Rashiti ndihet i vjedhur nga arbitri në sfidën ndaj Teutës: U ndalova me dy duar, çfarë të më bënin më që të akordohej penallti?

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 29, 2023 | 13:47

Rashiti ndihet i vjedhur nga arbitri në sfidën ndaj Teutës: U ndalova me dy duar, çfarë të më bënin më që të akordohej penallti?

Kukësi doli me një pikë nga transferta me Teutën, duke marrë rezultatin e dytë pozitiv radhazi. Në fakt, verilindorët kanë pasur një pretendim për penallti në fundin e takimit për një ndërhyrje ndaj Atdhe Rashitit, por që nuk është vlerësuar e tillë nga gjyqtari.

fdl;gdf

Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, sulmuesi i Kukësit shpreh habinë që shumë raste nuk jepen në favor të tij, siç është edhe ajo e ndeshjes së fundit, pasi skuadra mund të dilte me tri pikë. Ai aktualisht vjen pas një dëmtimi dhe po rikuperohet, ndërsa shpreson që seria e rezultateve pozitive të vijojë edhe ndaj Erzenit.

Atdhe, pak e nga pak po riktheheni të luani. E kaluat plotësisht dëmtimin?

Të them të drejtën nuk jam ende në 100% tim. Megjithatë, jam duke punuar fort që të kap formën optimale dhe të ndihmoj ekipin.

U ndalët në një barazim me Teutën, ju kënaq ky rezultat?

Deri diku ishte një rezultat i pranueshëm, duke parë se si shkoi loja. Megjithatë, në 20 minutat e fundit ndoshta mund të merrnim më shumë. Do të mjaftonte një episod për të ndryshuar rrjedhën e lojës. Kam dyshimet e mia për faullin që m’u bë.

Na e sqaroni pak këtë moment në fund kur pretenduat për penallti…

Kam përshtypjen që faullet që më bëhen mua nuk vlerësohen drejt. Në rastin në fjalë u ndalova me dy duar dhe u rrëzova me forcë në tokë. Nuk e di se çfarë duhet të më bëjnë më shumë mbrojtësit që të dënohen?!

Vini pas dy rezultateve pozitive radhazi, mendoni se e kaluat krizën?

Nuk e shoh si krizë. Thjesht nuk po gjenim dot pikën e parë. Kuptohet më pas një ekip i ri i sapoformuar do atë kohën e vet. Natyrisht ndihet edhe dora e trajnerit. Mendoj që ky kampionat do të jetë shumë i fortë, sepse në një ditë të mirë çdo skuadër mund të fitojë ndaj kujtdo. Sa na përket ne, nuk mjafton 100%, duhet të japim më shumë në fushë për të marrë rezultate pozitive.

Ndeshja e radhës është me Erzenin, si e prisni?

E preka pak edhe më lart. Çdo ekip futet në fushë për të bërë më të mirën. Erzeni është një ekip shumë i mirë, kanë një grup dhe trajner me ambicie që japin çdo gjë në fushë. Mirëpo, ne jemi Kukësi dhe do të luftojmë në maksimum për ngjyrat tona dhe shpresojmë që të ruajmë avantazhet dhe moralin e lartë nga ndeshjet e fundit.

Kur mendoni ta shënoni golin e parë këtë sezon?

Besoj se edhe goli do të vijë. Do ta pasojnë edhe shumë të tjerë rrugës, por më e rëndësishme është ecuria e ekipit.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"