Publikohet argumentimi i KAS, Skënderbeu ua kaloi fajin lojtarëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 26, 2017 | 20:43

Publikohet argumentimi i KAS, Skënderbeu ua kaloi fajin lojtarëve

Publikohet raporti i plotë i KAS mbi dënimin e Skënderbeut për mospjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve të edicionit 2016-2017. Në një argumentim prej 33 faqesh, shpjegohen teknikalitetet e plota mbi të cilin paneli i Lozanës vendosi të mbante në fuqi vendimin e dhënë nga Komisioni i Apelit të UEFA-s, por njëkohësisht mësohen edhe detaje të tjera nga mbledhja që vendosi fatin e klubit kampion të Shqipërisë.

kas skenderbeu

Gjatë mbledhjes në Lozanë, UEFA argumentoi se kishte rreth 50 ndeshje të klubit korçar ku sistemi i zbulimit BFDS kishte sinjalizuar luhatje të çrregullta të koeficienteve në ndeshje, më shumë se çdo klub tjetër në Europë. Në këtë pikë, mbrojtja e palës shqiptare ishte bazuar mbi argumentimin se akuza duhej cilësuar e pabazuar, pasi nëse shkelje të tilla do të ishin të vërteta, klubi do të ishte nën hetim si në Shqipëri, ashtu edhe jashtë saj, gjë që në fakt nuk po ndodhte.

Në pikën ku UEFA deklaroi se mund të argumentonte luhatjet e koeficienteve me sjelljet e lojtarëve në fushën e lojës, për të cilat kishte mjaftueshëm pamje filmike, argumentimi i Skënderbeut praktikisht ia kaloi fajin e mundshëm futbollistëve të klubit korçar, edhe pse pjesa më e madhe e emrave të përmendur vazhdojnë të jenë pjesë e tij.

Në raportin e KAS theksohet se Skënderbeu ka shpjeguar se anomalitë e zbuluara nga BFDS mund të tregonin se lojtarët mund të ishin përfshirë në manipulime ndeshjesh, por pa përfshirjen e klubit, ndaj ky i fundit nuk duhej cilësuar përgjegjës.

Ndërkaq, UEFA prezantoi si prova kryesore katër takime në Kupat e Europës të skuadrës së Skënderbeut: ndaj Kruzejdërs, Dinamo Zagrebit, Sporting Lisbonës dhe Lokomotiv Moskës. Ajo ballafaqoi lëvizjet e koeficienteve me ngjarjet në fushën e lojës si dhe me sjelljen e futbollistëve të veçantë, duke përmendur emrat e shumë lojtarëve kryesorë në radhët e Skënderbeut si Jashanica, Shehi, Vangjeli, Salihi, etj.

kas skenderbeu

Ndërsa Skënderbeu nuk kishte paraqitur asnjë ekspert për të hedhur poshtë pranimin e luhatjes së koeficienteve si provë dhe e kundërshtonte thjesht në parim, UEFA kishte sjellë para panelit në Lozanë një profesor ekonomie në Universitetin e Liverpulit, si dhe shefin ekzekutiv të kompanisë së njohur të basteve sportive në Azi, “Hong Kong Jockey Club”. Ky i fundit dëshmoi se kjo kompani kishte ndaluar bastet e klubit korçar gjatë ndeshjes me Sporting Lisbonën, të humbur 5-1, e alarmuar nga luhatjet jashtë logjike të koeficienteve të basteve në këtë ndeshje.

Detajet e hollësishme të argumentimit të KAS mbi çështjet e mësipërme dhe të tjera, mund t’i lexoni nesër në gazetën “Panorama Sport”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"