Privatizimi, Lushnja në ajër. Hedhin çdo vit nga 400 milionë lekë, por…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 26, 2021 | 21:00

Privatizimi, Lushnja në ajër. Hedhin çdo vit nga 400 milionë lekë, por…

Futbolli lushnjar po përjeton një peri udhë krize. Dhe nuk jemi duke folur për ekipin dhe rezultatet e fundit, por për një çështje më të rëndësishme. Zyrtarisht, është një klub që nuk ka asnjë të ardhur dhe shpenzimet mbulohen tërësisht nga Bashkia e Lushnjës. Përmes një subvencionimi prej 400 milionë lekësh në vit, realizohet një shpenzim i shtrirë në 12 muaj. Bashkia e Lushnjës nuk është kursyer, që nga ndryshimi i statutit me VKB më 6 shtator 2013, me emërtimin “KF Lushnja 1930” sh.a. Në një periudhë prej afro 7 vitesh e gjysmë, klubi ka mbijetuar vetëm në sajë të subvencionimit nga bashkia, që kap shumën 340-400 milionë lekë, të kaluara sistematikisht çdo vit nga Këshilli Bashkiak. Një buxhet i konsiderueshëm, i kaluar si pa të keq, pa asnjë ndikim në komunitet. Një buxhet i cilësuar “gropa e zezë” e Bashkisë së Lushnjës, por i detyruar, për t’i mundësuar mbijetesën futbollit.

Lushnja-Egnatia

TË ARDHURAT

Të ardhurat nga reklamat, donacionet, biletat kanë qenë të pakta. Edhe në kushtet e sotme, të ndikuara nga pandemia, ku një përqindje e buxhetit të bashkisë është paralizuar, futbolli ka mbetur prioritar me shumën e fiksuar 400 milionë lekë. Kështu, Lushnja është një klub që këtë verë do të rrezikojë vërtet shumë. Ligji i sportit është i qartë, deri në muajin korrik çdo klub që është në varësi të bashkive duhet të privatizohet. Bashkia është aksionerja e vetme e klubit të futbollit dhe zotëron 100% të aksioneve. Madje, edhe kapitali themeltar 35 milionë lekë të vjetër zotërohet nga Bashkia e Lushnjës. Anëtarët e këshillit kryejnë edhe rolin e anëtarit të asamblesë, ku secili ka aksionet e veta.

KËSHILLI

Edhe pse afati skadon pas 5 muajsh, Lushnja nuk ka hedhur asnjë hap për privatizimin. Gjatë mbledhjes “online” që u zhvillua dje në Këshillin Bashkiak, nuk u fol fare për futbollin dhe këtë temë delikate. Lushnja është tërësisht e varur nga njësia vendore, por edhe pse ka mbetur shumë pak nga koha për privatizim, nuk e ka marrë mundimin që të bëjë diçka për këtë histori, që rrezikon shumë klubin.

SHITJA

Duhet thënë se kjo shoqëri nuk ka qenë asnjëherë në shitje gjatë periudhës bashkiake, e cila ka shtatë vite e gjysmë që shpenzon paratë e taksapaguesve për futbollin. Kjo zvarritje të bën të mendosh se zgjidhje nuk do të ketë. Nga Lushnja nuk ka asnjë shenjë, ndërkohë që duhet vullnet nga të gjitha palët, aktorët sportivë, biznesi lushnjar dhe njësia vendore. Për më tepër që bëhet fjalë për një proces, i cili ka kompleks ligjor me peshë juridike për të realizuar privatizimin.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"