Privatizimet, zbardhet vlera e klubeve të Superiores

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 1, 2011 | 9:05

Privatizimet, zbardhet vlera e klubeve të Superiores

Ka më shumë se një vit që nga Federa ta Shqiptare e Futbollit proklamohet më të madhe në media vizive dhe të shkruara “detyrimi” i klubeve për t’u privatizuar. Ose, minimalisht: kthimin në një gjendje juridike të pranueshme nga ligjet e shtetit dhe rregulloret e FIFA-s dhe UEFA-s. U desh realisht pak kohë, dhe në 20 tetor të këtij viti, u regjistrua sipas kërkesave të FSHF-së edhe klubi i fundit: KF Tirana. Kështu, nga 14 klubet pjesëmarrëse në kampionatin shqiptar të futbollit, Liga Superiore, 11 prej tyre (Apolonia, Bylisi, Tirana, Vllaznia, Flamurtari, Kastrioti, Laçi, Pogradeci, Shkumbini, Tomori dhe Kamza), janë kthyer tashmë në Shoqëri Anonime/aksionere, ndërsa tri klube (Skënderbeu, Dinamo dhe Teuta) sipas informacioneve nga FSHF-ja rezultojnë të regjistruara si shoqata, edhe kjo një formë ligjore e pranueshme nga ligjet e vendit, FIFA dhe UEFA.

Veçantia Duket disi e pabesueshme, por klubi i parë që ka marrë iniciativën për të qenë shoqëri aksionere ka qenë Apolonia e Fierit. Ky rezulton edhe klubi i regjistruar më herët nga të gjithë të tjerët, jo vetëm në Superiore, por edhe në kategori të parë apo të dytë. FK Apolonia sh.a. është regjistruar që më 26 shtator të 2002- it me një kapital fillestar të admirueshëm: 447.000.000 lekë (të rinj). Që nga ajo periudhë, përfaqësues ligjor ka qenë z.Koço Kokëdhima, i cili mban edhe 75 për qind të aksioneve të këtij klubi ose: 335.250 lekë (të rinj) kapitale. Pjesa tjetër, pra 25 për qind, i takon Bashkisë Fier. Kjo e fundit mban në përqindjen e vet më së shumti asetet që i përkasin terreneve sportive, të cilët siç dihet me ligj të posaçëm nga Këshilli i Ministrave mund të jepen në formë konçesioni për një periudhë të gjatë kohore, por pa të drejtë tjetërsimi.

“Pasanikët” Klubi me vlerën më të lartë të regjistruar deri më tani në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit (QKR) është KF Tirana. Vlera që i kanë vënë drejtuesit, ose personat që kanë regjistruar këtë klub, shkon deri në 6.445.263.000 lekë (të rinj), një shifër kjo marramendëse po të mendosh kushtet ku ndodhet futbolli shqiptar. Tirana është njëkohësisht klubi që u regjistrua më vonë nga të gjithë të tjerët, kjo për shkak të mosmbledhjes në kohë të Këshillit Bashkiak të kryeqytetit, për shkak të shtyrjes së rezultatit të zgjedhjeve të 8 majit 2011. Sakaq, Tirana është edhe klubi i vetëm me dy përfaqësues ligjorë: Alban Tafaj dhe Lulzim Basha (kryetari i bashkisë, Tiranë) dhe me më shumë anëtarë bordi, plot nëntë persona (Fatmir Frashëri, Dhurata Çupi, Artan Pogoni, Marenglen Shyti, Sulejman Mema, Luigj Bytyçi, Indrit Fortuzi, Krenar Alimehmeti dhe Enver Reçi). Ndërkohë pas Tiranës, për nga vlerat fillestare të deklaruara vjen Vllaznia, klub ky që vlerësohet 18.000.000 lekë (të rinj). Të gjitha kapitalet te Vllaznia, ashtu si edhe te Tirana, janë në dorë të bashkisë, e cila drejton me anë të një përfaqësuesi ligjor (Kujtim Shaba) dhe tre anëtarëve të bordit: Benjamin Idrizi, Ridvan Troshani dhe Anketil Rroji. Gjithsesi, president de fakto te ky klub njihet kryetari i bashkisë së këtij qyteti, Lorenc Luka.

Klube bashkiake Vlen të theksohet se edhe pse u tha nga ana e federatës që zgjidhja më e mirë është privatizimi, përsëri klubet e Superiores, një pjesë e mirë e tyre, kanë mbetur sërish nën tutelën e bashkive. Kështu, përveç Tiranës dhe Shkodrës, nën “thundrën” e bashkive respektive kanë mbetur edhe Flamurtari, Tomori, Pogradeci dhe Shkumbini. E përbashkëta e këtyre klubeve është se kanë vlera kapitalesh të njëjta, si dhe ndërtim të njëjtë të bordit drejtues. Ndërkohë, ndryshojnë te vlera nominale e kapitaleve: te Flamurtari është parë e udhës që numri i kontributeve të jetë 2.000, ndërsa vlera nominale për çdo kontribut të jetë 1.000 lekë. Te Pogradeci, numri i kontributeve është shumë më i vogël, vetëm 200, por drejtuesit i kanë dhënë më shumë prioritet vlerës nominale, e barabartë kjo me10.000 lekë (të rinj). Pak e shumë e njëjta strategji është ndjekur edhe nga Bashkia Peqin, ku numri i kontributeve është 100 dhe vlera nominale është 20.000 lekë (të rinj). Sakaq, në Berat “kanë kopjuar” Flamurtarin, pasi kanë bërë identik të njëjtën gjë si vlonjatët me klubin e tyre. Klube private Ndërkohë kanë bërë hapa përpara, duke iu afruar në aspektin ligjor klubeve në perëndim, në Ballsh, Kamzë, Krujë dhe Laç, ku bashkia ka preferuar të mbajë një përqindje të vogël të kapitaleve (kjo më shumë si një garanci nëse klubi ka probleme financiare në të shkuarën) dhe pjesën më të madhe ua ka kaluar biznesmenëve të interesuar jo vetëm për të sponsorizuar, por edhe investuar në këto klube me qëllime përfitimi. Një strukturë e tillë në pamje të parë të bën të besosh më shumë në këto klube, ku edhe futbolli merr trajta të një biznesi gjithnjë e në zhvillim. Kështu, te Bylisi 75 për qind të kapitaleve i ka kompania “GJANICA”, ndërsa 25 për qind i janë lënë Bashkisë Ballsh. E njëjta gjë edhe në Krujë ku 75 për “SPORT” dhe 25 për qind janë në zotërim të Bashkisë Krujë. Edhe Laçi është në këto kushte, ku aksioner me 75 për qind është biznesmeni Pashk Laska dhe 25 për qind i ka Bashkia Kurbin. Ndryshon vlera e përqindjeve te Kamza, ku 51 për qind janë në dorë të kompanisë QARRI- 02 dhe 49 për qind janë të Bashkisë Kamzë. Sakaq pritet që sipas të informacioneve jo zyrtare të shiten edhe një pjesë e aksioneve te KF Tirana, kjo për të pasur më shumë siguri për pagesat e lojtarëve dhe stafit teknik.

“Hile” me asetet, për rritjen e vlerës
Nëse vëren me kujdes, KF Tirana ka një vlerë mjaft të madhe: 6.4 miliardë lekë (të rinj), ndërkohë që klubet e tjera janë tejet larg kësaj shifre. Sipas burimeve jozyrtare thuhet se, “hileja” në këtë mes qëndron te nxjerrja e një vlere sa më të madhe të aseteve të klubit (janë futur këtu edhe fushat sportive dhe stadiumi, që faktikisht janë pronë e Bashkisë Tiranë dhe jo e KF Tirana), me qëllim që më pas një aksion të ketë një kosto të konsiderueshme për cilindo që do kërkojë të jetë aksioner te kjo skuadër. Një gjë e tillë nuk është bërë te klubet e tjera, të cilat më së shumti kanë qenë të rrekura për të gjetur biznesmenë që për momentin japin garanci për pagesa.

Si funksionojnë Dinamo, Skënderbeu dhe Teuta
Nga 14 klube të Superiores vetëm tre prej tyre nuk janë regjistruar si shoqëri anonime: Dinamo, Skënderbeu dhe Teuta. Këto klube kanë gjetur si më të përshtatshme një tjetër formë, edhe kjo ligjore dhe e pranueshme si nga ligjet e shtetit shqiptar, edhe nga FIFA e UEFA: këto funksionojnë si shoqata, si OJF. Kështu te Skënderbeu, Dinamo e Teuta ka një sponsor, donator, i cili de fakto merr rolin e presidentit të klubit, pasi ai mbulon pjesën financiare (te korçarët është Agim Zeqo, te Dinamo, Besnik Sulaj dhe te Teuta, Edmond Hasanbelliu), si dhe një bord drejtues, i cili varet në rastin konkret nga asambleja e përgjithshme e klubit. Zakonisht në asamble bëjnë pjesë figurat më të spikatura të secilit klub ndër vite, dhe ajo mblidhet të paktën një herë në vit për të marrë vendime lidhur me ecurinë e klubit. Kjo në teori, pasi në praktikë ka ndodhur që asambleja dhe bordi nuk mblidhen thuajse fare dhe gjithë roli drejtues e barra financiare bie mbi presidentin e klubit.

Shoqëria aksionere, ja si funksionon
Kalimi i klubeve shqiptare në sh.a. ka sjellë në një fazë të re funksionimin e klubeve shqiptare. Referuar ligjit për privatizimin dhe ndryshimeve që ka pësuar gjatë këtyre viteve, zakonisht në shoqëri aksionere/anonime ktheheshin të gjitha ndërmarrjet shtetërore të trashëguara nga koha e diktaturës. Si rregull, drejtuesi i shoqërisë do vazhdonte të ishte për një periudhë jo më shumë se 6 muaj sërish drejtori i asaj ndërmarrjeje (në rastin konkret, i klubit të futbollit), kjo me qëllim që të arrihej kalimi gradual i kompetencave dhe vlerësimi i të gjitha aseteve të ndërmarrjes/ klubit (në fakt, në disa klube kjo gjë nuk është ndjekur pikë për pikë). Por, ç’përfaqëson në vetvete sh.a.- ja? Referuar ligjit, shoqëria aksionere/anonime është person legal, i cili mund të jetë: shoqëri aksionere me përgjegjësi të pakufizuar ose shoqëri aksionere me përgjegjësi të kufizuar. Shoqëria aksionere me përgjegjësi të pakufizuar përbëhet nga aksionerët e saj, të cilët me kontratën për krijimin (themelimin) e saj obligohen për të qenë të përgjegjshëm, përpos kapitalit të investuar në të, edhe në kapitalin tjetër jashtë saj. Ndërsa shoqëria e aksioneve me përgjegjësi të kufizuar emërohet si “shoqëri komandive”. Aksioneri me përgjegjësi të pakufizuar në shoqërinë aksionere komandive ka përgjegjësi të pakufizuar për detyrimet, ndërsa aksioneri me përgjegjësi të kufizuar është i përgjegjshëm deri në lartësinë e kontributit të tij, të depozituar në vlerën e aksioneve që ai disponon në atë shoqëri. Ndërkaq, aksioneri në shoqërinë aksionere është normalisht anëtar dhe ortak i saj dhe i detyruar që t’i bindet rregullores mbi të drejtat dhe detyrimet që ai ka si ortak i shoqërisë. Në rastin kur shoqëria aksionere falimenton, pasuria e saj pajtohet sipas ligjit, por parimisht në likuidim pasuria (pasuria neto) duhet t’u ndahet baras sikundër aksionerëve me përgjegjësi të pakufizuar, edhe atyre me përgjegjësi të kufizuar, pra nuk ka dallime. Kur aksioneri i shoqërisë së kufizuar dëshiron të shesë aksionet e veta, ai më parë duhet që t’ua ofrojë ato aksionerëve të brendshëm dhe të kërkojë pëlqimin për shitje jashtë korporatës, në rast se nuk merr asnjë ofertë nga këta të fundit. Ndërkohë, para shitjes së aksioneve (kur ka interes nga ofertues të ndryshëm), bordi drejtues cakton një ekspert për vlerësimin e kapitaleve dhe nxjerrjen e vlerës së një aksioni. Në bazë të kësaj vlere bëhen më pas edhe llogaritë për çdo rast.

KLUBET SHOQËRI ANONIME
KF Tirana
DATA E REGJISTRIMIT: 20/10/2011
FORMA LIGJORE: Shoqëri Anonime
DATA E THEMELIMIT: 18/10/2011
SELIA: Stadiumi “Selman Stërmasi”, Tiranë
KAPITALI: 6.445.263.000
NUMRI I KONTRIBUTEVE: 6.445.263
VLERA NOMINALE: 1.000
PËRFAQËSUESI LIGJOR:
Alban Tafaj (nga 18/10/2011-18/10/2014)
PËRFAQËSUESI LIGJOR:
Lulzim Basha (nga 18/10/2011-18/10/2014)
ANËTARËT E BORDIT:
Fatmir Frashëri, Dhurata Çupi, Artan Pogoni,
Marenglen Shyti, Sulejman Mema,
Luigj Bytyçi, Indrit For tuzi,
Krenar Alimehmeti, Enver Reçi
AKSIONER: Bashkia Tiranë (100%)

KF Vllaznia
DATA E REGJISTRIMIT:
29/08/2011
FORMA LIGJORE:
Shoqëri Anonime
DATA E THEMELIMIT: 26/08/2011
SELIA:
Rruga “Djepaxhijej” Nr. 2, Shkodër
KAPITALI: 18.000.000
NUMRI I KONTRIBUTEVE:
18.000
VLERA NOMINALE: 1 000
PËRFAQËSUESI LIGJOR:
Kujtim Shaba
(nga 26/08/2011-26/08/2014)
ANËTARËT E BORDIT:
Benjamin Idrizi, Ridvan Troshani,
Anketil Rroji
AKSIONER:
Bashkia Shkodër (100%)

Flamurtari
DATA E REGJISTRIMIT:
30/09/2011
FORMA LIGJORE:
Shoqëri Anonime
DATA E THEMELIMIT: 13/09/2011
SELIA:
Lagjja “Pavarësia”, Vlorë
KAPITALI: 2.000.000
NUMRI I KONTRIBUTEVE:
2.000
VLERA NOMINALE: 1.000
PËRFAQËSUESI LIGJOR:
Geri Çipi
(nga 13/09/2011-13/09/2014)
ANËTARËT E BORDIT:
Ilir Banushi, Anila Çukani,
Ilir Meta, Ramazan Ademi
AKSIONER: Bashkia Vlorë (100%)

Apolonia
ATA E REGJISTRIMIT:
26/09/2002
FORMA LIGJORE:
Shoqëri Anonime
DATA E THEMELIMIT: 09/08/2002
KAPITALI: 447.000.000
NUMRI I KONTRIBUTEVE:
447.000
VLERA NOMINALE: 1 000
PËRFAQËSUESI LIGJOR:
Koço Kokëdhima
(nga 23/11/2009-23/11/2012)
ANËTARËT E BORDIT:
Fatos Braja, Sajmir Aliçkolli,
Bashkim Tufa, Hetem Sulaj
AKSIONER:
Koço Kokëdhima 335.250 (75%)
AKSIONER:
Bashkia Fier 111.749 (25%)

KS Bylis
DATA E REGJISTRIMIT:
07/10/2011
FORMA LIGJORE:
Shoqëri Anonime
DATA E THEMELIMIT: 31/08/2011
SELIA: Fier, Ballsh
KAPITALI: 2.000.000
NUMRI I KONTRIBUTEVE:
20.000
VLERA NOMINALE: 100
PËRFAQËSUESI LIGJOR:
Besnik Kapllanaj
(nga 31/08/2011-31/08/2014)
ANËTARËT E BORDIT:
Tauland Kapedani, Robert Shehaj,
Vilson Kozaj, Fatos Haxhiraj
AKSIONER: “GJANICA” (75%)
AKSIONER: Bashkia Ballsh (25%)

FK Kamza
DATA E REGJISTRIMIT:
02/09/2011
FORMA LIGJORE:
Shoqëri Anonime
DATA E THEMELIMIT: 29/08/2011
SELIA: Sheshi “Karl Topia”, Tiranë
KAPITALI: 2.000.000
NUMRI I KONTRIBUTEVE:
2 000
VLERA NOMINALE: 1 000
PËRFAQËSUESI LIGJOR:
Naim Qarri
(nga 29/08/2011-29/08/2014)
ANËTARËT E BORDIT: Bashkim
Doku, Sokol Ndreu, Sami Qarri,
Xhelal Mziu, Albert Bana, Basri
Mana, Jonuz Muça
AKSIONER: QARRI-02 (51%)
AKSIONER: Bashkia Kamzë (49%)

Kastrioti
DATA E REGJISTRIMIT:
26/08/2011
FORMA LIGJORE:
Shoqëri Anonime
DATA E THEMELIMIT: 26/07/2011
SELIA: Qendër Krujë
KAPITALI: 2.000.000
NUMRI I KONTRIBUTEVE:
2 000
VLERA NOMINALE: 1 000
PËRFAQËSUESI LIGJOR:
Artan Djala
(nga 26/07/2011-26/07/2014)
ANËTARËT E BORDIT: Shkëlzen
Hoxha, Arben Kumi, Armand
Shehu, “JON AUDITING” (ekspert
kontabël)
AKSIONER: “ALBAN SPORT” (75%)
AKSIONER: Bashkia Krujë (25%)

KS Laçi
DATA E REGJISTRIMIT:
05/07/2011
FORMA LIGJORE:
Shoqëri Anonime
DATA E THEMELIMIT: 13/05/2011
SELIA: Lagjja Nr. 4, Laç
KAPITALI: 2.000.000
NUMRI I KONTRIBUTEVE:
2 000
VLERA NOMINALE: 1 000
PËRFAQËSUESI LIGJOR:
Marsel Tusha
(nga 13/05/2011-13/05/2014)
ANËTARËT E BORDIT:
Elton Laska, Luigj Isufi,
Bujar Cenaj, Qani Kajo
AKSIONER: Pashk Laska (75%)
AKSIONER: Bashkia Laç (25%)

KF Pogradeci
DATA E REGJISTRIMIT:
04/08/2011
FORMA LIGJORE:
Shoqëri Anonime
DATA E THEMELIMIT: 26/07/2011
SELIA:
Stadiumi i qytetit, Pogradec
KAPITALI: 2.000.000
NUMRI I KONTRIBUTEVE:
200
VLERA NOMINALE: 10.000
PËRFAQËSUESI LIGJOR:
Nesti Binishi
(nga 26/07/2011-26/07/2014)
ANËTARËT E BORDIT:
Stefan Hila, Ilia Gusho, Vilma
Topçiu, Ruzhdi Shkullaku
AKSIONER:
Bashkia Pogradec (100%)

Shkumbini
DATA E REGJISTRIMIT:
05/09/2011
FORMA LIGJORE:
Shoqëri Anonime
DATA E THEMELIMIT: 18/07/2011
SELIA: Stadiumi “Shkumbini”, Peqin
KAPITALI: 2.000.000
NUMRI I KONTRIBUTEVE:
100
VLERA NOMINALE: 20.000
PËRFAQËSUESI LIGJOR:
Astrit Isaj
(nga 18/07/2011-17/07/2014)
ANËTARËT E BORDIT:
Gentian Cani, Alban Çela,
Shkëlzen Dajzmaili
AKSIONER:
Bashkia Peqin (100%)

FK Tomori
DATA E REGJISTRIMIT:
24/08/2011
FORMA LIGJORE:
Shoqëri Anonime
DATA E THEMELIMIT: 26/07/2011
SELIA: Lagjja “30-vjetori”, Berat
KAPITALI: 2.000.000
NUMRI I KONTRIBUTEVE:
2 000
VLERA NOMINALE: 1 000
PËRFAQËSUESI LIGJOR:
Polizoi Kuqo
(nga 16/09/2011-16/09/2014)
ANËTARËT E BORDIT:
Alban Pambuku,
Kristo Sinjari, Besmir Blana,
Dhimo Dundo, Afrim Suli
AKSIONER: Bashkia Berat (100%)
LEONARD KARAJ

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"