Rekord fantastik/ Elbasani si asnjë ekip tjetër shqiptar në Superiore dhe të Parën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 22, 2024 | 21:41

Rekord fantastik/ Elbasani si asnjë ekip tjetër shqiptar në Superiore dhe të Parën

Elbasani është duke përshkuar metrat e fundit para finishit me destinacion Superioren. 13 pikë nga vendi i tretë që mund ta rrezikojë në këtë objektiv, në një kohë kur kanë mbetur edhe tetë ndeshje, duket gati një mision i pamundur.

elbasani

Edhe vetë rivalët e tyre janë dorëzuar, pasi duken të pakapshëm për momentin. Drejtuesit nuk duan të kalojnë në eufori, sepse tani synojnë ngjitjen si kampionë. Elbasani i ka hyrë një rruge pa kthim, këtë e thonë edhe shifrat, me verdheblutë që u lënë “targën” të gjitha ekipeve shqiptare.

ECURIA – Përgjatë këtij sezoni elbasanasit kanë pasur vetëm dy luhatje të vogla rrugës, fillimisht me humbjen ndaj Korabit dhe më pas ndaj Flamurtarit në transfertë. Dy humbje që erdhën në harkun kohor të tri javëve dhe që në njëfarë mënyre sollën pakënaqësi, por duket se fill pas shkundjes për atë rezultat ndaj vlonjatëve erdhi edhe shpërthimi. Që nga 21 tetori i vitit të kaluar, elbasanasit kanë luajtur edhe 17 takime të tjera në kampionat, duke mos pësuar më asnjë humbje. Me një bilanc prej 13 fitoresh dhe 4 barazimesh dhe në bazë të shifrave, asnjë skuadër e futbollit shqiptar në këtë hark kohor nuk ka pasur këtë ecuri kaq të gjatë pa humbje. Në këtë statistikë përfshihet jo vetëm Kategoria e Parë ku bëjnë pjesë të besuarit e Nevil Dedes, por edhe Superiorja. Një ecuri që i dha mundësinë Elbasanit të nisin shkëputjen për ngjitjen dhe njëkohësisht tani të jenë ata që kryesojnë kampionatin.

VITI 2024 PA HUMBJE – Ajo që e ngroh ekipin e Elbasanit është në thelb edhe vetë viti 2024, i cili ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme. Sipas një vëzhgimi të bërë nga “Panorama Sport”, ku përfshihen Kategoria e Parë dhe Superiorja, verdheblutë janë skuadra e vetme e futbollit shqiptar që nuk ka njohur asnjë humbje këtë vit. Deri para një jave i rivalizonte Vllaznia, por ajo u ndal nga Kukësi, duke bërë që Elbasani të jetë tani i vetmi që e mban këtë petk në futbollin profesionist shqiptar. Për të prishur disi “syrin e keq” të këtij viti, ka menduar sërish Kukësi, i cili i ka mundur, por kjo ka ndodhur në Kupë, një objektiv që nuk ishte primar për elbasanasit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"