Radas rrëfehet nga Zagrebi: Nuk më flisnin shokët! Kam vendosur të jetoj gjithmonë në Korçë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 30, 2017 | 23:27

Radas rrëfehet nga Zagrebi: Nuk më flisnin shokët! Kam vendosur të jetoj gjithmonë në Korçë

Pasi eliminoi ekipin e qytetit të tij, Marko Radas rrëfen “pa dorashka” përjetimin e kualifikimit për në grupe me ekipin e Skënderbeut, por mbi të gjitha pas kthimit në Kroaci. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport, mbrojtësi flet për inatin e shokëve të fëmijërisë, por edhe gëzimin dhe këshillat e babait të tij. Mbi të gjitha bën një premtim që tingëllon bukur në gojën e një të huaji. “Do ta mbyll me Skënderbeun dhe do të vazhdoj me Skënderbeun edhe në staf. Unë jam nga Kroacia, por jam edhe pak korçar tani”.

Radas

Marko, pak ditë pushim pas eliminimit të Dinamo Zagrebit. Si ndihet Radas?

Po, ishin pak ditë. Gjithsesi, them se ishin më se të merituara. Bëmë një rrugëtim të gjatë dhe shumë të lodhshëm, por ia arritëm të dilnim mbanë me sukses. Në fund të fundit, e meritonim këtë sukses për ato që kemi kaluar dhe akuzat e shumta pa bazë ndaj nesh. Me këtë u mbyllëm gojën të gjithë atyre që nuk na duan dhe që nuk besonin te ne.

Jeni pranë familjes në Zagreb. Si ju pritën shokët?

Nuk më folën ditën e parë kur erdha (qesh). Më qëndronin të mërzitur se kisha eliminuar ekipin e qytetit. Por, më pas, më uruan dhe thanë se kishin brohoritur edhe për mua në stadium. Me të vërtetë ka qenë një situatë shumë e këndshme, të cilën nuk e kisha përjetuar më parë. Kam marrë urime të shumta këto ditë.

Po nga ish-shokët e Dinamos, keni folur me njeri?

Nuk është se kam pasur shumë kontakte, të them të drejtën. Kam folur pak me Antoliç, Rrahmanin dhe një mikun tim që është trajner i dytë te Dinamo. Me të vërtetë ishin të mërzitur për eliminimin, pasi na kujtonin atë ekip të dy viteve më parë dhe harruan që kemi më shumë eksperiencë tani. Por, që të gjithë e pranuan që ishte një kualifikim i merituar nga ana jonë.

radas

Babai juaj si armiku i Dinamos, çfarë ju tha?

Babai im më uroi fillimisht, ishte i lumtur, por më pas më bëri moral se kisha shpenzuar shumë parà. Asnjëherë nuk është i lumtur kur unë shpenzoj shumë (qesh). Nuk pata mundësi ta takoj pasi është me punë, por ka qenë i pari që gëzoi për mua. Më tha se ishte shumë i kënaqur dhe krenar.

Tani në grupe ndaj Dinamos së Kievit, Jang Bojs dhe Partizani i Beogradit. Si i shikoni këto përballje?

Grupet gjithmonë janë të vështirë sepse je në një kompeticion të madh. Është shumë i vështirë si grup, por them se kemi mundësitë tona për të bërë një tjetër mrekulli. Ne nuk kemi aspak presion dhe për këtë them se do të japim maksimumin.

Po në Serbi ndaj Partizanit?

E njëjta gjë edhe në Serbi. Ne jemi futbollistë dhe do të luajmë futboll të pastër. Jam i bindur për këtë.

Marko, në moshën 33- vjeçare tashmë. E keni menduar se ku do ta mbyllni karrierën?

Po, edhe pse është herët, e kam menduar pak a shumë se Skënderbeu do të jetë ekipi im i fundit me të cilin do të mbyll karrierën si sportist. Ky klub më ka dhënë shumë dhe jam krenar që mbaj veshur fanellën më të bukur. Kemi bërë historinë dhe, në fund të fundit, të dy, si unë si Skënderbeu, i detyrohemi njëri-tjetrit. Prandaj jam i bindur se do ta mbyll këtu karrierën, por jo vetëm.

Radas festa

Çfarë do të thoni me këtë?

Kam planet e bëra tashmë që, edhe pasi ta mbyll me futbollin e luajtur, të ndërtoj të ardhmen në Korçë. Për këtë mendoj se do të qëndroj pranë klubit Skënderbeu edhe në të ardhmen me një funksion tjetër, jo më si mbrojtës.

Tashmë po ju quajnë “Radas korçari”. Si reagoni?

Më pëlqen, të them të drejtën. Unë e di shumë mirë që origjina ime është Kroacia dhe një pjesë e zemrës sime do të rrijë në Kroaci. Por, të më besoni, ndihem shumë korçar tani pas gjithë këtyre viteve në këtë qytet të bukur.

Tani fillon kampionati. Cilat janë objektivat e Radasit?

Primarja dhe, mbi të gjitha, është të bëjmë një paraqitje të mirë në tri kompeticionet ku marrim pjesë. Më pas, normale, ajo që do të na bënte më shumë të lumtur është rikthimi i titullit sërish në Korçë.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"