Pritej vetëm firma te Tirana, Partizani i rrëmben bardhebluve objektivin e verës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 19, 2021 | 0:53

Pritej vetëm firma te Tirana, Partizani i rrëmben bardhebluve objektivin e verës

Ditë shumë aktive te skuadra e Partizanit. Pas një pauze disaditore pas përfundimit të edicionit të shkuar, “demat” kanë nisur punën për përforcimin e skuadrës dhe deri më tani, kanë afruar zyrtarisht katër futbollistë. Pas Emiljano Mustës dhe Herald Markut, dje janë konfirmuar edhe afrimet e qendërmbrojtësit të larguar nga Vllaznia, Dajan Shehi, si dhe mbrojtësit të djathtë të Dinamos, Niko Paterni. Gjithashtu ka firmosur rinovimin edhe Jurgen Bardhi.

herald marku

BARDHI – Pasi nënshkroi Herald Marku që bëhet përforcimi i dytë i “demave të kuq”, tashmë ka ardhur edhe firma e Jurgen Bardhit, që zgjat bashkëpunimin edhe një sezon me klubin kryeqytetas. “FK Partizani zyrtarizon zgjatjen e bashkëpunimit me Jurgen Bardhin. Klubi dhe lojtari kanë rinovuar kontratën dhe sulmuesi 23-vjeçar do të jetë pjesë e 16-të herë kampionëve të vendit edhe për një tjetër sezon. Burime të besueshme të gazetës bëjnë me dije që fantazistit i janë plotësuar kushtet që ka kërkuar. Sa i përket aspektit financiar, është gjetur një rrugë e mesme për të dyja palët. Ndërkohë, mësohet se kontrata është nënshkruar për rinovim 1-vjeçar, por nëse do të ketë një ofertë për 23-vjeçarin nga jashtë vendit, automatikisht ai do të bëhet lojtar i lirë.

SHEHI – Partizani do të prezantojë sot afrimin më të ri, Dajan Shehin. “Panorama Sport” se qendërmbrojtësi ka firmosur një kontratë 2- vjeçare me opsion rinovimi edhe për 1 sezon. Ai pritet të marrë 3 mijë euro në muaj. Dy sezonet e fundit Shehi ka qenë titullar te Vllaznia dhe shihet si zëvendësuesi i Eneo Bitrit.

PATERNI – Niko Paterni duket se do të jetë zgjidhja e Partizanit për krahun e djathtë të mbrojtjes. Esat Mala nuk do të luajë më në atë pozicion dhe 25-vjeçari italian, duket se do të jetë ai që do të luajë në këtë rol. Paterni ka qenë së fundmi pjesë e Dinamos, por tashmë është me Partizanin, ku luajti titullar edhe në miqësoren kundër Shkupit. Megjithatë, ende nuk ka firmosur zyrtarisht me të kuqtë.

xhixha

XHIXHA – Redon Xhixha ka qenë një ndër më të mirët me skuadrën e Laçit. 22-vjeçari është pa kontratë, megjithatë, klubi që e do duhet të paguajë taksë formimi, për shkak se UEFA nuk i lejon futbollistët nën 23 vjeç të firmosin për një ekip tjetër pa u paguar kjo taksë (si rasti i Esat Malës). Por, flitet për një dakordësi mes dy presidentëve të Partizanit dhe Laçit për ta konkretizuar këtë transferim. Xhixha pritet të jetë një ndër afrimet e Partizanit.

TIRANA-XHIXHA-  Edhe pse mes bardhebluve dhe sulmuesit të Laçit ishte arritur një marrëveshje, duket se për momentin gjërat janë frenuar. Lojtari është ende 22 vjeç dhe vetëm më 14 korrik mbush 23 vite. Gjithsesi, Tirana para se të firmoste me lojtarin ka bërë një sondazh tek ekipi i Laçit ku ka kërkuar të dijë nëse futbollisti është i lirë. Në fakt, kurbinasit kanë konfirmuar se Xhixha është lojtar i lirë, por nëse firmos me ndonjë skuadër tjetër dhe luan, klubi që e merr lojtarin duhet paguajë për 30 ditë mbi 150 milionë lekë të vjetër. Tirana në fakt e ka kuptuar momentin e fundit kur po bëhej gati të firmoste kontratën që nëse firmoste me Xhixhën dhe e aktivizonte, duhet të paguante një mal me para.

VERONIK ISTREFAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"