“Rebelët” nuk po kthehen, Besa në hall

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 5, 2018 | 17:01

“Rebelët” nuk po kthehen, Besa në hall

Onuh dhe Dikson duket se nuk do të vijnë. U bë javë që klubi i pret, por deri dje pasdite as njëri dhe as tjetri nuk kanë “zbarkuar” në Kavajë. Sulmuesi dhe qendërmbrojtësi po zvarrisin rikthimin, duke u kthyer në një çështje te Besa. Edhe pse u janë prerë biletat prej kohësh dhe u janë siguruar që të gjitha dokumentacionet e nevojshme për të ardhur në Shqipëri, të paktën siç pretendojnë drejtuesit, afrikanët nuk e kanë marrë mundimin që të kthehen.

besa

Pritja e stërzgjatur ka detyruar presidentin Nexhat Bizhdili që t’i japë fund kësaj situate dhe ka menduar që të marrë të tjerë lojtarë për të kompensuar këto mungesa. Trajneri nuk kishte më kohë, ndaj i kërkoi stafit që të mbushte vendet e lëna bosh prej “rebelëve”, që vazhdojnë pushimet. Pozicioni i Diksonit duket se do të mbulohet prej qendërmbrojtësit të afruar nga Kukësi, Rexhep Memini. Por në sulm nuk kanë gjetur ende të duhurin, ndaj golat tashmë mbeten vetëm në dorën e Çekiçit e Mëllugjës. Me 3-4 përjashtime, pa frikë mund të quajmë “Baby Besa” këtë ekip të këtij sezoni.

Verdhezinjtë priten të jenë ekipi me moshën moshatare më të re krahasuar me të gjitha të tjerat. Kështu, mesatarja e moshës rritet vetëm nga Miraka, Perja, Çekiçi e kapiteni Mihani, sepse edhe të ardhurit Memini e Mëllugja janë të rinj. Pjesa tjetër thuajse është e tëra me 19 dhe 21-vjeçarë. Që nga portieri rezervë Dobjani (18 vjeç) e me radhë Thaçi, Krasniqi, Cara, Berisha, Biba, Zeqiri, Hoxha, Shaljani, Agalliu e tjerë.

Thënë ndryshe, formacioni i mundshëm i kavajasve pritet të jetë një “miks” mes 4 futbollistëve me përvojë dhe të produktit të ri. Sezonin e ri që starton të shtunën, kavajasit do ta nisin me synimin e qartë rikthimin në Superiore, por s’do ta kenë aspak të lehtë pasi edhe ekipet si Bylisi, Apolonia, Tomori, Lushnja apo Elbasani e Pogradeci janë forcuar ndjeshëm.

Feriz Ferizaj

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"