“Radhën e ka Korabi, synojmë me çdo kusht një rezultat pozitiv”, Tafa: Në këtë pikë të sezonit, Vorës i vlejnë vetëm fitoret

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 7, 2024 | 17:22

“Radhën e ka Korabi, synojmë me çdo kusht një rezultat pozitiv”, Tafa: Në këtë pikë të sezonit, Vorës i vlejnë vetëm fitoret

Vora ka nisur përgatitjet për sfidën e radhës kundër Korabit. Skuadra po merr të gjitha masat për këtë takim ku do të synojë sërish fitoren. Triumfi kundër krutanëve e ka ngritur adrenalinën për suksesin e radhës, si dhe për arritur objektivin historik.

vora

Vora kërkon të bëhet ekip elitar, por është shumë larg ngjitjes direkt, pasi Bylis dhe Elbasani janë shkëputur. Kjo e ka bërë thuajse të pamundur këtë variant, ndaj vorakët synojnë të paktën vendin e tretë, për të vijuar me ndeshjet e “play-off”-it.

Serxho Tafa, mesfushori 20 vjeçar me tipare sulmuese, ishte ai që shënoi një nga katër golat e fitores 4-2 në ndeshjen kundër Kastriotit. Për gazetën “Panorama Sport”, ai u shpreh: “Ka qenë një javë e vështirë, në të cilën kemi punuar veçanërisht me anën psikologjike pas humbjes në Ballsh, qoftë për të mbajtur lart moralin, por edhe për të rritur besimin në skuadër. Këtë e arritëm me sukses teksa morëm një fitore bindëse ndaj Kastriotit.

Tani radhën e ka Korabi, ku synojmë me çdo kusht një rezultat pozitiv. Dihet se përballë është një kundërshtar mjaft i fortë, aq sa i ka shkaktuar humbjen e parë sezonale Bylisit. Ka cilësi në organikë dhe është për t’u vlerësuar. Në këtë pikë të kampionatit nuk ka rival të lehtë. Për ne ka vetëm një vlerësim dhe një interpretim perfekt në fushë, me motivimin maksimal për të fituar tri pikët.

Vorës nuk i falen më gabimet dhe ne ende shpresojmë te mrekullia e ngjitjes direkt. Faza ‘play off’ është mundësia shtesë t’u ngjitur në elitë dhe këtë vlerësoj si edhe më të realizueshme. Gjithsesi, ne duhet të bëjmë mirë detyrat tona”.

ABDULLA DUSHKU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"