Problemet e Teutës, mbrojtja dhe komunikimi me të huajt

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 7, 2017 | 11:20

Problemet e Teutës, mbrojtja dhe komunikimi me të huajt

Skuadra e Teutës ka qenë pushim edhe gjatë ditës së djeshme, kjo pas vendimit të marrë nga stafi teknik pas barazimit me Laçin. Duke ditur ndërprerjen e kampionatit për këtë fundjavë dhe ngjeshjen e kalendarit në vijim, u vendos që “djemtë e detit” të rikthehen sot në stërvitje. Të gjithë futbollistët pritet të jenë në dispozicion të trajnerit Gugash Magani në seancën e sotme.

teuta partizani

Faza e parë për Teutën u mbyll jashtë parashikimeve dhe si mos më keq. Durrsakët pretendonin tre vendet e para pas një fillimi fantastik, por pas humbjes me Flamurtarin situata filloi të vështirësohej dhe arriti kulimin me vendime drastike të drejtuesve ndaj lojtarëve. Në 9 ndeshjet e para “djemtë e detit” grumbulluan 8 pikë nga 27 të mundshme, shumë larg pritshmërive.

5 humbje, 2 fitore dhe 2 barazime, si dhe 17 gola të pësuar dhe vetëm 11 të shënuar, është bilanci i Teutës së fazës së parë. Pra, statistikat tregojnë qartë se Magani gjatë kësaj periudhe duhet të punojë më shumë me repartin e mbrojtjes. Një pjesë e mirë e futbollistëve e komentojnë këtë situatë si çështje psikologjike, megjithatë, duke u bazuar te mënyra se si golat janë pësuar është shumë më tepër se kaq.

Komunikimi mes reparteve është problemi kryesor që të besuarit e trajnerit Magani duhet të përmirësojnë. Fakti që në skuadër janë disa të huaj e bën më të vështirë komunikimin mes lojtarëve. Ndoshta përveç aspektit psikologjik dhe teknikotaktik Magani duhet të punojë me lojtarët edhe me komunikimin.

DRILON XHEPOLLARI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"