“Reali nuk dorëzohet kurrë”, Perez i mrekulluar nga Ançeloti: Ka krijuar një familje
Presidenti i Realit të Madridit, Florentino Perez, mori pjesë në prezantimin e librit që i është kushtuar trofeut numër 14 në Ligën e kampioneve të fituar nga “Los Blancos” sezonin e kaluar. Ai theksoi se çelësi i suksesit ishte falë unitetit të krijuar te Reali i Madridit.
“Madrilenët dhe tifozët që ndihen të apasionuar pas futbollit në çdo cep të botës nuk do ta harrojnë kurrë se si u arrit Champions-i i 14-të. Në 120 vjet të historisë sonë ne kemi përjetuar episode që kanë kontribuar për të mishëruar legjendën e Realit të Madridit dhe për të mbledhur mijëra ndjekës përreth vlerave tona universale”, tha fillimisht Perez.
Ai nuk ka lënë pa vlerësuar as figurën e Karlo Ançelotit si arkitekt i titullit të 14-të në Europë.
“Reali nuk dorëzohet kurrë dhe jep gjithçka deri në fund. Ky është shpjegimi për atë që ndodhi sezonin e kaluar, me lojtarët që e ndiejnë këtë fanellë dhe që përshtaten me vlerat që përbëjnë identitetin tonë. Dhe me një trajner si Ançeloti, i cili ka mundur të krijojë një familje”, vazhdoi Florentino.
PANORAMASPORT.AL
