REAGIM/ Akuzoi klubin, Bylis “demaskon” lojtarin brazilian: Mashtroi duke u hequr si i dëmtuar, ja e vërteta e pagave (DOKUMENTI)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 20, 2020 | 21:17

REAGIM/ Akuzoi klubin, Bylis “demaskon” lojtarin brazilian: Mashtroi duke u hequr si i dëmtuar, ja e vërteta e pagave (DOKUMENTI)

Bylisi reagoi pas deklaratave të lojtarit të tij brazilian Visente de Paula Mercedes se nuk është paguar prej 4 muajsh nga klubi ballshiot si dhe për faktin se e kanë ndaluar të merrte pjesë në funeralin e nënës së tij, e cila vdiq nga një sëmundje në pankreas.

Vicente de Paula

Nëpërmjet një deklarate për shtyp, Bylisi bën me dije se lojtari është paguar për muajin shkurt 1018 euro pagë neto, ndërsa njësoj si shokët e skuadrës dhe lojtarët e tjerë shqiptarë ka marrë “pagën e luftës” nga FSHF-ja për muajin mars, ndërsa do të paguhet edhe për muajin prill. Në lidhje më muajin maj, klubi ballshiot thekson se ende nuk është plotësuar afati për të lëvruar pagat.

Bylisi ka vazhduar më tej me akuzat ndaj 24-vjeçarit duke pretenduar se ai nuk ka marrë pjesë qëllimisht në stërvitje duke sajuar justifikimin se është i dëmtuar, por analizat mjekësore në Spitalin Amerikan”, sipas Bylisit, provuan të kundërtën.

Mbrojtësi i djathtë i Bylisit i bëri këto deklarata për një media braziliane.

bylis

Deklarata e Bylisit:

Klubi i Bylisit ka reaguar në lidhje me deklaratën e dhënë nga lojtari brazilian Visente de Paula Mercedes. Sipas ballshiotëve, që japin edhe fakte, në një reagim zyrtar që ka dhënë klubi, deklarata e brazilianit ështe e pavërtetë. Ja reagimi i FK BYLIS: “Jemi njohur me deklaratën e dhënë nga ana e lojtarit brazilian Visente de Paula Mercedes dhe sqarojmë me prova dhe fakte se deklarata e tij është një mashtrim. Sa i përket pagave, lojtari ka ardhur në fundin e muajit janar, në muajin shkurt është paguar madje e provojmë edhe me mandate me rrogën e plotë, nga 1300 euro pagë bruto, i kanë kaluar në llogari 1018 euro pagë neto. Siç edhe dihet, në muajin mars, për shkak të pandemisë, FSHF me një vendim të Komitetit Ekzekutiv, kaloi pagën në llogarinë e lojtarit, ashtu si do të kalojë edhe prillin, për Visenten dhe çdo lojtar të Bylisit dhe skuadrave të tjera, sepse ka një vendim për të cilin jemi vënë në dijeni sapo u shpall situata e gjendjes së jashtëzakonshme. Ndërsa muajin maji s’e ka marrë askush sepse ende nuk është plotësuar afati. Lojtari Visente edhe ditën e hënë, kur u grumbullua skuadra për të nisur stërvitjen, u paraqit në seancën e paradites, por nxori si pretekst se është i dëmtuar, ndërsa në seancën e pasdites nuk u paraqit fare në ambientet e stërvitjes, ndryshe nga pjesa tjetër e skuadrës. I është bërë rezonanca në Spitalin Amerikan për të parë gjendjen e tij dhe nga përgjigja rezulton se nuk ka asnjë dëmtim, duke mashtruar sërish! Sa i përket kontratës së Mercedes, ajo është dy vjeçare, ndërsa kur është paraqitur në Ballsh ka nxjerrë pretendimin se nuk e kishte lexuar mirë! Lojtari ka njoftuar se ka pasur fatkeqësi familjare, i jemi gjendur pranë, por nuk është ndalur që të shkojë pranë familjes, sepse nuk e pengojmë, jo vetëm atë po asnjë, madje, ai nuk ka bërë asnjë kërkesë në klub. Ne i kemi qendruar afër, e madje sapo na ka dhënë lajmin e kemi lënë pushim. Visente dhe çdo futbollist, para se të dalë në media, për çdo problem e ka derën e hapur në klub dhe duhet që t’iu drejtohet instancave përkatëse, jo të dalë në media pa leje, duke shkelur etikën e klubit…”, – është reagimi i klubit ballshiot në faqen zyrtare.

bylis

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"