180 minuta për mbijetesën, mbrojtësi Dedgjonaj tregon “recetën” e fitores së Burrelit në Peshkopi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 2, 2024 | 20:02

180 minuta për mbijetesën, mbrojtësi Dedgjonaj tregon “recetën” e fitores së Burrelit në Peshkopi

Nëse flasim me gjuhën e shifrave, skuadra matjane është ndër ato që ka pësuar më pak gola sesa skuadrat rivale që luftojnë për mbijetesë. Kjo tregon se mbrojtja është reparti më i konsoliduar në krahasim me skuadrave rivale.

dedgjonaj burreli

Kontributi i mbrojtësve nuk mbaron këtu, pasi 35% e golave të shënuara nga Burreli mbajnë firmën e mbrojtësve (Kastrati 3, Dedgjonaj 2, Fetaj 2, Dikson 2). Fitorja kundër Lushnjës ka sjellë qetësinë për të përballuar me sukses derbin me Korabi. “Jo vetëm renditja, por dhe cilësia e skuadrës lushnjare e bën fitoren ndaj tyre shumë të rëndësishme. Goli i parë na dha krahë dhe besim për suksesin. Katër humbjet radhazi na futën në ngërç psikologjik, por falë besimit te vetja ajo situatë kalonte me sukses”, tha fillimisht për “Panorama Sport” mbrojtësi laçian, Aleks Dedgjonaj, ndër më të mirët për Burrelin kundër Lushnjës.

180 minuta e fundit kundër Korabit në Peshkopi dhe Apolonisë në “Liri Ballabani”, konsiderohen finale në vete. Sipas mbrojtësit kurbinas, Burreli do ta thotë qartë fjalën e tij. “Përpara kemi dy ndeshje të rëndësishme në luftën për mbijetesë. Fillimisht në transfertë kemi Korabin, një ndeshje delikate, por jo e pakalueshme. Nëse ekipi do të paraqitet si kundër Lushnjës, rezultati pozitiv do të jetë në anën e Burrelit. E rëndësishme është të kalojmë Korabin, më pas të mendojmë për Apoloninë”, u shpreh në fund mbrojtësi Aleks Dedgjonaj, që ka gjashtë vite që kontribuon për ngjyrat e matjanëve.

NDERIM GOCI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"