Prezantohet Lushtaku, pritet edhe i vëllai

Panorama Sport | Gazeta me e shitur sportive ne vend

Postuar: Gusht 26, 2015 | 9:13

Prezantohet Lushtaku, pritet edhe i vëllai

lushtakuDrejtuesit e Vllaznisë kanë zyrtarizuar dje edhe afrimin e 9-të. Kreshnik Lushtaku, mesfushori 21-vjeçar nga Kosova, ka firmosur për dy vite me skuadrën shkodrane. Stafi i skuadrës për më shumë se dy javë e ka parë nga afër lojtarin dhe, më pas, kanë vendosur që ta zyrtarizojnë te Vllaznia. Kreshnik Lushtaku gjatë prezantimit para mediave është shprehur i kënaqur që ka arritur marrëveshjen me Vllazninë. Ai beson se do të ndjekë gjurmët e vëllait të tij, Kushtrim Lushtaku, duke spikatur në Superiore. 21-vjeçari nuk e fsheh dëshirën, që shumë shpejt pjesë e Vllaznisë do të bëhet edhe vëllai i tij, Kushtrimi.

“Vij në një klub të madh të Shqipërisë dhe kjo më jep një kënaqësi të veçantë. Për mua është një gjë pozitive dhe atmosfera këtu është shumë e mirë. Vij në një klub ku gjithsecili prej nesh do ta kishte për nder të ishte pjesë e tij. Prandaj, më del për detyrë që të bëj maksimumin tim dhe së bashku me të tjerët të arrijmë objektiva sezonalë të klubit. Shpresoj që të bëj një paraqitje si vëllai dhe, pse jo, më mirë se sa ka bërë Kushtrimi te Kukësi. Gjithsesi, kjo mbetet për t’u parë. Nuk e fsheh dëshirën që të luaj me Kushtrimin në një ekip, pse jo kjo gjë të mos ndodhë te Vllaznia. Megjithatë, ai ka karrierën e tij dhe kjo mbetet për t’u parë. Shpresoj që të bëj maksimumin e mundshëm për të kontribuar për këtë ekip”, u shpreh mesfushori kosovar, Kreshnik Lushtaku.

Kushtrimi – Ndoshta dëshira që ka Kreshniku që të jetë së bashku me vëllanë e tij, Kushtrimin, te Vllaznia, mund të bëhet shumë shpejt realitet. Mësohet se drejtuesit shkodranë kanë filluar bisedimet me Kushtrim Lushtakun, që ta bëjnë pjesë të ekipit. Ish-futbollisti i Kukësit ndodhet në fazë rikuperimi, pasi u dëmtua në fund të sezonit, por më pas mund të bëhet pjesë e kuqebluve. Enigmë mbetet koha që do t’i duhet lojtarit për të qenë i gatshëm. Paraqitja me Kukësin dhe eksperienca në Superiore mund të jenë arsyet që Kushtrim Lushtaku të veshë fanellën e Vllaznisë së sezonit të ri.






www.minuta90.com