Reali mund Deportivon, tifozët e fishkëllyen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 15, 2015 | 15:29

Reali mund Deportivon, tifozët e fishkëllyen

RealiNë një pasdite me ner vozizëm dhe shqetësim, Real Madridi mundi Deportivon me rezultatin 2-0 falë golave të Iskos dhe Benzemasë dhe iu rikthye fitores pas turpërimit që pësoi në derbi. Në prag të transfertës së të mërkurës në shtëpinë e Shalke 04 (1/8-ave në Champions), “galaktikët” nuk arritën të përzinin pakënaqësitë e tifozërisë, që s’i kurseu fishkëllimat.

Trajneri Karlo Ançeloti dhe portieri Iker Kasijas u shënjestruan më shumë nga tifozët, kur spikeri thirri emrat e tyre përpara nisjes së sfidës kundër Deportivos. Fishkëllima pati edhe për Bejlin dhe Benzemanë, ashtu si dhe për Ronaldon, por ato shumë shpejt u shuan nga duartrokitjet dhe brohoritjet e pjesës tjetër të “Bernabeu”-t. Kasijas u fishkëllye që kur preku topin për herë të parë, kurse i gjithë ekipi mori të njëjtin trajtim kur Bejli u vendos keq në mbrojtje dhe Kuenka pati një shans për të shënuar.

Isko hoqi ankthin

Takimi nisi me Realin paksa të trembur nga pritja e tifozëve dhe Deportivon që rrezikoi me anë të Kuenkas (priti Kasijas), Oriol Rieras dhe Lukasit. Por pas 10 minutash, “galaktikët” u shkundën dhe Ronaldo goditi traversën pas një driblimi dehës, ndërsa Bejli lëshoi një gjuajtje bombë nga 18 metra. Për të sjellë buzëqeshjen te “galaktikët”, mendoi Isko, i cili gjuajti me të djathtën pas një rrotullimi dhe harkimi i tij përfundoi në rrjetë. Në sfidën e djeshme lojtari spanjoll për tifozët ishte ai që bëri diferencën dhe iu rezervua një “standing ovation”. Madje, goli bëri që në vazhdim të kishte edhe duartrokitje për Kasijasin, që gjithashtu u ndie më i qetë. Rreziqet – Në nisje të 45 minutave të dyta, vendësit e nisën qetë lojën, por kjo i rrezikoi jo pak.

I riu portugez Kavaleiro çau nga e djathta, e dërgoi topin te Borgesi, që goditi shtyllën. Një çast më pas, Kasijasit iu desh të fluturonte pas një goditjeje me kokë të Oriol Rieras. Ky Real i plogësht nuk i pëlqeu fare “Bernabeu”-t që nisi prapë me fishkëllimat. Në fillim i gjithë ekipi, e pastaj paksa edhe CR7, pasi humbi disa topa. Ançeloti hodhi në lojë blerjen e janarit, Lukas Silva, në vend të Ijarramendit zhgënjyes dhe pak momente më vonë, Benzema realizoi golin e dytë (72′), pas asistit të Ronaldos. Fitorja e lë Realin në krye, që tani si synim ka të gjejë momente më të mira.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"