu edhe Gjata nuk do të jenë të diponueshëm për skuadrën në duelin me Erzenin. Lojtarët janë stërvitur individualisht këtë javë për të qenë gati, por nuk duam të rrezikojmë. Synimi ynë dhe i stafit mjekësor është që të dy futbollistët të jenë të gatshëm për duelin pasardhës. Padiskutim që duam ta mbyllim vitin kalendarik të parët në klasifikim. Ne kemi udhëhequr për pjesën dërrmuese të sezonit dhe do të synojmë të bëjmë të njëjtën gjë deri në fund.

ISA HALILI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"