Rënia e Skënderbeut pas 13 sezonesh në inferiore, Frashëri: Ngjitemi direkt në elitë, 9 muaj kalojnë shpejt

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 8, 2022 | 21:09

Rënia e Skënderbeut pas 13 sezonesh në inferiore, Frashëri: Ngjitemi direkt në elitë, 9 muaj kalojnë shpejt

Rënia pas 13 sezonesh në inferiore është përjetuar si dramë. Askush nuk e kishte menduar që do të ndodhte kjo dhe sidomos kur flasim për klubin që arriti majat.

ERLIS FRASHERI

Më shumë se kushdo tjetër, këtë “disfatë” e ka ndier Erlis Frashëri. Në një prononcim për “Panorama Sport”, korçari rrëfen se nuk e ka pasur aspak të lehtë që ta pranojë verdiktin dhe sidomos në ditët e para. E megjithatë, nuk dëshiron të dorëzohet. Ai shpreson te rikthimi i shpejtë i ekipit në elitë.

“Të jem i sinqertë, javët e fundit ishin të vështira për t’u përballuar. Matematika kishte vendosur gjithçka dhe për ne nuk ishte e lehtë. Ju i keni parë lotët e gjithë skuadrës në ndeshjen që përcaktoi këtë moment. Ishte ajo në shtëpi kundër Egnatias… Megjithatë, për mua ka qenë edhe më traumatike. Pse do thoni ju? Ishte një moment mjaft i mirë për mua personalisht, pasi rikthehesha tek ekipi i zemrës dhe në qytetin e lindjes.

Por, asnjëherë nuk e kisha menduar një rikthim të tillë. Më besoni që nuk e kam pasur të lehtë këtë moment dhe ditët e para as nuk e pranoja dot. Por tani çdo gjë është fakt dhe nuk duhet të mendojmë për atë që iku. Ky është një rregull i futbollit. Duhet gjithmonë të shohësh para. Këtë do të bëjmë edhe ne, do të ngremë kokën dhe të rikthehemi shpejt në elitë. Nëntë muaj kalojnë shumë shpejt dhe sërish do të jemi atje ku i takon këtij ekipi.

Ndoshta edhe ju e keni vënë re se nuk do të jetë një Skënderbe i përshtatur për këtë kategori. Të paktën nga bisedat me drejtuesit kam kuptuar se do të jetë një Skënderbe elitar që do të kërkojë revansh. Jam i bindur duke njohur projektin se shumë shpejt do të rikthehemi. Dhe kjo do të jetë më e bukur.

Shiriti i kapitenit? E kam ndier më shumë se çdo gjë. Unë jam rritur me atë fanellë, e kam ngjyrë në trup. Në momentin kur m’u besua nga trajneri Skënder Gega, të cilin dua ta falënderoj, kam ndier një emocion të veçantë. Një ëndërr që u bë realitet”, e mbylli prononcimin e tij mbrojtësi.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"